LAJMI I FUNDIT:

Fashizmi bashkëkohor nën vellon e demokracisë?!

Edhe pse, si një sistem politik kaherë i përendur, fashizmi dhe elementet e saja ideologjike, kohën e fundit, gjithnjë e më shumë janë prezente në principet politike dhe praktikën e shumë shteteve bashkëkohore, të cilat, "de fakto", pretendojnë se gjoja ndërtohen nga traditat dhe parimet e mirëfillta demokratike.
Ndoshta do të duket e pabesueshme, por globalizimi dhe një qendër e fortë e sundimit politik dhe ekonomik të nivelit evropian dhe botëror, nuk është ide e kohës moderne. Shtete e sotme të integruara në Evropën e Bashkuar, me një territor pa kufi, valutë dhe ekonomi të integruar, më së pari ka qenë ide dhe synim i parealizuar i fashizmit gjerman të HITLERIT dhe aleatëve të tij gjatë viteve të dyzeta të shekullit të kaluar.

Etimologjikisht nocioni "FASHIZËM" buron nga fjala latini "Fasces" që ka kumtimin e tufës së thuprave apo kallinjve të grurit të bashkuara në një tog, një simbolizëm që figurativisht pasqyron rëndësinë e pacenueshme të bashkësisë kolektive të ndërtimit të shtetit, në raport me individin si faktor minor.


E shprehur edhe figurativisht, këtë domethënie mund ta gjejmë në shumë simbole të fashizmit italian dhe asaj gjerman, në formë të togut të thuprave, togut të kallinjve, etj,. E, sa për kureshtje, ky simbol mund të gjendet edhe në vëllazëritë e ndryshëm të masonerisë me ndikim botorë, veçanërisht të iluminatëve, andaj, nëse do të analizohen me vëmendje simbolet e shumë shteteve të sotme, në to do të hasim në zgjidhje afërsisht të njëjta grafike, e që kanë këtë porosi dhe domethënie.

Në fakt, sot, pa u thelluar realisht në thelbin e vërtetë të saj, sa herë që të përmendet termi FASHIZËM, automatikisht aludohet në Gjermanin e dikurshme naziste dhe politikën e saj të diskriminimit racor, antisemitizmin, likuidimin e pamëshirshëm të kundërshtarëve ideologjik, llogoret dhe Luftën e dytë Botërore.

Bazuar, në faktet se çka ka ndodhur gjatë Luftës së dytë botërore, fashizmi si ideologji shtetformuese, ka qenë dhe gjithnjë do mbetet sinonim i së keqes. Por, edhe pse ajo ishte si një tendencë e dështuar politike, kohën e fundit, fashizmi dhe elementet e saja ideologjike, gjithnjë e më shumë janë prezente në strukturat politike të shumë shteteve bashkëkohore, që në shikim të parë duken si shtete dhe sisteme të një tradite të madhe demokratike.

Që ta kemi të qartë këtë rrezik latent për botën dhe njerëzimin në përgjithësi, unë në këtë rast, do t’ju prezantoj 14 specifiket e përgjithshme të regjimeve FASHISTE, të cilat, në njërën prej eseve të veta të titulluar "A është kush për fashizmin" i ka prezantuar hulumtuesi dhe politologu me renome botërore Dr. Lawrence Bitt.

Deri në diferencimin e këtyre karakteristikave metodike, ai ka arritur duke bërë krahasime me sistemet politike shtetërore të Hitlerit, Musolinit, Frankos, Suhartos, Pinoçetit etj.

Sipas Dr. Lawrences, 14 elemente specifike dhe esenciale të regjimeve shtet formuese fashiste në botë janë:

1. Nacionalizmi i fuqishëm dhe i përhershëm.-Regjimet fashiste gjithnjë synojnë në shfrytëzimin maksimal të sloganeve patriotike dhe nacionale të shprehura në forma të simboleve, muzikës dhe këngëve patriotike etj. Madhërohet dhe glorifikohet shënimi i çdo ngjarje apo festë historike kombëtare, duke u përdorur me të madhe në to, elementet folklorike nacionale: flamujt, stemat, fotografitë dhe simbolet tjera nacionale.

2. Nënvlerësimi i drejtave të njeriut.- Nga frika prej armikut permanent dhe nevojës për siguri, njerëzit që jetojnë në regjimet e ndryshme fashiste, besojnë se në disa raste të rrezikimit të sigurisë nacionale, mund të pranohen edhe kufizime e të drejtave të njeriut. Në emër të këtij rreziku të imponuar nga sistemi, populli i atij shteti, as që do të vërej këto cenime flagrante të drejtave universale, duke lejuar dhe arsyetuar edhe pastrimet e ndryshe etnike, deportimet, ekzekutimet masive, arrestimet e njerëzve dhe mundimet e tyre me metoda më drakoniane. Preteksti i vetëm është se ata, gjoja janë kundërshtar të rrezikshëm të sistemit.

3. Identifikimi i armikut potencial – Në emër të luftës kundër terrorizmit, liberalizimit, socializmit, rrezikut nga pakicat e ndryshme kombëtare, fetare, racore, etj, masat e helmuara me ndjenjën e tepruara të nacionalizmit dhe patriotizmit, e pranojnë këtë rrezik të përbashkët që ju servohet, duke i lejuar sistemit përdorimin e të gjitha metodave si mjete kundër tyre.

4. Ndihma ushtarake – Edhe kur këto shtete ballafaqohen me shumë probleme ekonomike dhe sociale, duke i anashkaluar dhe injoruar nevojat e brendshme ekzistuese reale, ushtrisë nga buxheti, jo proporcionalisht ju akordohen shuma të mëdha financiare. Në prapavijë propagandistike të këtyre veprimeve, ushtria dhe shërbimi ushtarak madhështohen në piedestal.

5. Favorizimi gjinor. Në shtete me elemente të regjimit fashist, më tepër avancohet pozita dhe rëndësia e mashkullit në shoqëri. Një rëndësi e veçantë i jepet edukatës puritane tradicionale, duke ju shpallur një luftë të hapët lëvizjeve të ndryshme feministe. Pamëshirshëm, nën shënjestër vihen devijimeve të ndryshme shoqërore të natyrës seksuale, e veçanërisht homoseksualizmi.

6. Kontrollimi dhe censurimi i mediave masive.- Përmes formave të ndryshme të imponimit, në sistemet fashiste, mediat janë të kontrolluara nga shteti. Në këto raste, format e censurës që zakonisht aplikohen ndaj mediave, mund të ndahen në dy grupe: në grupin e parë hynë censura klasike-direkte, përmes emërimit zyrtar të përfaqësuesit qeveritar si përgjegjës për median e caktuara, dhe e dyta, censurës më të sofistikuar-indirekte, përmes përkrahjes morale dhe financiare të simpatizuesve qeveritar që punojnë në medie: drejtor, kryeredaktor, redaktor, gazetar etj.

7. Opsesioni i përhershëm me sigurinë nacionale.- Qeveritë e këtyre shteteve në opinion gjithnjë manipulojnë me logjikën e imponimit të frikës. Kështu, çfarëdo mase që ndërmarrin në veprimet e veta, i arsyetojnë ato me rrezikimin e interesave nacionale.

8. Religjioni dhe shteti janë të gërshetuara.- Zakonisht tek kjo karakteristikë vërehet një simpati e haptë, bashkëveprim dhe koordinim parimor në mes të qeverisë dhe religjionit, posaçërisht atij religjioni që është më i përhapur dhe me ndikim më të madh tek masat. Në këto raste, në retorikën e politikanëve dhe përfaqësuesve zyrtar shtetëror, vërehet një terminologji më e shprehur religjioze, edhe pse, në princip, parimet esenciale të politikës së tyre, diametralisht janë të kundërta në mes vetiu.

9. Fuqia korporate është e mbrojtur dhe e privilegjuar.- Në sistemet me elemente fashiste të organizimit të pushtetit, industrialistët dhe aristokracia e pasur, janë ata që vendosin për liderët politik që do të vijnë në pushtet, duke krijuar kështu një raport reciprok ndërmjet ekonomisë dhe shtetit. Elita e vërtetë, që vendos në këto raste, gjithnjë qëndron prapa skene dhe, para gjitha rrjedhave shoqërore dhe politike të atij shteti, roli i tyre është kyç.

10. Ngufatja e fuqisë punëtore- Për shtetet me elemente fashiste, punëtorët e organizuar dhe të rreshtuar nëpër organizata të ndryshme sindikale dhe forma tjera të veprimit dhe organizimit profesional, paraqesin një rrezik serioz, andaj, këto veprime të klasës punëtore në atë shoqëri, luftohen dhe eliminohen me të gjitha mjete në dispozicion.

11. Nënvlerësimi i intelektualëve dhe artit të mirëfilltë – Gjëja më e rrezikshme për sistemet fashiste praqet intelektualizmi dhe krijimtaria artistike e mirëfilltë. Nuk është fare jashtë mendje, që në këto shtete dhe regjime, profesorët, akademikët dhe intelektualët tjerë të profileve të ndryshme, t’i vej nën mbikëqyren dhe përcillen e shërbimeve sekrete shtetërore. Pretendimet e tyre parimore për humanizëm, liri të krijimit dhe veprimit, për elitën sunduese të këtyre shteteve, paraqesin një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Shpesh këto sisteme, qëllimisht i zvogëlojnë buxhetet e financimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike, me qëllim të ngufatjes indirekte të shprehjes së liria krijuese intelektuale.

12. Opsesioni me krimin dhe dënimin e saj – Në sistemet me elemente fashiste të ndërtimit të pushtetit, si një segment kyç dhe tejet i rëndësishëm i shoqërisë, konsiderohet policia. Asaj i epen kompetenca të mëdha, si arsyetim, gjoja në emër të zbatimit sa ma efikas të ligjit dhe luftës kundër kriminalitetit. Nga një klimë masive popullore e krijuar që ma parë, masat e gjëra shoqërore, zakonisht kanë tendenca që mos ta vërejnë këtë dhunë policore ku viktimat e saja shpesh janë edhe ata vetë.

13. Korrupsioni – Regjimet fashiste gati gjithnjë janë të udhëhequra nga rrethi i ngushtë i shokëve dhe miqve, andaj, pozitat më të rëndësishme shtetërore ju referohen atyre. Në këto regjime, aspak nuk është e çuditshme që prona shoqërore të tjetërsohet, gjegjësisht të vidhet nga zyrtarët e lartë të saj. Korrupsioni haptas është i shprehur dhe ajo konsiderohet si "fshehtësi publike"

14. Falsifikimi i zgjedhjeve – Edhe pse me kushtetutat e këtyre shteteve, si shprehje e lirë e popullit, formalisht zbatohen zgjedhjet e lira, ato, rreptësisht kontrollohen nga forca politike në pushtet. Kampanjat zgjedhore në këto shtete, gjithnjë përcillen me shantazhe, kërcënime, trillimin e dosjeve të fshehta… e deri tek likuidimet fizike të pretendetëve serioz për pushtet nga opozita politike.

Dhe për fund, unë nuk kisha dhënë asnjë koment, me kusht që, çdonjëri prej nesh, le ta pyes veten se, sa nga këto 14 elemente karakteristike parimore të sistemeve fashiste, ekzistojnë në shtetet e Evropës së sotme dhe botës demokratike në përgjithësi?!!