LAJMI I FUNDIT:

​Falimenton kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, BQK i revokon licencën

​Falimenton kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, BQK i revokon licencën

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) sot ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi ndër vite kjo ndërmarrje ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë, që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga likuidatori dhe BQK-ja, lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Siguruesin në Likuidim “Kosova e Re”.

Me këtë rast, BQK-ja vlerëson se kompanitë e sigurimeve që operojnë në treg kanë shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër të gjitha policat aktive të sigurimit të detyrueshëm të kompanisë “Kosova e Re”, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të riblejnë policat e sigurimit.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti theksoi se bordi ekzekutiv i BQK-së, ka marrë vendim që siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet licenca, pasi që ndër vite kjo kompani ka pasur vështirësi në financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore në fuqi.

“Siguruesi “Kosova e Re”, ndër vite ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguesve – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike. Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, BQK përkatësisht bordi ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes financiare të siguruesit “Kosova e Re”. Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, bordi dhe menaxhmenti i siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë. Në të njëjtën kohë, aksionari i siguruesit “Kosova e Re”, nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi”, theksoi ai.

Mehmeti thotë se me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve, BQK ka marrë vendim për revokimin e licencës.

“Mungesa e gatishmërisë së aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga ligji për BQK-në dhe ligji për sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës këtij siguruesi”, theksoi Mehmeti.

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka treguar për obligimin që ka pasur kjo kompani për të plotësuar kushtet ligjore në fund të qershorit të këtij viti, ka qenë 7.7 milionë euro.

Havolli po ashtu theksoi se industria e sigurimeve ka marrë përsipër policat e sigurimit të detyrueshëm.

“Industria e sigurimeve ka marrë përsipër që policat e sigurimit të detyrueshëm të mos skadojnë pas një muaji nga data e sotme, por ka marrë vendim që do të pranojnë të gjitha dëmet që do të vijnë nga policat aktive që qytetarët të mos dëmtohen dhe të mos detyrohen të blejnë përsëri policë të sigurimeve”, theksoi Havolli.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se në bazë të disa të dhënave të fundit që i kanë, numri total i të punësuarve në këtë ndërmarrje është 140, prej tyre 80 punëtorë dhe 60 agjendë.

Mehmeti tha po ashtu se pjesëmarrja e kësaj kompanie në treg është 5.7 përqind dhe 6 për qind të primit të kontaktuar. Kompania “Kosova e Re” është në pronësi të një kompanie në Ferizaj./kp/Telegrafi/