LAJMI I FUNDIT:

Faleminderit bashkëqytetarë!

Faleminderit bashkëqytetarë!

Ka shumë çështje për të protestuar në Kosovën tonë. Ka shumë që nuk pajtohen me çka po bëhet dhe çka nuk po bëhet në vendin tonë.
Këta mijëra njerëz, të cilët nuk pajtohen me qindra probleme që u kanë marrë frymën, kanë nevojë për zë, për platformë dhe për dinjitet.

Protesta e opozitarëve të regjimit të shtunën, bëri bashkë patriotët e këtij vendi, që kundërshtojnë mashtrimin, vjedhjen, grabitjen, krimin. Këtu mashtrimi e vjedhja janë ulur këmbëkryq.


Ky regjim i ka bërë mënyrë jetese, pjesë të përditshmërisë. Shpronëson dhjetëra familje nga mijëra hektarë tokë në kuadër të “demarkacionit” dhe nuk pranon kurrfarë përgjegjësie. Me taksa të kosovarëve endet me vite në Bruksel për të na lënë në derë një kalë jo Troje por Serb, siç është Asociacioni i Komunave.

Përvetëson prona publike, e përvetëson pa pikën e marres punën e të tjerëve. Qeveria është turrur të kafshojë një pjesë nga suksesi i federatës kosovare të futbollit. Njëri politikan kërkon merita për anëtarësimet në UEFA e FIFA për çka kabineti që ai drejton nuk ka kurrfarë kontributi, kurse tjetri vazhdon e flet edhe pas tre vitesh mosveprimi për një stadium fantazmë.

Nëse ne e patëm këtë sukses në futboll, merita është plotësisht e mijëra futbollistëve dhe punëtorëve sportiv të cilët e mbajtën gjallë idenë e futbollit përkundër kushteve jashtëzakonisht të vështira ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Këtyre ditëve kanë qarkulluar në internet foto të skuadrave kosovare ndër vite. Ata djem janë heronj! Kolegët e tyre nëpër botë fitonin miliona duke luajtur në stadiume dhe kushte fantastike, kurse ata laheshin bregut lumit pas lojës dhe arnonin fanellat sportive për herën e ardhshme.

Fadil Vokrri dhe bashkëpunëtorët e tij në Federatë nuk do të konfrontohen për shkak të konsideratës ndaj politikanëve arrogantë, sepse janë fisnikë e tolerantë. Suksesi i tyre flet vet. Mjafton madhështia e tyre e heshtur, për t’iu nxjerrë çka në të vërtetë jeni: të vegjël dhe profiterë.

Të vegjël e profiterë ju shohim të gjithë, përveç se ju vetveten.

Lexojeni siç duhet protestën tonë të së shtunës. Keqdashjes tuaj ne i kundërvihemi me pjesëmarrje të qetë e dinjitoze. Vogëlsinë tuaj ne e gjykojmë dhe e dënojmë me rezistencë masive.

Ne jemi e kundërta juaj. Ne nuk do përdorim të keqen për të mposhtur të keqen. Konfrontimi dhe dhuna nuk janë rruga jonë sepse e dimë se e keqja shumëfishon veten dhe dëmton për një kohë të gjatë kompaktësinë e shoqërisë. Kjo duhet të jetë e qartë për krejt ata që merren me politikë!

Ky vend e ky popull nuk ka nevojë për të tjerë të ngjashëm me ju, por për të kundërt me ju.

Falënderim për mbështetësit tanë që e kuptuan siç duhet mesazhin dhe vizionin si dhe punuan që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Falënderim simpatizantëve, anëtarëve dhe drejtuesve në degët e AAK-së kudo nëpër komuna.

Qytetaria është hapësirë, ekonomi, mendësi kolektive. Me veprime të qytetëruara dhe aksione të vendosura politike ne ndërtojmë vlerat që i duhen shoqërisë sonë për ta afruar Kosovën me Evropën Perëndimore dhe vlerat e lirës, demokracisë, respektit për jetën, pronën dhe dinjitetin e secilit shtetas.

Bashkëqytetarë, ne ju falënderojmë dhe ju mirëpresim!