LAJMI I FUNDIT:

“Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”

“Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”

Aleks Luarasi

Punimi i autorit Agron Alibali, “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati” (Argeta LMG, Tiranë, 2016) është pëlqyer nga lexuesit e shumtë të letërsisë biografike dhe dokumentare. Konfirmim i këtij suksesi ishte edhe çmimi i fituar në panairin e librit “Tirana 2017”, që u zhvillua gjatë muajit nëntor të këtij viti.


Faik Konica është një nga personalitetet madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, të pavarësisë dhe të shtetit shqiptar, deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, me kontribute të shumanshme si politikan, shkrimtar, publicist, diplomat etj. Si e tillë, figura e F. Konicës ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve për të ndriçuar pamje të ndryshme të këtij personaliteti poliedrik dhe historik.

Punimi i studiuesit Agron Alibali hedh dritë në mënyrë të veçantë mbi veprimtarinë diplomatike të F. Konicës, si i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA nga v. 1926 deri në 1939, por nuk kufizohet vetëm me kaq.

Veprimtaria diplomatike e personazhit kryesor krijon lidhje pune me qeverinë shqiptare të kryesuar nga A.Zogu, si president deri në vitin 1928 dhe monark deri në vitin 1939, me dikasteret e ndryshme të kësaj qeverie, veçanërisht me MPJ, me autoritetet shtetërore të SHBA dhe me trupin diplomatik të akredituar në atë vend.

Punimi përmban një galeri të tërë personazhesh nga radhët e diasporës në Federatën Panshqiptare “Vatra”, pasqyron mosmarrëveshjet midis përkrahësve të qeverisë së A. Zogut dhe kundërshtarëve të saj fanolistë, kontradiktat e F. Konicës me Fan.S.Nolin, kur ai endej në Evropë dhe shkruante poezinë “Anës lumenjve”, si dhe me vonë, kur u rikthye në SHBA.

Vepra është rezultat i një pune kërkimore shumë të gjatë, i konsultimit me dokumente arkivore në Shqipëri, në SHBA, në disa vende të Evropës, si dhe me një literaturë shumë të pasur.

Gjatë kësaj pune kërkimore autori ka bërë të paktën dy gjetje të rëndësishme, sikurse është dosja e praktikës diplomatike në SHBA, zbuluar në arkivin e MPJ të Italisë, në bashkëpunim me prof. Pëllumb Xhufin, si dhe gjetja e një pjese të vogël të bibliotekës personale të F. Konicës, të cilën e solli dhe e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Për jetën dhe veprën e F. Konicës është shkruar gjerësisht në shtypin tonë letrar dhe shkencor, duke ndriçuar më shumë veprimtarinë e tij si shkrimtar dhe publicist dhe më pak atë si diplomat.

F. Konica shërbeu në SHBA rreth 13 vjet, nga v. 1926– 1939, pas rikthimit të A.Zogut në Shqipëri. Punimi i autorit e plotëson këtë boshllëk në mënyrë të kënaqshme dhe përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të historisë së shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri.

Kjo veprimtari diplomatike dhe juridike pasqyrohet në të gjithë punimin e autorit, por në mënyrë të veçantë gjen vend në pjesën e katërt me titull “Zhvillime diplomatike – juridike” dhe në pjesën e shtatë, ku flitet për botëkuptimin kushtetues të F. Konicës.

1. F. Konica si diplomat ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në periudhën midis dy luftërave botërore, për njohjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këtë vend të largët.

Një nga arritjet e Konicës si ministër fuqiplotë ishte lidhja e disa traktateve dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA, si Traktati i Natyralizimit, ai i Ekstradimit, i Arbitrimit etj.

F. Konica si diplomat ndikoi nga SHBA-të edhe në zhvillimin e marrëdhënieve me Italinë, që ishte një nga preferencat e A. Zogut.

F. Konica ka treguar vëmendje gjithashtu për marrëdhëniet me Greqinë, për çështjen çame, si dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Autori i punimit ndalet dhe analizon disa çështje konkrete të marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës dhe i sheh zhvillimet e kësaj periudhe nëpërmjet veprimtarisë së përfaqësisë diplomatike në SHBA.

Misioni i F.Konicës në SHBA mori fund me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Pas kësaj, ai u rikthye në drejtimin e “Vatrës”.

2. Një pjesë e rëndësishme dhe shumë interesante e punimit është ajo që i kushtohet botëkuptimit kushtetues të F.Konices, e cila trajtohet për herë të parë në shkencat historiko–juridike.

Në këto faqe të veprës e shohim F.Konicën si një nga ideologët e shtetit shqiptar. Kultura e gjerë e ndihmonte të orientohej në fusha jo aq të njohura për atë, sikurse ishin filozofia e së drejtës apo historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri. Mirëpo atje ku hynte, Konica do të shkëlqente patjetër.

Autori i punimit ndalet dhe vë në dukje gjykimet e mprehta e të sakta të F.Konicës për etapat e ndryshme të shtetit iliro–shqiptar, që nga kohët e lashta si, Mbretëria e Bardhylit, deri në mesjete. Një vëmendje të veçantë i kushton shtetit autonom të Ali Pashë Tepelenës, përpjekjeve për pavarësi në periudhën e Rilindjes Kombëtare, qeverisë së I. Qemalit, të drejtës zakonore shqiptare, etj.

F. Konica hedh vështrimin te përvoja kontinentale dhe anglosaksone për të gjetur modelin më të mirë të legjislacionit shqiptar. Autori zbulon disa nga parimet themelore kushtetuese të F.Konicës, si parimi i lirisë dhe i demokracisë, të cilat duhet të jenë “feja dhe ideali i Shqipërisë moderne”. Konica parashtron pikëpamjet e tij për sistemin e qeverisjes, për qeverisjen vendore dhe marrëdhëniet me pushtetin qendror.

Përvoja e gjatë në shërbimin diplomatik i jep mundësi Konicës të japë mendime dhe gjykime për të drejtën ndërkombëtare.

Njohja e shumë gjuhëve të huaja i jep mundësi të japë mendime dhe vlerësime të sakta për terminologjinë juridike në gjuhën shqipe.

Punimi i autorit Agron Alibali është shkruar në mënyrë tërheqëse, lexohet me kënaqësi dhe ka sharmin e një vepre letraro-artistike, ndonëse është një vepër e mirëfilltë shkencore. Kjo, për arsye se vepra ka një subjekt që zhvillohet nga faqja në faqe, ka personazhe reale, historike, përmban intrigë, dramë dhe fate njerëzish që gërshetohen me fatet e kombit.

Punimi është një shkrim i historisë sipas kritereve bashkëkohore; nuk ka paragjykime ideologjike, personazhe bardhe e zi, pozitive dhe negative; ka vetëm një kriter: pasqyrimin e realitetit me vërtetësi dhe në mënyrë objektive, aq sa flasin burimet historike; atje ku dokumenti hesht, hesht edhe autori.

Gjuha e autorit të këtij punimi është shqipja standarde dhe krejtësisht korrekte; ndonëse flitet për një veprimtari shtetërore dhe diplomatike, nuk ka asnjë shenjë të zyrtarizmit; përkundrazi ajo është një gjuhë e njomë, e pasur dhe një stil i këndshëm, plot figura artistike.

Kuptohet se personazhi kryesor i kësaj vepre është vetë F. Konica. Qysh nga titulli i punimit “Dritëhijet e një diplomati” lexuesi paralajmërohet për një personazh sa të kompletuar, aq edhe të komplikuar.

Dihet se F. Konica ka qenë një personalitet kompleks dhe kontrovers. Aristokrat i lindur nga origjina, jashtëzakonisht i aftë dhe i pajisur me një kulturë evropiane, zotëronte rreth 12 gjuhë të huaja, me një kontribut të shquar si rilindës, një nga themeluesit dhe drejtuesit e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe i gazetës “Dielli”, diplomat i një vendi të vogël e të panjohur, i cili “vezullonte” në Uashington me sharmin dhe aftësitë e tij personale, sikurse shkruante shtypi i kohës në SHBA.

Në të njëjtën kohë, si diplomat ai ushtroi një lloj veprimtarie përçarëse te shqiptarët e Amerikës dhe e denoncoi Nolin padrejtësisht si “bolshevik” tek organet hetimore amerikane, pa ia kërkuar njeri.

F. Konica qysh në fillim e ngriti selinë e misionit diplomatik në një hotel të shtrenjtë në Uashington, vazhdimisht kërkonte të holla nga shteti shqiptar për të mbuluar shpenzimet e misionit, por edhe jetesën, sikurse ia kërkonte rangu prej diplomati dhe aristokrati, nuk e kishte fort për zemër kontrollin financiar mbi të ardhurat dhe shpenzimet e misionit, etj. Të gjitha këto teprime mund t’i quajmë trille të një aristokrati.

Sidoqoftë, në fund mund të dalë një pikëpyetje nga ana etike, bëri mirë apo bëri keq që pranoi detyrën e diplomatit në shërbim të A. Zogut, që e kishte pasur kundërshtar politik? Dihen vargjet e Nolit, që e dënonin këtë kompromis. Cili ishte motivi i vërtetë i F.Konicës, t’i shërbente shtetit shqiptar me aftësitë e tij të njohura, siguronte një jetesë dinjitoze në Uashington apo të dyja së bashku? Motivet nuk gjenden asnjëherë qartë në burimet historike, më shumë merren me mend dhe gjithmonë mbeten hipoteza.

Denoncimi i Nolit – përfshihet padyshim te “hijet” e tij. Për të tjerat mund të diskutohet.

Pranimi i detyrës së ambasadorit të Shqipërisë në SHBA mund të shihet si një shërbim ndaj Shqipërisë, jo ndaj kryetarit të shtetit, si një pranim i pikëpamjes mbi ambasadorët jo politike, një debat që bëhet edhe në ditët tona.

Nga fundi i jetës së F. Konicës, dy protagonistët e mëdhenj të historisë gjetën paqen ndërmjet tyre, bashkëpunuan për të mirën e Shqipërisë dhe janë së bashku në Panteon. Noli mbajti fjalimin e lamtumirës për F.Konicën në vitin 1942 dhe theksoi vetëm anët e ndritshme të tij.

Me këtë punim dinjitoz, autori Agron Alibali prezantohet si një kërkues shkencor i formuar plotësisht në fushën e shkencave historike dhe juridike. Vepra duhet lexuar për të shijuar nga afër e në mënyrë të plotë të gjitha vlerat e saj.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori