LAJMI I FUNDIT:

Evropa federale dhe modeli gjerman

Nga takimi i fundit i shefave të shteteve të UE-së në Bruksel, Evropa mori rrugën drejt shndërrimit të saj në një tip të federatës sipas modelit gjerman. Politika gjermane e mbështetur nga ajo franceze, këmbëngulse dhe jo pa arrogancën tipike të të fuqishmëve, u tregua e suksesshme në Bruksel, duke i hapur rrugë integrimit më të thellë e më përmbajtsor. Pa këtë pakt stabiliteti që u arrit, ekzistonte mundësia që gjithë Evropa të përfshihet nga sindromi grek i krizës.

Pas takimit maratonik dhe për shumëçka historik të së premtes në Bruksel, shumë pyetje megjithatë mbesin të hapura. A po e shpijnë Gjermania dhe Franca Unionin Evropian në shtegun më të mirë të mundshëm të shpëtimit dhe prosperimit? A po fillon procesi i federalizimit të Unionit në lëmin e politikave fiskale për të vazhduar tutje në fushat tjera?


Momenti që po kalojmë e bënë të vështirë, për të mos thënë tejet të komplikuar, përgjigjen definitive. Sidoqoftë dy liderët e boshtit të fuqishëm të Evropës sollën në Bruksel një plan të studiuar mirë, që mund të mos ketë efekt në rrafshin afatshkurtër, ndërkaq në plan afatgjatë do të rezultojë si më i miri i mundshëm.

Pyetja e parë që po parashtrohet në trajtë refleksioni politik, pas takimit historik të javës që lamë pas, është: A mund të themi se euro ka shpëtuar? Përgjigja na vjen e menjëhershme nga ekspertët e fushës: jo. Në pyetjen e dytë të pashmangshme, e që ndërlidhet me të parën, se a po e shpjerë Merkel dhe Sarkosy Evropën në drejtimin e duhur? Përgjigja duket edhe më e komplikuar. Sidoqoftë, edhe euroskeptikët e pranojnë se Evropa nuk kishte rrugë të ndërmjetme. Ajo ose duhej të çante tutje përpara, duke thelluar kursin e integrimit edhe në lëmin politik, e që e shpie atë drejt një federate të tipit gjerman, ose duhej të pajtohej me shpërbërjen dhe humbjen e garës në rrafshin strategjik global, duke u rikthyer në Evropën e shekullit XIX/të.

Dyshimet e bazuara kryesisht në domenin historik, po krijonin një opinion tejet të dëmshëm për vet procesin nëpër të cilin po kalon Evropa. Gjithë ky proces dyshimi, ishte krijuar meqë, sipas një lagjeje të medias gjithandej në Evropën Perëndimore dhe atë Qendrore, kishte zënë vend gjykimi se Gjermania tashmë ka tejkaluar postulatin politik të vitit të kthesës historike që shënjonte ribashkimin e saj (1989), kur proklamohej ideja e krijimit të një Gjermanie evropiane. Madje, sipas kësaj “shkolle mendimi”, Gjermania ndodhet në prag të përmbysjes së këtij orientimi bazë, duke mëtuar që ta shfrytëzoj krizë n dhe ta filloj gjermanizimin e Evropës. Ky ishte alarmi që po merrte dhenë, ndërkaq pas deklaratës plotë bujë të ministrit të jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, tek po grishte Gjermaninë që të bëjë ç’mos që të mos dyshtonte në përpjekjet për t’ju shmangur rolit prijës në fushën e reformave, por pa pretenduar që të dominojë, lidershipi gjerman sikur u përmend. Ndërkaq deklarata pasuese e jashtëzakonshme e Sikorskit se, ai është i pari ministër i jashtëm polak në historinë e Polonisë që po shprehej kështu kaq hapur, fare qartë dhe publikisht, se i frikësohet më pak fuqisë gjermane, por se ka filluar të trishtohet më shumë nga mosveprimi gjerman, nuk kishte kaluar pa u analizuar në tërë kompleksitetin që ngërthente ajo në këto qaste historike nëpër të cilat po kalon Unioni Evropian.

Kështu disi pëshpëritej gjithandej në kuluaret diplomatike e politike evropiane gjatë tërë periudhës sa Gjermania po hezitonte të hidhej në veprim për shpëtimin e Projektit të përbashkët që ndërlidhet me euron dhe vet Unionin Evropian dhe derisa i bënte presione Greqisë për të disiplinuar politikat financiare dhe për të marrë masa shtrënguese kursimi.

Pikërisht, në këto çaste, tek po shtoheshin dyshimet për rikthim të Gjermanisë tek kolovajza që tundet sërish duke u thirrur në interesat e ngushta nacionale (siç bëri Britania e Madhe ), një kolos i mendimit politik gjerman, Helmut Shmit (Helmut Schmidt), duke ndjerë të rrahurat e shqetësuara të orës evropiane, pavarësisht se në moshë fare të shtyrë, hedh 93 vjetët prapa supeve dhe sërish angazhohet që ta ndihmoj klasën politike gjermane duke i dhënë shtysë në drejtimin e duhur, tek potencon zëshëm se, ajo nuk do të duhej assesi që ta humbiste orientimin dhe të bie në kurthin e egoizmit nacional. Ndërkaq në një forum me socialdemokratët gjerman nuk ngurron të përcjell tutje edhe një mesazh shtesë për kancelaren gjermane, duke i preferuar që të mos sinjalizoi se pretendon madje as rolin “Primus inter pares”.

Themeluesit e këtij Unioni si e njohim sot, Robert Schuman-i e Jean Monnet, kishin si qëllim të krijonin Evropën politike. Madje ata do të donin që ky proces të filloi së sendërtuari fill pas rënies së Murit të Berlinit. Por pavarësisht se ky vullnet për një Evropë federale do të gjejë hapësirë pothuajse në të gjithë traktatet pasuese: në Traktatin e Amsterdamit (1997), atë të Nisës (2001), ndërkaq në Traktatin e Lisbonës (2007), ai nuk do të kurorëzohet me aktin e themelimit të Evropës politike. Dhe kjo nuk do të ndodhë, meqë qeveritë konservatore po ushqenin vetëkënaqësi duke u mjaftuar me Evropën ekonomike.

Shpërthimi i krizës financiare në Greqi dhe mundësia e përhapjes së shpejtë të saj gjithandej brenda zonës së euros dhe më gjerë, ua bëri fare të qartë jo vetëm Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera të BE/së, po edhe qeverive nacionale më konservatore, se në natën mes 8 dhe 9 dhjetorit (2011) ata duhej të merrnin vendim historik, që do të nënkuptonte edhe hapjen e perspektivës për thellim të kursit integrues, qoftë edhe duke u pajtuar me skenarin tashmë të njohur të Evropës së dy shpejtësive, respektivisht projektit për Bërthamën e Evropës dhe periferisë së saj.

Ky kurs i ri politik u reflektua qartë edhe në raport me qëndrimin e Brukselit ndaj Serbisë, duke ia bërë të ditur Beogradit se po përfundon koha e lojërave të dyfishte të saj ndaj Republikës së Kosovës.