LAJMI I FUNDIT:

Evoluimi interesant!

Dikur shumë gjëra ishin ndryshe. E di, është në natyrën e njeriut të kërkojë gjënë e humbur dhe ta dojë atë më shumë se atë që ka. Por, ajo për të cilën sot po shkruaj është jo kërkimi i të humburës, nostalgjia për të, por zhgënjimi dhe dëshpërimi i thellë me atë që po kultivojmë, që pranojmë për sistem rregullash morale, njerëzore… për atë që kemi.

Sot shkruaj edhe për një arsye tjetër: shkrimi më është zgjedhja më e mirë! Po të flas – sot s’dëgjon kush! Po kërkova – sot askush s’e përfillë kërkesën! Të këndoj – s’di! Po bërtita – do të më quanin të çmendur! Prandaj… shkruaj.


Tek ne, sot s’po dihet çfarë është duke ndodhur. Madje as që është ditur ndonjëherë (nga ne). Tek ne, sot për sot, vlerë quhet gjithçka pos asaj që në të vërtetë nënkupton vlera. Tek ne, sot termi modë, risi, nënkupton lakuriqësinë, amoralitetin, seksin në publik (rrugë, restorant, stacion, bibliotekë, fakultet e ku tjetër), homoseksualizmin, lesbizmin, stërmbushje e trupit me tatuazhe, deformimet trupore si shqyerja e lapave të veshit, flakjen e prindërve në rrugë dhe çdo gjë tjetër jotradicionale.
Ndërsa, primitivizëm sot tek ne quhet gjithçka që në vete ngërthen vlerë si respektimi i prindërve, turpi, humanizmi, vlerat tjera morale etj.

Sa e çuditshme është kjo sjellje tregon vetëm historia. Shkalla e njerëzve primitivë vallë paskëshin qenë më të modernizuar se ne, pasi ata sigurisht se do të kenë qenë krejt lakuriq.

Sot për sot është bërë aq e vështirë të jetosh sa të jetosh sot është sfida më e madhe dhe më e vështirë. Zaten edhe disa nuk po mund ta tejkalojnë këtë sfidë dhe po përfundojnë me vetëvrasje.

Sot për sot është bërë shumë e vështirë të jetosh nga vjedhja, korrupsioni, tradhtia, mashtrimi, rrena etj., cilësi këto që janë bërë normale për njerëzit e kohës sonë.

Nuk është për t’u çuditur me njerëzit pse dikur, kur nuk i njihnin (kishin) këto cilësi, ishin ndryshe, dhe jo vetëm nga cilësitë, por edhe nga dukja. E thotë edhe ai shkrimtari e teoriku i njohur italian Eko, se njëherë e një kohë burrat ishin të pashëm e të gjatë si lisa (tani janë çunakë e xhuxhë), por ky fakt është vetëm një ndër shumë të tjerë që dëshmon për mjerimin e kësaj bote që po plaket.

Dikur të rinjtë dëshironin aq shumë të mësonin shkencë e të tjera lëmi. Sot ata urrejnë mësimin e shkencave. S’është çudi pastaj pse sot gjithçka është aktrim, maskim, manipulim.

Sot, tek ne, prijës mund të bëhet gjithkush. Mjafton të jetë i verbër (para padrejtësive) dhe i shurdhët (pranë kërkesave).

Sot, tek ne, të rinjtë janë të lirë krejtësisht. Madje edhe të ekstremizohen, vandalizohen, shajnë e ofendojnë, blasfemojnë dhe asnjëra nga këto nuk i bënë të dënuar ata. Shkruajnë e shkarravisin mure e objekte, shajnë e ofendojnë komb e fe, kanë karakter të metamorfizuar, të lakueshëm sipas dëshirës dhe nevojës, paçka se s’janë fajtorë. Prandaj, çdo ditë e më shumë po shkojmë drejt “suksesit”, “piedestaleve”, dhe Përplasjes së Madhe.

Ashtu siç e thotë edhe ai teoriku i lartëcekur, Eko, është e çuditshme se kjo plakje e botës nuk po ndodh vetëm me ne, njerëzit. Njësoj po ngjan edhe me shpezë. Sot, zogjtë lëshohen në hapësirë ende pa i hapur mirë krahët, dhe kështu, mbi gjysma e tyre takohen me vdekjen para se të takohen me qiellin. Sot, teksa pëllet gomari, delet hedhin valle, duke e pasur ujkun në mes, si dasmorët dhëndrin e nusen. Sot, edhe macja fle me miun në një shtrat, edhe kur moti është i nxehtë.

Sot për sot tek ne gjithçka i është shmangur rrugës së vetë. Gjithçka ka dalë jashtë binarëve. Demokraci quhet gjithçka pos të drejtës për të shprehur mendimin lirshëm, për ta shkruar e lexuar, për të ecur e shëtitur, për të mësuar e “krye e këput – për të jetuar”. Sot tek ne gjithkujt i takon të flas për një problem, pos atij që i ka ndodhur problem. Sot tek ne gjithkujt i takon të vendosë për një çështje që s’ka të bëjë me të, e nëse ka të bëjë me të atëherë ai s’ka të drejtë vote. Sot tek ne jeta e dikujt është jeta e çdokujt, apo e “dikujt tjetër”.

Sot tek ne, të moshuarve, pensionistëve, në vend se t’u ofrohen vende të qeta takimi e pushimi, u mbyllen e u ofrohen klube nate. Thonë: “I duam “in”.

Sot për sot tek ne kush s’po ka indinjatë të thotë që kështu si ia kemi nisur s’i dilet në krye. Edhe nëse dikush do ta thoshte, mundësia e tij për ta thënë prapë do të jetë inekzistente.

Për të folur në këtë plan është shumë, por, siç edhe e thamë shpesh, sot për sot mjafton me kaq. Shpresoj që kjo traditë të mos vazhdojë, ngase, kurdoqoftë, jeta do të na ndëshkojë ashpër. Por, prapëseprapë ia vlen të presim, të shpresojmë e jetojmë, ngase jeta është mundësia më e mirë (e vetme) e përmirësimit (të gabimeve).