LAJMI I FUNDIT:

Evoluimi i trupit të njeriut në të ardhmen

Evoluimi i trupit të njeriut në të ardhmen

Nuk do ta ndieni më nevojën e një "shkopi magjik" për të parashikuar të ardhmen tuaj. Tashmë shkenca i paraprin gjithçkaje. Ja si do të ndryshojë trupi femëror pas pak vitesh...

Objektivi i shkencëtarëve dhe studiuesve nuk është të ndalojnë plakjen, por të studiojnë shkaqet që çojnë në rrënimin progresiv të organizmit e që më pas të mund t‘i luftojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kujdes nga femrat! Nëse në shekullin XXI ndryshimet ekonomike dhe shkencore u kanë dhënë atyre mundësinë e kontrollit mbi punën, familjen, lindjen e fëmijëve, në të ardhmen ato premtojnë të bëhen të pavdekshme. Sot, një femër jeton mesatarisht deri në 80 vjet. Por vitet e fundit të jetës së saj, përveç plakjes, fillojnë të errësohen nga sëmundje të shumta si: zemra, kockat, kanceri e të tjera simptoma.


Sot, shkenca premton më shumë për to. "Ndoshta femrat nuk do të mund të arrijnë të fluturojnë si zogj, por do të mund të bëjnë shumë gjëra të tjera", pohon një profesor në Universitetin e Nju Jorkut. Ndryshimet për të do të jenë dramatike e madje, në një kohë rekord e shumë të afërt. Një grua që sot është në të 30-at e saj, do të mund të përfitojë nga kërkimet që po zhvillohen aktualisht. Por për zhvillimet e shkencës dhe gjenetikës që do të zgjasin jetën tonë, ka gjithmonë një çmim për t‘u paguar. Një filozofe e famshme, e cila merret me studimin dhe historinë e evoluimit të psikologjisë femërore, beson se femrat do të përballen me pengesa pothuajse të pakapërcyeshme, sidomos, kur një version sintetik i testosteronit, hormonit mashkullor, do të dalë në shitje në farmacitë e të gjithë botës. Hormoni sintetik, i cili për momentin po prodhohet e provohet në laboratorët e Amerikës Veriore, do të përdoret nga meshkujt që të forcojnë fizikun dhe potencën e tyre seksuale. "Shumë pak burra do t‘i rezistojnë tundimit për të mos e blerë këtë hormon në farmaci, sepse do të dëshirojnë sërish të ndiejnë rininë e fuqisë së tyre dhe të jenë konkurrentë të fortë, të freskët dhe krijues në ekonominë e tregut", tregon filozofja. Niveli i testosteronit te meshkujt fillon të zvogëlohet gradualisht që kur këto të fundit kapërcejnë të 20-at. Rënia e këtij niveli, i bën më shumë të arsyeshëm dhe më pak agresivë meshkujt. "Por, nëse ata do të fryhen çdo ditë me testosteron, atëherë bota parashikohet të jetë shumë agresive: një fuqi e jashtëzakonshme seksuale do t‘i bëjë femrat të ndihen më të sulmuara e më të vetmuara. Meshkujt, të udhëhequr nga dëshira seksuale, nuk do të kërkojnë më marrëdhënie afatgjata. Ato do të jenë gjithnjë në kërkim të partnereve të reja, me fuqi të pashfrytëzuara seksuale. Pra, në një farë mënyre, femrat rrezikojnë specien e tyre. Nuk jemi shumë larg krijimit të një gruaje artificiale që mund të riprodhojë, ose të kafshëve, që mund të luajë rolin e nënës ndihmëse, që mund të mbajë një fëmijë në vendin tonë. Pak nga pak, gjithë procesi i lindjes së një fëmije po bëhet aq teknik, saqë as lindja nuk do të jetë më privilegj i gruas. Vetëm 10 vjet më parë do të qeshja me këto gjëra dhe do të thosha se ky është thjesht një film fantashkencor. Por, nuk mund të qesh dot më me këto që po them vetë", vazhdon ajo.

Në fakt, do të jetë shumë e vështirë të përballesh me zhvillimet e pabesueshme që na ofron e nesërmja. Disa gjëra mund të jenë të pashmangshme, por për sa i përket formës së trupit, të ardhmen e kemi në duart tona.

Kanceri

Kanceri i gjoksit, vezores ose trurit, do të zvogëlohen ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Kërkimet gjenetike tregojnë se së afërmi kanceri i vezoreve do të zhduket fare, sipas një terapie të posaçme. Gjithashtu, po shpiket një vaksinë që do të eliminojë mundësinë e zhvillimit të ndonjë tumori në tru.

Menopauza

Brenda pesë vitesh, studiuesit e hormonit femëror, estrogjenit, do të jenë në gjendje të kontrollojnë dhe eliminojnë gjithë ndryshimet që shkaktohen nga menopauza në trupin femëror. Një doktor profesor i specializuar në Boston, tregon se shkencëtarët janë duke prodhuar versionin sintetik të hormonit estrogjen. Ky lloj hormoni ka edhe një përparësi ndaj hormonit natyror, pasi ai do të parandalojë estrogjenin që të mbjellë ndonjë tumor në gjoks, ose në pjesë të tjera të organizmit femëror. Ky hormon do të përmirësojë gjithashtu në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e gjakut, funksionimin e koronareve dhe do të parandalojë zhvillimin e arteriosklerozës.

Sëmundja e kockave

Poroziteti kockor prek një në tri gra, pasi ato kalojnë menopauzën. Mjekët tregojnë se dobësimi i kockave do të parandalohet nga prodhimi i një hormoni paratiroi, (që organizmi ynë e prodhon me pakicë në mënyrë natyrore). Shtimi i këtij hormoni do t‘u lejojë grave të mos pësojnë asnjë humbje apo dobësim të sistemit kockor. Gjithashtu, në prodhim janë edhe ilaçe të reja që parandalojnë sëmundjet tashmë të njohura si reumatizma dhe artriti.

Depresioni

Femrat vuajnë nga depresioni shumë më tepër sesa meshkujt, por së shpejti ato do të përfitojnë nga prodhimi i ilaçeve të reja kundër depresionit. Serotonina është përbërësi kryesor i këtyre ilaçeve. Gjithashtu, njerëzit me një predispozicion gjenetik për të qenë depresivë do të kenë një sistem të veçantë mbrojtës të bazuar në ilaçe. Një tjetër zhvillim në betejën kundër depresionit, çrregullimeve në gjumë është edhe stimulimi i një hormoni që ndikon në hemisferën e majtë të trurit, duke shtuar kështu emocionet pozitive dhe duke zvogëluar aktivitetin e hemisferës së djathtë ku është edhe baza e ankthit dhe stresit.

Kujtesa

Edhe kjo do të përmirësohet ndjeshëm. Në Universitetin e Kalifornisë, aktualisht po testohen disa ilaçe të veçanta që do të parandalojnë rënien e kujtesës me kalimin e moshës. Këto testime janë bërë te një grup pensionistësh dhe është vënë re se pas marrjes së këtyre ilaçeve, kujtesa e tyre mund të barazohej me atë të një 19-vjeçari.

"Çmimi" për shëndetin

Ana më e keqe e këtij zhvillimi është kostoja. Çmimet e ilaçeve që do të krijohen në bazë zhvillimeve më të fundit shkencore dhe gjenetike do të jenë shumë të larta. Ndonëse në të gjithë botën ekzistojnë organizma që kontrollojnë çmimet e produkteve mjekësore, do të ekzistojnë sërish njerëz të pasur që do të paguajnë për të jetuar më gjatë dhe në formë të përsosur.

Evoluimi i ilaçeve

Në vitin 2050, kanceri dhe sëmundjet e zemrës do të kurohen shumë lehtë dhe shumë rrallë pritet të ndodhë përparimi i këtyre sëmundjeve. Ndërsa vaksinat e reja me ADN do të marrin nën kontroll edhe përparimin e AIDS-it. Ilaçet do të ndahen sipas specifikave gjenetike, duke shmangur kështu efektet anësore. Jeta njerëzore do të zgjatet dhe do të arrijë mesatarisht 93 vjet. Mosha ecën, jeta zgjatet.

Jetëgjatësia është arritje e madhe e historisë demografike në shekullin e XXI. Jetëgjatësia e femrave do të dyfishohet sipas kërkimeve shkencore dhe do të arrijë deri në 120 vjeç. Gjithashtu, edhe në përmasat e formave femërore do të ketë një rritje prej 30%, ndërsa në vitin 2050 numri i njerëzve që kalojnë moshën 85 vjeç do të trefishohet krahasuar me kohën tonë. Si rezultat i kërkimeve mjekësore, ushtrimeve fizike dhe ushqimeve të shëndetshme femrat do të bëhen më aktive. Por do të ketë edhe zhvillime të dukshme në përpjekjet njerëzore për të ngadalësuar procesin e plakjes.

E ardhmja

Meqenëse sëmundjet do të kurohen pothuajse të gjitha, format më të zakonshme të vdekjes do të bëhen ose aksidentet ose traumat. Dhuna kundër grave në të gjithë botën do të vazhdojë në mënyra dhe rrugë më të "kompjuterizuara". Por sërish do të vazhdojë të sundojë mbi to dhuna shtëpiake, trafikimi i grave dhe vajzave, si dhe përdhunimi i tyre, sidomos gjatë konflikteve të armatosura. Prishja e familjes dhe shkatërrimi në çift do të vazhdojë gjatë. Në brezat e fundit numri i ndarjeve është rritur në mënyrë alarmante. Deri në vitin 2008 më pak se gjysma e popullsisë femërore do të martohet, ndërsa divorci i pret pas një kohe të shkurtër bashkëjetese. Rreziku kryesor për femrat në vitet e ardhshme mbetet vetmia e shkaktuar nga ndarja ose vdekja e partnerit. Vetëm një e treta e grave nga 25-34 vjeç do të martohen deri në vitin 2011, ndërsa numri i prindërve beqarë do të trefishohet, pra fëmijë që do të rriten vetëm nga nëna ose babai, por kryesisht nga nënat. /shqip/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori