LAJMI I FUNDIT:

Epitafi 1730!

Epitafi 1730!

Drilon Hyseni

Shpirtrat e tretur, që ne shpesh i quajmë të pagjeturit, vazhdojnë të jenë shqetësimi ynë më i madh qytetar e kombëtar. Këta shpirtra 1730, e me mijëra të tjerë si këta, nuk kanë një varr për t’i qarë, për t’i nderuar nga të dashurit e tyre, të paktën me një lule të freskët.


Shoqëria jonë, e sidomos klasa politike, nganjëherë i kthehet këtyre shpirtrave kur kanë ndonjë debat, takim, manifestim, përvjetor etj. E, shpirtrat e tretur, nuk janë shlyer nga listat zgjedhore dhe vota e tyre përdoret për ndryshime, për ngritjen dhe normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd-Bruksel!

Ndërsa, shpirtrat e humbur shëtisin qiellit të këtyre qendrave të vendosjes, por heshtin nën dheun e zi, në vendin që s’u dihet krimi e as falja për ato bëma jo njerëzore.

Për qytetarët e Kosovës, emri i Beogradit është i lidhur ngushtë me gjakun dhe shpirtin e këtyre shpirtrave të tretur. Shthurja e ish Federatës Jugosllave, solli në rajon luftëra të gjakosura, mirëpo ajo më e rënda del se ngjau me shqiptarët e Kosovës. Ata që s’u pajtuan me regjimin diktatorial të përbindëshit serb, i mbuloi dheu i zi. Madje, ka të tillë që edhe sot e tutje ngelën të sakatosur e të groposur nëpër fusha dhe male të Serbisë, të cilët ruhen mirë nga rojet me uniforma blu të zeza e të hirta.
Rrëfimet rrëqethëse janë ato të dëshmitarëve e të përjetësuarve të torturave dhe masakrave më çnjerëzore që njeh mentaliteti serbo-sllav. Ka të gjallë që asistuan direkt në këto krime, duke qenë dëshmitarë të masakrimit dhe çnjerëzimit të familjarëve: motrës, vëllait, fëmijës, nënës e babait. Ka edhe të atillë që i mbijetuan kësaj ëndrre të tmerrshme barbare, e cila nuk u shlyhet nga kujtesa e hidhur, duke i shoqëruar me pasoja të rënda psikike. Ka të atillë që mbas lufte nuk arritën ta gjejnë veten, edhe pse asistuan drejtpërdrejt në luftë, por në liri vranë veten. Nga ushtarët e luftës kundër përbindëshit, shumë prej tyre ranë dëshmorë, disa të tjerë mbetën invalidë përgjithmonë, e gati se të gjithë akoma nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre jetësor. Disa prej tyre lanë pasardhësit në vetmi, në lëmoshë e në mëshirën e fatit. Lanë fëmijët e tyre jetim – për idealin e tyre kombëtar.

Nën tingujt e disa melodive rrëqethëse, që të kujtojnë këto kohë të rënda, nuk të lënë ndërgjegjja të harrosh edhe ata persona që sot e asaj dite figurojnë si të zhdukur.

Sorra e Ballkanit vazhdon ende t’i mbajë kockat e atyre shqiptarëve, që i masakroi dhe i torturoi gjatë luftës. Ajo i mbanë të fshehura mirë, meqenëse nuk dëshiron që imazhi i saj para ndërkombëtareve të rëndohet akoma më shumë. Janë më se 1730 persona që figurojnë në listën e zezë të të zhdukurve të Kosovës.

Faktori ndërkombëtar hesht para këtij fenomeni, sepse ka drojë. Ka drojë se këta eshtra, kur të zbulohen dhe nxirren nga fushat e zeza të Serbisë, mos do të ndikojnë në dialogun shqiptaro-serb, në normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd etj. Ndoshta, edhe mirë e kanë! Kanë kaluar më se 14 vjet që lufta ka mbaruar në Kosovë dhe ata vazhdojnë të neglizhojnë këtë proces jetik.

Ndërkombëtarët, meqë e njohin mirë ekonominë globale dhe shfrytëzojnë “gjithçka për gjithçka”, shfaqin para botës demonizmin e shpirtrave të pagjetur, edhe në rastin e këtyre të Kosovës. Ata bëjnë tregti me këta shpirtra të tretur. Në emër të tyre thirrin e organizojnë debate, kinse merakosen për zgjidhjen e problemeve në fjalë. E, shpirtrat kanë vetëm një problem! Vetëm të kthehen në vendlindje! Edhe pse rrugëtimi i tyre tashmë ka zgjatur shumë, ata prapë as nuk kërkojnë t’u zgjidhet statusi i tyre jetësor, as t’u sigurohet punësim, as mirëqenie sociale e asgjë. Ata vetëm duan që të kthehen në vendin e tyre dhe të shijojnë dheun e tokës prej nga lindën!

Historia na mëson mirë, se gjatë konflikteve ndëretnike, nëse ka çështje akoma të pa zgjidhura, siç është çështja e të pagjeturve, nuk mund të ketë paqe dhe solidaritet bilateral. Sepse, njëra anë i ka borxh anës tjetër. I ka borxh në shpirtra! Dhe, përderisa këta shpirtra nuk lirohen nga tokat e zeza të Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve ndëretnike. I tregojmë ndërkombëtarëve se marrëveshjet që i kërkojnë ata, mund të arrihen dhe të funksionalizohen vetëm atëherë kur shpirtrat e 1730 kosovarëve lirohen dhe kthehen trupat e tyre në Kosovë – të prehen në paqe, në tokën që dikur u përzënë!

Shpirtrat dhe eshtrat e tyre nuk i tret dheu. Trupat e tyre të pajetë do të kthehen një ditë në tokën që i lindi e i rriti. Do të kthehen gjithsesi, ngase nuk lejohet tregtia me ta për asnjë çmim!

Janë shumë trupa të shpirtëzuar që s’janë kthyer kurrë në vendlindje para dhe pas luftës në Kosovë, qoftë të ngujuar nga mërgimi i dhunshëm, qoftë nga politika e ndalesës me dhunë e krim.

Po e përmbylli këtë rrëfim, me një të vërtetë të hidhur, me një paragraf të shkruar nga mjeshtri i letrave shqipe Konica në testamentin e tij, drejtuar Nolit: “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”.