Nga: Mario Vargas Llosa
Përktheu: Luan Canaj
Ernest Hemingway tregon diku se në fillimet e tij letrare, teksa hidhte në letër një rrëfenjë, papritmas i qëlloi që të shuante ngjarjen kryesore, atë ku protagonisti varte veten. Ai tha se zbuloi kësisoj një mënyrë rrëfimtare, që do ta përdorte gjithnjë e më dendur në të ardhmen për të mbrujtur romanet dhe novelat e veta.
Në të vërtetë, nuk teprohet aspak nëse thuhet se rrëfimet më të arrira të Hemingwayt janë të stërpikura me heshtje shumëçkathënëse, me grimca fshehatare të një rrëfimtari mendjehollë, i cili ia del mbanë që të dhënat e veshura prej tij me petkun e heshtjes, megjithatë të jenë sa më shprehëse dhe të shtien medoemos në ngasje përfytyrimin e lexuesit. Kështu, ky i fundit duhet t’i mbushë këto golle të historisë me hamendësime e përgjasime të mendjes së vet.
* * *
Le ta quajmë këtë mënyrë “elementi i fshehur” dhe të saktësojmë menjëherë që, paçka se Hemingway i ka bërë kësaj një lëvrim vetjak e të shumëfishtë (herë-herë mjeshtëror), nuk është ai që e ka shpikur, meqë kjo është një teknikë e moçme sa vetë romani.
Mirëpo është mëse e vërtetë që fare pak shkrimtarë modernë e kanë përdorur me guximin e autorit të “Plaku dhe deti”. A ju kujtohet ajo novela mjeshtërore, mbase më e famshmja e Hemingwayt me titull “The killers” (Vrasësit)? Gjëja më me rëndësi e rrëfenjës është kjo pikëpyetje e madhe: përse ata dy kaçakë, me çifte tytësharruara, hyjnë në restorantin e vogël “Henry’s” të asaj krahine pa emër dhe duan të vrasin suedezin Ole Anderson? Dhe përse ky Ole Andersoni i fshehtë, ndërsa djaloshi Nick Adams e paralajmëron se dy vrasësit po e kërkojnë për ta qëruar, nuk pranon t’ia mbathë e ta vërë në dijeni policinë, por i bindet me verbëri fatit të vet?
Ne nuk kemi për ta marrë vesh kurrë.
Nëse na e ka ënda ndonjë përgjigje për këto dy pyetje bosht të rrëfenjës, ne duhet ta sajojmë vetë si lexues, duke u nisur nga grimcat vocërrake që rrëfimtari – në dijeni të gjithçkaje e jovetjak – na jep aty-këtu: para se të vinte në këtë qytezë, suedezi Ole Anderson ka qenë, me ç’duket, boksier në Çikago, ku ka bërë diçka( që s’i ndezi, thotë ai), e cila ka nënshkruar dënimin me vdekje.
Elementi i fshehur a rrëfimi i jashtëm nuk është për së koti apo arbitrar. Lypset që heshtja e rrëfimtarit të jetë domethënëse, që ajo të ushtrojë një ndikim të spikatur në pjesën e shprehur qartas të rrëfenjës, me qëllim që kjo mungesë të ndihet kthjelltas e të përndezë kërshërinë, pritjen me frymën pezull dhe përfytyrimin te lexuesi.
Hemingway qe mjeshtër i pashoq në përdorimin e kësaj teknike rrëfimtare, siç bie haptas në sy te Vrasësit, shembull sqimëtar i kursimtarisë rrëfyese, tekst që është porsi maja e një ajsbergu, një buitje e mezidallueshme që mundëson ndërdukjen në mënyrë mahnitëse të të gjithë ngrehinës plotësore anekdotike, ku mbështet bëshëm, por që i është fshehur lexuesit. Të rrëfyerit duke heshtur, me anë të nënkuptimeve që e shndërrojnë brendastrukjen në pritje përcëllitëse, duke e nxitur lexuesin të ndërhyjë gjallërisht në rrjedhat e rrëfimit përmes përngjasimeve e hamendësimeve të veta, përbën një përdorim të shpeshtë te rrëfimtarët, për të ndërfutur lëndë të vetëjetuara në thurrimat e tyre, domethënë, i pajisin me fuqi bindshmërie.
* * *
A ju kujtohet elementi i madh i fshehur i romanit më të mirë (për mendimin tim) të Hemingwayt “Dhe dielli lind përsëri”? Po, atë vetë: pafuqinë e Jake Barnes-it, rrëfimtarit të romanit? Ajo nuk jepet kurrë haptas: ajo gëlon papritmas – thuajse e marr guximin të them që lexuesi, i cytur prej asaj çka lexon, ia mvesh personazhit – nga një heshtje kumtuese, kjo largësi e çuditshme fizike, lidhja e dëlirë mërshore që e bashkon me bukuroshen Brett, femra që ia bën zemrën zhur e që mbase e do edhe vetë a që mund ta kishte dashur, ishte pra vetëm një pengesë a ndalim, për të cilin ne nuk kemi qenë kurrë në dijeni me saktësi. Pafuqia e Jake Barnesit është një heshtje jashtëzakonisht e shprehur qartë, një mungesë që vjen e bëhet gjithnjë e më shprehëse, sa më shumë që lexuesi të çuditet nga qëndrimi jo i zakontë e kundërshtues i Jake Barnesit ndaj Brettit, derisa i vetmi shpjegim i mundshëm të mbetet zbulimi i pafuqisë së tij. Paçka se i kaluar në heshtje a ndoshta pikërisht nga mënyra sesi është, ky element i fshehur e praron thurrimën e romanit Dhe dielli lind përsëri me një vezullim shumë të veçantë.
Më së fundi, do të ma kishte fort ënda t’ju përsëris një krahasim, që e kam bërë hera-herës duke përsiatur për “Faltoren” e Faulknerit. Le të themi që rrëfenja e “plotë” e një romani (e përbërë nga elementë të përfshirë a të hequr) është një kub. Dhe që çdo roman i veçantë, me t’iu qëruar elementët e tepërt e ato të hequr shpengueshëm, për të përftuar një efekt të përcaktuar të nxjerrë nga ky kub, merr një trajtë të përcaktuar: ky objekt, kjo skulpturë, pasqyron origjinalitetin e romancierit. Trajta e tij është gdhendur me ndihmën e mjeteve të ndryshme, por pa as më të voglin dyshim, njëri nga më të përdorurit e tejet i vlefshëm për punën e tëharrjes së përbërësve, gjersa ravijëzohet profili i figurës së hijshme dhe bindëse që na bën për vete, është pikërisht elementi i fshehur (nëse nuk keni ndonjë emër tjetër më ngasës për t’i vënë këtij mjeti). /Palimpsest/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit