LAJMI I FUNDIT:

Eksportet shqiptare u rritën me 43 për qind

Eksportet shqiptare u rritën me 43 për qind

Gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit 86 miliardë e 248 milionë lekë. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, plani i realizimit të të ardhurave për periudhën janar-tetor u realizua në masën e 100.6 për qind. Eksportet për 10-mujorin e parë të këtij viti u rritën me 19 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zhdoganimi

Gjatë periudhës janar-tetor zhdoganimet e mallrave të akcizës janë rritur. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Doganave, zhdoganimi i cigareve është rritur me 21 për qind.

Ndërsa po për këtë periudhë janë zhdoganuar 350,439 tonë karburante nga 336,385 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Gjithashtu janë zhdoganuar 3,434 tonë cigare krahasuar me 2,839 tonë të zhdoganuar në 10-mujorin e parë të vitit të kaluar. Për sa i përket artikullit të kafes, gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar 5,295 tonë. Ndërsa birrë janë zhdoganuar 29.289 hektolitra nga 26.688 hektolitra të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 2.601 hektolitra, ose 10 për qind më shumë.

Eksportet

Gjatë periudhës janar-tetor 2008 është realizuar një rritje prej 19 për qind e volumit në total të eksporteve shqiptare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet me origjinë shqiptare kanë një rritje prej 43 për qind.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Doganave, gjatë 10-mujorit 2008 është realizuar një volum mallrash të shprehur në sasi prej 1.519.725 tonë krahasuar me 1.413.063 tonë mallra që janë eksportuar gjatë 10-mujorit 2007, me një rritje prej 8 për qind.

Ndërsa eksportet shqiptare kanë një rritje si volum mallrash prej 10 për qind. Në total gjatë periudhës janar–tetor 2008 volumi i importit vlerësohet në 366.486 milionë lekë, nga 316.496 milionë lekë të realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 49.990 milionë lekë ose 16 për qind më shumë.