LAJMI I FUNDIT:

Edhe sindikatat e punëtorëve mbështesin protestën

Edhe sindikatat e punëtorëve mbështesin protestën

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), mbështet institucionet e Republikës së Kosovës në qëndresën e tyre për mospranimin e Planit prej gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun në pjesët e tij të dëmshme për pavarësinë e vendit.

Bazuar në një njoftim zyrtar të BSPK-së, plani gjashtë pikësh i Ban Ki Mun-it mund t’i sjellë lëndim pavarësisë , integritetit dhe sovranitetit të vendit dhe të hapë rrugë të rrezikshme për legalizimin e ndërhyrjeve të shtetit të Serbisë.

Me këtë rast BSPK-ja ka kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që të mos u nënshtrohen presioneve ndërkombëtare dhe të bashkëpunojnë me faktorin ndërkombëtar, të tregojnë vendosmëri, maturi dhe përgjegjshmëri në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e vendit dhe me mbrojtjen e pavarësisë, të sovranitetit dhe integritetit të Republikës në tërësinë e saj territoriale.

“BSPK-ja përkrahë protestën që do të mbahet të mërkurën dhe kërkon nga punëtorët që të dalin masovikisht në këtë protestë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit të Republikës së Kosovës dhe ekonomisë së vendit”. /Telegrafi/