LAJMI I FUNDIT:

E tash, çka pas zgjedhjeve?

Zgjedhjet në Maqedoni u mbajtën në një atmosferë të qetë, edhe pse ky shtet i brishtë nuk do të na çudiste nëse do të përgatiste skenarë të ndryshëm, sikur më përpara gjatë votimeve. Ajo çka është me rëndësi është se zgjedhjet tek elektorati shqiptar dëshmuan se shqiptarët kanë vlera, potenciale dhe qytetari të lartë, kur partitë politike të tyre besatohen se do të udhëheqin fushatë të qetë, si dhe kur nuk i lënë hapësirë shërbimeve të huaja që të implikohen gjatë fushatës parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve, për të paraqitur zonat shqiptare si zona të rrezikshme për votim. Dështuan skenarët e përgatitur nëpër kuluare të ndryshme, e poashtu edhe ideja se shqiptarët nuk dinë të mbajnë zgjedhje të qeta dhe demokratike. Dhe kjo është për çdo lëvdatë. Po, tani shtrohet pyetja se çka pas zgjedhjeve?

Qytetari që jeton në Maqedoni, menjëherë pas zgjedhjeve u servua dhe u shpërblye edhe më tutje me antikvizimin e Maqedonisë me buste e përmendore gjigante, që kushtojnë aq para se me to do të ishin ndërtuar shumë fabrika dhe do ishin hapur shumë vende të punës, (lexo: sa për ilustrim vetëm përmendorja e të ashtuquajturit Aleksandri i Madh (Leka i Madh) kushton diku rreth 9.5 milionë euro, prej ku vetëm skulptorja Valentina Stevanovska ka marrë 650 000 euro). Mos të flasim për përmendoret dhe skulpturat tjera para zgjedhjeve. Qytetarit në Maqedoni iu servuan menjëherë skema ku burgosen liderë partie vetëm se nuk mendojnë njësoj si kryeministri i Maqedonisë, dhe njerëz që mendohet se e kanë dëmtuar partinë VMRO –DPMNE në këto zgjedhje ku ajo arriti të ketë gjithsejtë 56 deputetë, për dallim prej mandatit paraprak ku kishte shumicën absolute dhe vendimet i sillte pa mos konsultuar asnjë partner qeveritar, që i kishte më shumë si dekor dhe shërbëtorë.


Po ajo çfarë ndodhi në bllokun maqedonas, edhe pse është interesante të shkruhet dhe analizohet, ia lejmë analistëve maqedonas të merren me to… Po çka ndodhi në skenën politike shqiptare? Skena politike shqiptare e gjetur e përçarë më shumë se kurrë, dëshmoi edhe njëherë se më me rëndësi për të janë postet dhe karriget se populli. Ata në vend se të bashkohen dhe të fitojnë më shumë deputetë, bënë të kundërtën u përçanë aq shumë, sa që edhe votuesi shqiptar gjendej në dilemë të madhe. Kësisoj ajo që faktori politik shqiptar nuk u bashkua, sot ne kemi sihariq 4-6 deputetë më pak, duke mos harruar të përmendim këtu edhe deputetët e diasporës që humbën për inate të partive shqiptare, ngaqë nuk u pa e arsyeshme të nxirret një kandidat i vetëm për diasporë. Të mos flasim për brenda, për këtu. Vetëm mjafton të ja hedhim një sy rezultateve dhe gjithçka është e qartë. BDI ka gjithsejtë 114 870 vota, PDSH 66 055, RDK 29 981, DR 19 732, BDSH 4504, BDK 345, PPD 275 vota.

Mund të marrim me mend sikur të ishin dy parti ke ne, sa deputetë më tepër do të kishim, e kësisoj sa më shumë potencë do kishim në pushtet dhe në shtet. Nëse marrim votat në përgjithësi të opozitës shqiptare del se ajo ka shumë më shumë vota se partia e deritanishme në pozitë BDI. Shifra na del se po të ishin bashkuar partitë opozitare shqiptare do të kishte 120 892 vota, përballë BDI-së me 114 870 vota. Andaj dështimi i partive të vogla opozitare shqiptare për tu bashkuar në një subjekt më të madh, ose në koalicion të përbashkët, i dërgoi ata në ‘vetëvrasje’ dhe në’ vdekje klinike’, ndërsa dobësoi edhe elementin shqiptar në Maqedoni. Kësisoj, imazhi siç pretendohej se secila parti opozitare do të kishte nga disa deputetë, u gris sapo u shpallen rezultatet, kur u pa se asnjë parti e vogël opozitare shqiptare përpos PDSH-së dhe RDK-së nuk mori deputetë.

E çka më tutje tash? Tash në shenjë demonstrimi të përgjegjësisë morale dhe kombëtare, duhet që të gjitha këto parti të pensionohen, ashtu siç u pensionuan me votën e popullit. Disa liderë dhanë dorëheqje, po disa të tjerë ende jo, ngase nuk po kthjellohen me rezultatet. Ata vazhdimisht vite me radhë i humbin zgjedhjet dhe prapë dalin në zgjedhje, thuaja se janë unikët në këtë nënqiell. Për këtë arsye ata në shenjë respekti dhe qytetarie duhet të dalin sa më parë në pension dhe të kujtojnë çastet kur kanë qenë politikanë, e këto çaste të ju shërbejnë kur të u rrëfejnë nipave dhe mbesave se kanë qenë “ndokush”, sepse kanë qenë kryetarë të partive, që kanë marrë vota aq sa mund të ketë mysafir në një dasmë, në restorant, e bile edhe më pak.

Ndërsa RDK që fitoi 2 deputetë, duhet të sqarojë se për çfarë arsye humbi votat në qytetin bastion të saj, në Gostivar, duhet të rishikojë politikat e gabuara dhe të ndjekë një kurs dhe politikë të re. Ndërsa sa për PDSH-në, që fitoi 8 deputetë, u dëshmua se është partia e vetme opozitare shqiptare, e cila edhe pse u ngrit në këmbë nga këndellja dhe goditja që i shkaktoi qeveria maqedonase, me krijimin e Demokracisë së Re, si parti në vete, ajo prapë fitoi vota të mjaftueshme për të qenë në ballë të opozitës shqiptare. Kësisoj, kjo nuk do të thotë që gjithçka ka qenë perfekt edhe te kjo parti, por ama fushata parazgjedhore, Marrëveshja Politike, si dhe urimi drejtuar partisë oponente (BDI-së) për fitoren në zgjedhje dëshmuan vlerat e kësaj partie dhe të lidershipit të saj.

E, se çfarë qeverie do të na presë, sa shqiptarët do të jenë relevant aty, a do ta kushtëzojë z. Ali Ahmeti Gruevskin dhe kopatriotët e tij, ngase i ka parametrat për ta bërë këtë, mbetet të shohim në një të ardhme të afërt. Sido që të jetë, qytetarët shqiptarë po edhe të gjithë ata që jetojnë në Maqedoni, presin ditë më të mira, me shpresën se edhe këtu do të bëhen punë pozitive me të cilat të paktën do të mund të krenohemi.