LAJMI I FUNDIT:

Drejtësia duhet t’i zbardhë vrasjet e 10 shkurtit 2007

Kërkimi i drejtësisë për Arbenin dhe Monin, është çështje dinjiteti dhe drejtësie për kombin shqiptar dhe për shtetin e Kosovës. Andaj, nëse sot, për shkak edhe të rrethanave është vështirë të iniciohet ndonjë hetim për këtë rast, nesër është detyrë e shoqërisë dhe shtetit tonë që ta nisë një proces të pavarur hetimi për t’i zbardhur vrasjet e asaj dite. Duhet bërë e qartë të gjithëve se ka kaluar koha kur qytetarët tanë mund të vriten dhe vrasësit të kalojnë pa u ndëshkuar.

1.
10 shkurti i këtij viti domosdo na ktheu në 10 shkurtin e vitit 2007, protestën që u organizua atë kohë, intervenimin brutal të policisë ndërkombëtare, vrasjen e Arben Xheladinit e Mon Balajt si dhe plagosjen dhe lëndimin e mbi 80 personave të tjerë. Para se t’i prekim pak dy momentet që shënuan këtë ngjarje: vrasjen e lartpërmendur dhe fillimin e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, t’i kthehemi motivit të protestës që pati organizuar Lëvizja Vetëvendosje! atë ditë. Atë ditë u protestua kundër Pakos së Ahtisarit e cila iu pat shpalosur opinionit tonë publik pas muajsh negociatash për statusin e Kosovës, si propozim i Marti Athisarit. Shumë flitet sot për ngërçin në të cilin ndodhet Kosova, për problemet në funksionimin e saj të brendshëm, për jo-efikasitetin e sistemit të saj politiko-juridik, e shumë pak ka guxim të përmendet se një ndër faktorët themelorë të kësaj situate të Kosovës është mu Pakoja e Ahtisarit. Ende ngurrohet të kritikohet Pakoja, sepse ajo konsiderohet si pjesë përbërëse e shpalljes së pavarësisë dhe e shtetit të Kosovës. Madje, kjo garniturë politike ishte e kushtëzuar që pavarësinë mund ta shpallin vetëm nëse e ka Pakon brenda.


E dizajnuar për t’i integruar dhe akomoduar serbët në Kosovë, kjo Pako, mu nga serbët nuk është pranuar, sidomos jo nga ata të veriut të Kosovës. Sidoqoftë, tërë ky kontekst politik, që e shndërroi Kosovën në shtet, nuk do të na duhej të na shndërronte në oportunistë dhe të themi se korniza politiko-juridike brenda së cilës funksionon Kosova është e mirë, kur jemi të bindur për të kundërtën. Madje janë disa elemente themelore që e bëjnë atë të jetë në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk janë konsultuar fare kur kjo Pako është pranuar nga garnitura politike. Të fillojmë nga më elementarja: shqiptarët, ndonëse shumicë dërrmuese në Kosovë, nuk njihen si komb, por si komunitet. Të tjerët, ndonëse pakicë në Kosovë, nuk njihen si pakica kombëtare, por si komunitete. Si rrjedhim i këtij defekti të parë, projektohet Kosova si entitet politik në të cilin juridikisht duhet të instalohet ideja e multi-etnicitetit. Duke munguar kombi shqiptar si kategori politiko-juridike në Pako, Kosovës i ndalohet bashkimi me ndonjë vend fqinj, apo pjesë të vendeve fqinje. Duke u instaluar kjo ndalesë edhe në Kushtetutën e Kosovës, atë e shndërron në një shtet që nuk mund të vendosë për të ardhmen e vet. Pra, një shtet pa vetëvendosje të jashtme. Tjetri defekt është decentralizimi etnik, e posaçërisht ndarja e Mitrovicës në dy komuna. Ky decentralizim nuk është paraparë të bëhet në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve, por për t’i akomoduar serbët, pa e analizuar efikasitetin dhe funksionalitetin e këtij lloj decentralizimi. Për më keq, në rastin e Mitrovicës, krijimi i komunës veriore mund të jetë një hap tutje për ta legalizuar dëbimin e shqiptarëve nga ajo pjesë e qytetit.

E metë tjetër është edhe jo-funksionaliteti i sistemit politiko-juridik ku më pak se 10% pakica mund ta pengojnë funksionimin e shtetit në disa drejtime kyçe, si p.sh. në rastet kur duhet të ndërrohet Kushtetuta apo të ndryshohen ligje me interes vital për vendin. Vetë propozimi për pavarësinë e mbikëqyrur që erdhi më vonë nga Marti Ahtisari si shtesë e Pakos, shpall popullin e Kosovës të paaftë për të qeverisur me veten, dhe ia ligjëson (iu jep fuqi ligjore) shumë kufizime, kontrolle e mbikëqyrje (ICO, EULEX, vetë Pakoja me tërë defektet që i përmendëm). Si “qershia mbi tortë” na vjen në fund supremacia e kësaj Pakoje mbi tërë sistemin politiko-juridik në Kosovë, e sanksionuar kjo edhe në Kushtetutën e Kosovës. Kundër gjithë këtyre defekteve u demonstrua më 10 shkurt 2007.

2.
Më 10 shkurt 2007 u vranë dy demonstrues. Organizatat më me renome në botë në fushën e të drejtave të njeriut, në mesin e të cilave edhe Amnesty International, e cilësuan demonstratën si paqësore dhe reagimin e policisë si brutal. Madje edhe një hetim i nxitur nga vetë UNMIK-u e i udhëhequr nga Robert Din, i cili më vonë u bë kryeprokuror i UNMIK-ut, qartazi e thotë se vrasjet kanë qenë të shmangshme dhe të vrarët me asgjë nuk e kanë provokuar policinë. Madje hetimi shkon deri aty sa tregon se përgjegjëse për vrasjet është njësiti rumun i policisë së UNMIK-ut i cili ka përdorur edhe plumba gome me afat të kaluar dhe të ndaluar me konventa ndërkombëtare. Mirëpo hetimi nuk tregon kush ka dhënë urdhër të shtihet dhe disi humb në problematikën e funksionimit të zinxhirit komandues të policisë së UNMIK-ut.

Çudia më e madhe është se në vend se të fillojë një proces kundër atyre që vranë dy demonstrues paqësorë dhe plagosën e lënduan 80 të tjerë, UNMIK-u e filloi procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje! Ky proces, që në momentin e parcializimit të tij, duke e vendosur Albn Kurtin në bangën e të akuzuarve dhe duke injoruar faktin se atë ditë është kryer krim ndaj demonstruesve, mori premisa të një procesi politik. Si i tillë ai u shndërrua në një bumerang për tërë sistemin e drejtësisë që e kishte ndërtuar UNMIK-u në Kosovë.

Duke qenë një proces politik, edhe Lëvizja Vetëvendosje! dhe Albin Kurti e shfrytëzuan politikisht këtë proces. Në një situatë të pashpresë, kur të gjithë avokatët e Kosovës më në fund iu përgjigjën ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje! për të mos e mbrojtur Albinin, UNMIK-u pak para shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008 e pezulloi procesin. Habia më e madhe për tërë opinionin publik ndodhi kur EULEX-i shpalli rihapjen e këtij procesi gjyqësor. Kur të gjithë prisnin që EULEX-i të fillonte hetimet për vrasjet e 10 shkurtit 2007, apo arrestimet e (siç kishte deklaruar) “peshqve të mëdhenj” të politikës të lidhur me krimin e organizuar dhe sistemin e korrupsionit, ata e filluan këtë betejë, që besoj se do ta zbehë thellësisht autoritetin edhe ashtu shumë të brishtë të EULEX-it në sytë e opinionit publik në Kosovë.

3.
Serbia për afro njëqind vite ka vrarë, plagosur e burgosur në Kosovë. Populli shqiptar për asnjë moment nuk e ka ndalur luftën dhe përpjekjen e tij për liri. Njëkohësisht populli shqiptar është i vetëdijshëm që për krimet e kryera nga Serbia gjatë pushtimit të saj të gjatë të Kosovës nuk mund të kërkojë nga shteti serb nesër, pasnesër përgjegjësi penale për çdo krim në mënyrë individuale. Ato kanë qenë krime të kryera nga pushtuesi, gjatë një periudhe të gjatë dhe shumica e kriminelëve madje nuk janë gjallë. Gjithsesi dëmshpërblim moral, juridik e financiar duhet kërkuar çdoherë Por me vrasjen e Arbenit dhe Monit situata është pak më e ndryshme. Ata u vranë nga policia ndërkombëtare në Kosovë, nga policia e një misioni që erdhi këtu me zotimin për vendosjen e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Dhe ky mision, le që i vrau dy bij tanë, por nuk mori asnjë masë për t’i dënuar vrasësit. UNMIK-u që në fillim ka pasur probleme të mëdha me transparencën dhe llogaridhënien në raport me qytetarët e Kosovës, të cilët i ka sunduar për rreth 9 vite. Nuk ka qenë i ndërtuar asnjë mekanizëm në të cilin qytetarët e Kosovës do të mund të ankoheshin për veprimet e mekanizmave të UNMIK-ut e KFOR-it apo individëve që punojnë në këto dy organizata.

Mungesa e një mekanizmi i cili do t’i vinte para përgjegjësisë penale edhe veprimet dhe zyrtarët e UNMIK-ut dhe KFOR-it, ka bërë që ata të mos frikësohen nga veprimet e veta arbitrare. Kjo situatë është kritikuar në vazhdimësi edhe në nivel ndërkombëtar nga aktivistë të shquar të të drejtave të njeriut, profesorë eminentë, por edhe organizata të ndryshme që merren me të drejtat e njeriut. Madje Këshilli i Evropës në fillim të vitit 2005, përmes një rezolute kërkoi të krijohet një gjykatë e përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë e vendorë dhe cila do të kishte një lidhje edhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, dhe kështu do të mund ta hetonte edhe UNMIK-un e KFOR-in. Natyrisht, kjo ide nuk u realizua asnjëherë. UNMIK-u si zëvendësim e ngriti Panelin Këshillëdhënës për të Drejta të Njeriut, një organ ky me fuqi vetëm rekomanduese, i cili po shihet sesi po manipulohet nga UNMIK-u në rastin e Arbenit dhe Monit. E njëjta gjendje e mungesës së llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës sipas të gjitha gjasave po vazhdon edhe me EULEX-in. Dhe kam përshtypjen se po vazhdon të keqpërdoret pamundësia e qytetarëve të Kosovës për të aplikuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo në Komitetin për të Drejta të Njeriut të OKB-së.

Sidoqoftë, kërkimi i drejtësisë për Arbenin dhe Monin duhet të vazhdojë përtej Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut, përtej pranimit deklarativ të fajit të UNMIK-ut dhe pazarit të ofruar nga ai për familjet e Arbenit dhe Monit, për të ndaluar hetimet e mundshme të mëvonshme, pazar të cilën ato e kanë refuzuar me dinjitet, madje edhe përtej EULEX-it, i cili po refuzon të merret me këtë rast. Kërkimi i drejtësisë për Arbenin dhe Monin, është çështje dinjiteti dhe drejtësie për kombin shqiptar dhe për shtetin e Kosovës. Andaj, nëse sot, për shkak të rrethanave, është vështirë të inicohet ndonjë hetim për këtë rast, nesër është detyrë e shoqërisë dhe shtetit tonë që ta nisë një proces të pavarur hetimi për t’i zbardhur vrasjet e asaj dite. Dhe më pas me dinjitet të kërkohet zbatimi i drejtësisë qoftë edhe përmes gjykatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë. Duhet bërë e qartë të gjithëve se ka kaluar koha kur qytetarët tanë mund të vriten dhe vrasësit të kalojnë pa u ndëshkuar.

(Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim)
Kontakti:
valonmurati@levizjaperbashkim.com