LAJMI I FUNDIT:

Dorëheqja e Sejdiut dhe pushteti i Thaçit

Fatmir Sejdiu dha dorëheqje sepse “nuk kishte fytyrë” për ta mbajtur më gjatë postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Kur Gjykata Kushtetuese e solli vendimin, asnjë njeri normal nuk kishte më dilemë se çfarë do të ndodhte. Sejdiu e kuptoi se duhej të shkonte. Nëse për dy vjet vazhdonin komentet e njërës palë se Presidenti “po shkelte kushtetutën” me mbajtjen e postit “të ngrirë” të kryetarit të partisë dhe të palës tjetër se “ai me këtë veprim nuk po e shkelte atë”, gjykata i dha fund kësaj loje të luajtur nga institucionalistët tanë dhe hamendjeve të atyre që marrin vesh pak nga sistemi i një shteti parlamentar çfarë është Kosova. Sejdiu, pas vendimit të gjykatës, nuk kishte rrugë tjetër, sepse të gjitha fjalët e tij dhe të liderëve të tjerë institucionalë, vendorë e ndërkombëtarë, për sundimin e ligjit, do të ishin boshe, aq më tepër në një ambient çfarë është Kosova e pasluftës, ku mbi 60 për qind e qytetarëve të këtij shteti janë të zhgënjyer, nuk votojnë, sepse nuk iu besojnë institucioneve dhe sistemit të krijuar gjatë këtyre dhjetë vjetëve.

Nëse në Kosovën e paraluftës okupatori nuk kishte si qëllim funksionimin e ligjit, por ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve të këtij vendi, pas luftës të zgjedhurit tanë patën si qëllim mosrespektimin dhe dhunimin e ligjit, pasurimin e vetes së tyre dhe mosdhënien e përgjegjësisë të paktën përpara atij 30 për qindëshit, që edhe pse të zhgënjyer, ende vazhdojnë tua japin votën kësaj parie, në pozitë e opozitë, gjithnjë me shpresë se një ditë do të fillojë së ndërtuari një shtet i mirëfilltë demokratik. Për të treguar në këtë situatë se kush çka bëri para, gjatë dhe pasluftës, është e tepërt, sepse është më e rëndësishme kush jemi sot dhe si do të jemi nesër. Kushdo që ka qenë apo është në pushtet mbi bazën e veprave të tij/saj, nuk ka asnjë të drejtë për të keqpërdorur meritat që ua njeh ky popull. Tani, gjithnjë ai 10 përqindëshi i mbetur, që ha nga njëra apo tjetra palë, do t’i a mbajë anën njërës apo tjetrës palë, por të gjithë neve shqiptarëve 100 për qind, e madje edhe një pjese të pakicave, na bashkon e ardhmja, mirëqenia dhe integrimi i shpejtë i shtetit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Andaj kjo dorëheqje dhe të tjerat që mund të pasojnë, janë befasi vetëm për atë pjesë që e ka humbur shpresën që ky vend do të bëhet një ditë.


Fatmir Sejdiu mori përgjigjen e merituar nga gjykata dhe e kuptoi opinionin e qytetarëve lidhur me pozitën e tij. Dorëheqja e Sejdiut ishte vullnet i popullit dhe jo i tij as i atyre (vendorëve e ndërkombëtarëve) që e këshilluan ta mbajë postin e “ngrirë” të partisë. Profesor Sejdiu nuk duhej të lakmonte të dyja pozitat që të binte më pas në grackën e vet dhe jo siç po interpretohet nga disa analistë në grackën e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të ndërkombëtarëve. Burrështetasi i vërtetë nuk e bije veten në pozitë të tillë, por e respekton Kushtetutën edhe atëherë kur rrethi i tij e sheh atë si një leckë që mund të shkelet sa herë që iu konvenon atyre që janë të veshur me petkun e pushtetit. Pastaj është pak e rëndësishme se cila është prapavija e gjithë kësaj.
E vërteta është se Kushtetuta, ajo që kemi, e mirë apo e keqe, e imponuar apo jo, e miratuar prej vetë nesh, prej atyre që ne iu dhamë mandatin, është shkelur për interesa personale e partiake. Përndryshe, sikur ajo, Kushtetuta, të ishte shkelur për interesa nacionale, pra sikur të ishte shkelur ajo pjesë e kushtetutës të cilën e konsiderojmë si të imponuar, atëherë edhe pse për ndërkombëtarët Sejdiu prapë do të ishte shkelës i Kushtetutës dhe do të detyrohej të jepte dorëheqje, për ne vendorët, e madje edhe për ata, ndërkombëtarët, ai do të ishte burrështetasi i vërtetë.

Nëse duhet lavdëruar për diçka ish-presidenti Sejdiu, është momenti kur ai vendosi që të mos vazhdojë më tuje të mbajë postin duke shkelur Kushtetutën. Është momenti që i jep atij të drejtën për të vazhduar karrierën politike, por gjithnjë duke patur parasysh që të mos ia përsëris vetvetes ndonjë grackë tjetër nga e cila ndryshe nga kjo e fundit do të binte shumë më shpejtë dhe do të dilte kokulur dhe me karrierë të përfunduar politike. Tani, nëse Sejdiu vazhdon të mbetet në politikë, do të fitojë si politikan vetëm atëherë kur do të lejojë demokratizimin e partisë së vet, atëherë kur do të përfundojë demagogjia ndaj elektoratit, atëherë kur do ta fitojë mbështetjen e atyre që duan reforma dhe atëherë kur do të përfundojë servilizmi ndaj tij i atyre pesë-gjashtë vetave në Kryesi të LDK-së, fjalët e të cilëve tani i di përmendsh pothuajse secili qytetar i këtij vendi. Veprat janë ato që e bëjnë Sejdiun, partinë dhe këdo tjetër të fuqishëm apo të pafuqishëm. Andaj urojmë që demokratizimi i partive të fillojë me partinë më të vjetër, sepse kështu si janë nuk i duhen askujt, përveç klaneve që do të vazhdojnë ta rruajnë këtë vend.

Udhëheqja e partive pa programe dhe qeverisja pa rezultate nuk do të zgjas edhe shumë. Statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe më nuk mund të aludohet se për hir të kësaj apo asaj, duhet tejkaluar këtë situatë. Kosova është shtet, aktualisht i mbikëqyrur. Nuk e duam kështu çfarë është, të ndarë de fakto në dy pjesë, të keqqeverisur, të varfër, të mbikëqyrur, por e duam ashtu si kemi thënë gjithnjë, si Zvicrën. Tani nuk mund të them nëse do të ketë apo jo “kantone”, por dikush duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që të fillojnë ndryshimet. Për atë 10 përqindëshin pak ka rëndësi se si do të jetë rregullimi i brendshëm i Kosovës, 30 përqindëshi dëshiron të bëhen ndryshime, ndërsa ai 60 përqindëshi, duhet të lëvizë, sepse nuk mjafton të qëndrojnë anash duke bërë me gisht. Përndryshe derisa nuk mbahen zgjedhjet, përgjegjësinë për të bërë ndryshime e ka kryeministri, jo se është njeriu më i përshtatshëm për të bërë lëshime karshi kërkesave të ndërkombëtarëve apo Serbisë, siç po thonë disa (për atë as mos t’i shkojë mendja ndokujt), por për faktin se e ka këtë mandat.

E vërteta është se me dorëheqjen e Sejdiut, Thaçit i është lëkundur pushteti. I është shtuar stresi. Tani atij i duhet të bëjë shumë që të mund të përballet me akuzat që do t’i vijnë nga rivalët në koalicion, nga opozita dhe nga lëvizjet që po paralajmërojnë të vijnë në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja ende pa emër e Ilir Dedës e Shpend Ahmetit.
Sa iu përket bisedimeve teknike, ato nuk do të jenë të lehta, por nuk do ta rrezikojnë as karrigen e Thaçit dhe as statusin e Kosovës. Këtë tashmë e dinë të gjithë. Beteja kryesore e kryeministrit është lufta kundër korrupsionit, të cilën duhet ta fillojë tani, aq më tepër kur është i interesuar të qëndrojë në politikë edhe 20 vjet të tjera, mundësisht siç do të dëshironte ai, në pushtet. Demagogjisë se si duhet luftuar korrupsioni po i vije fundi. Askush nuk ka më kohë për të humbur. Ne edhe ashtu jemi vonuar, ndaj duam të ndërtojmë shtet të mirëfilltë, të mos lejojmë të shkelet Kushtetuta, të mos lejojmë të vazhdojë keqqeverisja. Ndryshe nëse nuk do të ketë ndryshime për të mirë, edhe Thaçi shpejtë do të detyrohet të kalojë në postin e kryetarit të partisë.