LAJMI I FUNDIT:

Domosdoshmëria e purifikimit

Dikur një drejtues me ndërgjegje dhe vetëdije të fortë në një vend të largët do e konsideronte si përgjegjësi të tijën madje edhe mbytjen në lumë të ndonjë deleje tek kalonte urën në një fshat të largët të territorit nën drejtimin e tij. Nuk do e zinte gjumi me mendimin se atë urë mund ta kishte ndërtuar me të gjerë. Ky këndvështrim “utopiko-idealist”për ditët e sotme i shërben sqarimit të domosdoshmërisë së ekzistencës së përgjegjësisë madje në kufijtë e utopikes për një drejtues. Kjo cilësi i konsumonte dhe i harxhonte emocionalisht drejtuesit e këtij lloji me ndërgjegje të zhvilluar çka i detyronte madje herë-herë të hiqnin dorë nga drejtimi, vetëm për këtë fakt.

Kthehemi në ditët e sotme ku një cilësi e tillë mbetet tërësisht e huaj për një drejtues. Nën këtë mistikë duhet sqaruar se për një arsye apo tjetër për çdo problem të çfardolloji, përgjegjësi numër një është shteti dhe vetëm ai, ashtu siç është merituesi i përgëzimeve në rast trofeu. Por çuditërisht ndodh një fenomen, në ditët e sotme qeverisja për një kohë të gjatë nuk shfaqet aspak konsumuese dhe lodhëse , çka len të kuptohet për një mungesë përgjegjësie dhe vetësakrifikimi. Sepse shteti i ngjan trupit të njeriut, nëse dhemb gishti, dora, këmba trupi vuan dhe lëngon si një i vetëm. Dhe nuk mundet që një problem i çfarëdolloj përmase ndoshta në cepin më të largët të vendit ti faturohet dikujt autonom nga shteti.


Kur diskutojmë për qeverisje për një kohë të gjatë është disafish më lehtë të flasim për merita dhe ‘mëkate” në të njëjtën kohë. Pra lind nevoja e rotacionit si domosdoshmëri shplodhje dhe reflektimi për “mëkatet” që të faturon koha e gjatë e qeverisjes, për t’ia lënë vendin një alternative energjike të “pastër” nga “mëkatet” e gatshme për të ofruar përgjegjësi të reja. Kjo alternativë vjen nga ajo që quhet opozitë, që në këtë rast duhet të jetë e ”pastër” dhe pa “mëkate”.

Është fatale që një grup opozitar pa qenë në pushtet, të peshojë më rëndë ana e saj e peshores së mëkateve. Gabimet, defektet apo deficitet të çfarëdolloji janë të qeverisë, është ajo që mban përgjegjësinë numër një. Kurse nga ana tjetër opozita periudhën e opozitës duhet ta konsiderojë si periudhë reflektimi, pastrimi apo purifikimi, ndoshta ripërtëritje, rinovimi dhe rehabilitimi për “njollat” e periudhës në pushtet. Po e theksoj që është fatale që pa patur gjë në dorë të jesh fajtorë.

Gjithashtu vetëkuptohet që një opozitë nuk është aq e mëshirshme sa t’i lërë në dorë të pushtetit prioritetet kombëtare disa vjeçare siç është integrimi në bashkimin evropian etj. Sepse ajo pret kohën që këtë meritë apo trofe ta fitojë vetë dhe të bindë elektoratin për e punën e bërë . Është krejt afërmendsh që në këtë pikë të ketë mungesë bashkëpunimi. Me konkret, nëse merita e NATO-s dhe liberalizimit të vizave i takon qeverisë , është në të drejtën e opozitës që në këtë hise të kërkoje edhe ajo pjesën e vet. Por reagime me protesta agresive janë reagime që lënë shije të keqe në popull ndërsa nuk quaj mëkat reagimin institucional.

Si përfundim dhe më konkretisht nëse opozita aktuale kërkon fitore në zgjedhjet e 2013- tës duhet të kalojë në një centrifuge që shtrydh edhe pikën më të fundit të “mëkatit”. Dhe këtë shans e ka vetëm partia opozitare, është antagoniste madje e pamundur që të jesh edhe në pushtet edhe pa gabime. Duhet durim, maturi dhe qetësi, sepse një parti pozitare sot, nesër bëhet opozitare dhe anasjelltas.