LAJMI I FUNDIT:

DokuFest sjell filma të regjisorëve hollivudianë

DokuFest sjell filma të regjisorëve hollivudianë

Edicioni i 13-të i DokuFest, eveniment artistik që do të mbahet në Prizren në datat 16-24 gusht është prezantuar sot (e hënë) edhe në Tiranë. Përfaqësues të këtij festivali të filmit së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, kanë folur para mediave për rëndësinë e këtij evenimenti, programin e tij të larmishëm dhe bashkëpunimin kulturor Shqipëri-Kosovë që sjell ky festival.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cilësoi DokuFest tashmë jo thjesht si një ngjarje vetëm e Kosovës, por edhe e Shqipërisë dhe Rajonit, që po merr përmasa ndërkombëtare.

Kumbaro tha se DokuFest nuk është thjesht një festival filmi por edhe një model i debatit edukativ.


“Është shumë i rëndësishëm fakti që jo thjesht kemi një festival filmi, pasi të tillë nuk mungojnë në Rajon. Por ajo që e bën shumë të rëndësishëm dhe të pasur DokuFest-in, është fakti që është një aktivitet që shtrihet në kohë, gjithëpërfshirës në shumë aspekte, ngjall debate që nga ai shkencor te debati teknologjik, por sidomos te debati eduktaiv. Do të thosha që kemi një model shumë të mirë se si një festival filmi, një ngjarje profesionistësh kthehet gjithashtu, në një skenë në një klasë edukimi, çka përputhet tërësisht me atë çka është politika e Ministrisë së Kulturës, edukimi përmes artit”, ka deklaruar Kumbaro duke shtuar se me këtë aktivitet Tirana po mban premtimin e bërë një vit më parë nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, për të krijuar kështu një urë të komunikimit kulturor pa pengesa, pa barriera për të gjithë artistët e rajonit.

Drejtori ekzekutiv i këtij festivali, Eroll Bilibani, njoftoi se DokuFest do të nisë këtë të shtunë më 16 gusht në Prizren por do të paraprihet nga një ekspozitë një ditë para çeljes së tij zyrtare.

“DokuFest fillon këtë të shtunë më 16 gusht në Prizren. Të gjitha përgatitjet janë në përfundim e sipër, do të fillojë me një aktivitet që do ti paraprijë ngjarjes së të shtunës, është ekspozita e fotografisë DokuFoto, e cila do të çelet më 15 gusht, do të kemi ekspozitën e një fotografi të njohur amerikan DonaldËeber, që do të sjellë një ekspozitë interesante për ngjarjet në Ukrainë”, është shprehur Bilibani.

Ndërsa, Veton Nurkollari në përgjegjësinë e drejtorit artistik të DokuFest tha se këtë vit si asnjëherë më parë ky festival vjen më i plotë dhe më i larmishëm me një pjesëmarrje të gjerë, ku garojnë 237 filma nga 56 vende të ndryshme të botës. Nurkollari u ndal të filmat shqip, por edhe te rëndësia e pjesëmarrjes në këtë festival të filmave të regjisorëve të njohur hollivudianë si Robert Redford apo Vin Venders.

“Do të kemi një program ndoshta më të mirin në këto 13 vite që bëjmë festivalin. Është hera e parë që kemi filma të regjisorëve të famshëm si Robert Redford apo Vin Venders. Janë përzgjedhur në festival 237 filma nga mbi 2.400 që kanë aplikuar, një tjetër rekord i këtij viti. Do të kemi edhe filma shqip nga Kosova, Shqipëria apo edhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë. Është një fenomen ky i filmave të jashtëzakonshëm të autorëve tanë që jetojnë në Zvicër, Francë, Tajlandë e Argjentinë. Kemi edhe 2 filma kosovarë që janë në konkurrencë ndërkombëtare dhe është hera e parë që kemi filma që edhe mund të fitojnë”, ka theksuar Nurkollari, citon Kosovapress.

Gjithashtu, pjesë e këtij festivali do të jenë edhe regjisori i nominuar për Oskar, Christian Frei dhe drejtori i Fotografisë i nominuar për çmimin Emmy, Peter Indergand. Po ashtu, edhe regjisorja e filmit “My Name is Salt”, FaridaPacha dhe producenti dhe kameramani Lutz Konermann do të jenë pjesë e një master-klase tjetër në lidhje me aspektet teknike.

Tema e këtij edicioni të DokuFest është “NDRYSHIMI” dhe sllogani “Ndrysho, mos u mshef” i bëjnë homazh forcës së heshtur të qytetarëve dhe përpjekjes së qytetarëve që të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. /KP/Telegrafi/