LAJMI I FUNDIT:

Dhuna në emër të fesë është kundër fesë

Dhuna në emër të fesë është kundër fesë

Liria e bindjes dhe besimit, për të cilën dekadat e fundit janë shkruar rregulla dhe norma me karakter ndërkombëtar, duke e kategorizuar atë si një të drejtë elementare të çdo individi, është përmendur qysh herët edhe në librin e shenjtë, Kur`anin. Besimi i lirë në Zot, sipas shumë ajeteve të këtij libri, shihet si një e drejtë ekskluzive e çdo individi. Në vijim, në lidhje me këtë çështje të rëndësishme do të shkëpusim disa ajete – pjesë domethënëse të Kur’anit:

Në kaptinën el-Bekare, ajeti 69, në formë të prerë thuhet se: “Nuk ka dhunë në fe” – (La ikrahe fi ed-din). Rrënja e fjalës Ikrahe – kerihe është përmendur disa herë në Kur`an, përmes konteksteve të ndryshme si në kuptimin e dhunës – imponimit të një veprimi jashtë vullnetit të dikujt dhe si diçka që urrehet në brendësinë e njeriut etj.


Prandaj, kuptimi që del nga rrënja e kësaj fjale, si dhe nga kontekstet në të cilat ajo është përmendur, rezulton se askush nuk gëzon të drejtën që të tjerëve t`ua imponojë bindjen e tij shpirtërore të besimit.

Në të gjitha udhëzimet e përgjithshme kur’anore, individi është lënë plotësisht i lirë që të zgjedhë mes besimit dhe mosbesimit:

“Kushdo le të besojë e kushdo le të mohoj” (el-Kehf: 29).

Ndërsa, si formë e përfundimit të dialogut dhe të diskutimeve me ata që nuk besojnë si ne, në Kur’an është shpallur:

“Ju keni fenë tuaj e ne kemi fenë tonë!” (el-Kafirune: 6).

Kurse ajeti 99 i kaptinës Junus njashtu jep sugjerimin e rëndësishëm për ne, për të mos urryer e detyruar njerëzit në besimin që ne i përkasim:

“Vallë, ti do t`i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë!”; – që do të thotë se, sikur Zoti të donte, gjithë njerëzit në sipërfaqen e tokës do t`i bënte besimtarë, mirëpo një gjë të tillë Ai nuk e urdhëroi për hikmetin dhe urtësinë që vetëm Ai e di.

Ai, Zoti, është që e udhëzon kë Ai do, dhe e lë të pa udhëzuar atë që Ai do. Nuk është e drejtë e jotja, o i Dërguar, që t`ua imponosh njerëzve besimin tënd!.

Në po të njëjtën kaptinë, ajeti 108, si dhe në kaptinën en-Neml, në lidhje me udhëzimin në rrugën e besimit, hasim në porosinë tjetër të rëndësishme kur`anore:

“Kush udhëzohet në rrugën e drejtë ai është udhëzuar për dobinë e vet, dhe kush humb rrugën e drejtë ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrës i juaji”.

Kurse në kaptinën ez-Zummer, ajeti 14-15, udhëzimin tjetër:

“Thuaj: “Vetëm Zotin e adhuroj me besimin tim të plotë dhe të sinqertë, kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij”. (Thuaj, o Muhammed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti i juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bënë dëm vetes. Unë nuk jam rojtar i juaj”. “Sikur të donte Zoti, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të kemi bërë rojtar të tyre e as që je përgjegjës për ta”. (Ajetet 104 dhe 107).

Në lidhje me këtë mos përgjegjësi personale edhe të vet Muhammedit a.s. karshi atyre që kthejnë kokën anash dhe nuk dëshirojnë të jenë dëgjues dhe përkushtues të fjalës së Zotit, në Kur`an lexojmë si vijon:

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Zotit. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre”.

“Nëse ata të kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (Muhammed), si rojë për ta”.

“…populli yt e quan të gënjeshtërt atë (Kur`anin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaj: “Unë nuk jam rojtari i juaj”. (el-En`aam: 60).

“Ne e dimë mirë çfarë të thonë ata, por ti nuk do t`i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj, këshillo me Kur`anin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim”. (Kaf: 45).

“Këshilloji njerëzit (o Muhammed), se ti je vetëm këshillues, dhe nuk je i ngarkuar t`i detyrosh ata me forcë”. (el-Gashije: 21-22).

Nga domethënia e ajeteve të përmendura më sipër, shihet mjaftë qartë t se i dërguari i Zotit, Muhammedi a.s., detyrë mbi detyrat e tij ka pasur kumtimin e shpalljes, e jo imponimin apo rolin e rojtarit që të ruajë bindjet e brendshme shpirtërore të njerëzve. Detyrë dhe angazhim qenësor i Muhammedit a.s. ka qenë plasimi i relevatës, shpalljes, si dhe thirrjes në besim të vërtetë në Krijuesin Një dhe të Vetëm. Këtë konkludim mund ta vërtetojmë edhe me shumë ajete të tjera në vijim:

1. “…kurse i Dërguari është i ngarkuar vetëm të përcjellë qartë Mesazhin Hyjnor”. (en-Nur: 54).

2. “Nëse ju nuk më besoni, dijeni se edhe popujt e mëparshëm i kanë quajtur gënjeshtar të dërguarit, prandaj i Dërguari ka për detyrë vetëm të shpallë qartazi.”. (el-Ankebut: 18).

3. “I dërguari ka për detyrë vetëm të t`ju kumtojë Shpalljen…”. (el-Maide: 99).

4. “…nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm të përcjellësh (mesazhin), e Allahu i vrojton robërit e vet”. (Ali Imran: 20).

5. “…për të dërguarit s’ka tjetër detyrë veçse të shpallin qartë”. (en-Nahl: 35).

6. “Dhe bindiuni Allahut dhe të Dërguarit (Muhammed a.s.)! Kujdes, nëse nuk ia vini veshin, ta dini se i Dërguari ka për detyrë vetëm të përçojë Shpalljen e qartë”. (el-Maide: 92).

7. “Ti je vetëm paralajmërues”. (Fatir: 23).

8. “Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”. (el-Ea`raf).

9. “Thuaj (o Muhammed): “O njerëz, unë jam për ju vetëm një paralajmërues i hapur”. (el-Haxh: 49).

Të gjitha këto këshilla të shenjta, tregojnë se Muhammedi a.s. detyrë të tij parësore kishte informimin e njerëzve për mesazhin hyjnor, shpalljen e Librit të Zotit, Kur`anin dhe shpjegimin e tij për ata që duan ta mësojnë e dëgjojnë porosinë e tij, dhe që poashtu të jetë shembull në raport me njerëzit dhe që modeli i tij eklatant të kumbojë edhe pas vdekjes së tij, ngjashëm si thirrja që ai bëri për besim në Një Zot në të gjallë të tij. Në këtë kontekst, në Kur’an lexojmë si më poshtë:

1. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur. Dhe diskuto me ta në mënyrën më të mirë”. (en-Nahl: 125).

2. “Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm në mënyrën më të mirë”. (El-Ankebut: 46).

3. “Të keqen ktheje me të mirë…”. (el-Mu`minune 96 & Fus-silet: 34).

4. “Thuaju: “Ju nuk do të pyeteni për atë që kemi gabuar ne, as ne nuk do të përgjigjemi për atë që bëni ju”. (es-Sebe’e: 25).

5. “I dërguari thotë: “O Zoti im, ky është një popull që nuk beson! Largohu prej tyre (o Muhammed) dhe thuaju: “Paqe!” Ata së shpejti do ta dinë”. (ez-Zuhruf: 89).

Llogaria për veprat tona të bëra dhe të pa bëra gjatë jetës tonë, në ditën e gjykimit është në dorën e Zotit dhe në kompetencën e Tij absolute. Në lidhje me këtë Kur’ani na paralajmëron:

1. “Vërtet, si ata që kanë besuar, ashtu edhe hebrenjtë, sabiinët, të krishterët, mexhusitë e idhujtarët, Allahu do t`i gjykojë drejt të gjithë në Ditën e Kiametit. Nuk ka dyshim se Zoti është dëshmitar për çdo gjë”. (el-Haxh: 17).

2. “Me të vërtetë, Zoti yt do të gjykojë midis tyre në Ditën e Kiametit, për çështjet në të cilat kishin mosmarrëveshje”. (es-Sexhde: 25).

3. “Pastaj gjithë do të kthehen tek Unë dhe (Unë) do të gjykoj mes jush për çështjet që jeni grindur”. (Ali Imran: 55).

4. “Ne ta kemi zbritur ty Librin, vetëm që ti t`u sqarosh atyre çështjet për të cilat ata nuk pajtoheshin”. (en-Nahl: 64).

5. “…detyra e jote është të kumtosh shpalljen, se llogaria është te Ne”. (er-R`ad: 40).

6. “…tek Zoti është puna e tyre, e pastaj Ai do t`u tregojë çfarë patën punuar”. (el-En`aam: 159).

Nga kjo përmbledhje e shkurtër e ajeteve kur`anore, demantohen të gjitha tezat e atyre që pretendojnë dhe gjykojnë se Islami është fe e dhunës dhe e imponimit. Një cilësim i tillë i Islamit vjen vetëm nga ata që nuk e kanë lexuar e studiuar sa duhet Kur`anin, ose nga të tjerët që nuk e kanë kuptuar ose nuk duan ta kuptojnë atë në mënyrë të drejtë, profesionale dhe shkencore, ose nga ndonjë grupi tjetër, i cili qëllimisht i jep atij kahe të gabuar dhe devijonte.