LAJMI I FUNDIT:

Demokracia dhe ndërtimi i shtetit

Fushata parazgjedhore vetëm sa ka filluar dhe pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë, i kanë bërë parapërgatitjet e fundit. Por, cila nga partitë do të fiton? apo për kë është siguruar ky afat i zgjedhjeve ? tani më këto nuk janë me rëndësi, sepse në dioptrinë e gjerë analitike me rëndësi është që Kosova të fiton. Dhe kjo është hera e parë që institucionet kosovare organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Andaj, në kuptimin e shtet-ndërtimit në këto zgjedhje do të shihet pragmatizmi i ndërtimit të shtetit dhe sfidat që presin institucionet shtetërore.

Demokracia nuk do të thotë që të gjitha gjërat janë drejt dhe të qarta, por vetë demokracia është koncept kompleks dhe meriton një analizë të thellë sociologjike – politike, sepse ajo (demokracia) me një fjalë është një sfidë për vetë mekanizmin shtetëror. Prandaj, edhe ndërtimi i shtetit dhe kapaciteteve shtetërore varen nga shumë mekanizma tjerë, në mesin e tyre edhe zgjedhje të lira dhe demokratike. Madje, në aspektin e demokracisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prej parimeve bazë të demokracisë si sistem ideologjik – politik. Në këtë drejtim partitë politike duhet të zhvillojnë një fushatë të drejt, të ndershme dhe demokratike, në mënyrë që të shihet pluralizmi politik i vetë këtyre partive politike.


Secila nga partitë politike pothuajse ka bërë rikonstruktime dhe kemi qenë dëshmitarë të asaj që secila parti politike ka bërë ndërrime, duke u bërë kësisoj edhe kalimi e anëtarëve nga një parti në tjetrën. Në secilën parti do të shohim një mobilizim të vetë këtyre partive, secila do të ofron një pasqyrim, dhe objektiva të qarta se cili është misioni i saj dhe çfarë janë planet e saj për qytetarët e Kosovës. Aktualisht jemi hyrë në vitin e dytë të pavarësisë së shtetit të Kosovës, dhe këto janë zgjedhjet e para pas ndërtimit të institucioneve shtetërore, disa nga sfidat tani më janë kaluar, por megjithatë ka mbetur shumë punë për t’u bërë, sepse si shtet i ri, si një shtet i cili po kalon periudhën e tranzicionit, padyshim se ka shumë sfida dhe probleme që nuk do të mjaftonte t’i përmbledhim me një refleksion të shkurtër.

Në dioptrinë analitike sociologjike, ndërtimi i shtetit kërkon që së pari, të gjitha partitë politike të kenë një pluralizëm të brendshëm e pastaj të jashtëm, të pranojnë si humbjen ashtu edhe fitoren. Pastaj, ndërtimi i shtetit kërkon edhe forcimin e shtetit dhe mekanizmave shtetëror në mënyrë që qytetarët të kenë të drejtat e tyre dhe shteti t’i eliminoj problemet dhe preokupimet e tyre deri në atë masë sa mund të ketë kapacitet një shtet, sepse mbi të gjitha në bazë të votave të qytetarëve institucionet shtetërore ekzistojnë, pra vota e qytetarit në këtë rast është e shenjtë !!!

Pluralizmi politik dhe sfidat e ndërtimit të shtetit

Padyshim, se pjesë e demokracisë dhe njëri nga elementet fundamentale të vetë demokracisë është pluralizmi politik. Shteti si një institucion, si një mekanizëm që ka një aparat politik që udhëheq, ai duhet të ofroj një pluralizëm të gjerë. Përmes, këtij pluralizmi partitë politike por, edhe mekanizmat tjerë do të kenë një qasje më pragmatike drejt përmbushjes së objektivave dhe qëllimeve për qytetarët. Sepse, vetë partitë politike janë një lloj organizatash të drejtuara drejt arritjes së kontrollit të ligjshëm të qeverisë nëpërmjet procesit elektoral. Andaj, pluralizmi lejon shprehjen e drejtpërdrejt të pikëpamjeve dhe interesave të kundërta dhe siguron hapsirë për përfaqësimin e alternativave të ndryshme demokratike. Madje, sipas sociologut Max Weber, “ kjo ndihmon në mbrojtjen e shoqërisë nga vendimet arbitrare të udhëheqësve politik dhe nga pushteti i burokratëve ”.

Pra, në këtë kontekst partitë politike kosovare duhet të zhvillojnë një fushat parazgjedhore në atë kuptim që gjërat në terren mos të marrin ndonjë kthesë tjetër dhe të pasqyrohet një hije jo e mirë shtetit kosovar. Prandaj, institucionet që marrin timon në dorë duhet të jenë më fleksibile dhe më të qarta në vetë projektet e tyre, sepse falë votës së qytetarit ato institucione ekzistojnë dhe janë në ato pozita, pra e përfaqësojnë zërin dhe vullnetin e vetë qytetarëve, andaj pavarësisht se cila parti politike do të jetë triumfuese në këto zgjedhje, ato do të përballen me shumë sfida dhe probleme.

Ndërtimi i shtetit, normalisht kërkon kohë, mund dhe jashtëzakonisht përballje me shumë sfida dhe probleme që eventualisht ndërkohë mund të dalin. Lidhur me këtë Francis Fukujama në veprën e tij ,, Ndërtimi i shtetit ‘’ , kur flet për sfidat e shtet-ndërtimit, thekson se shtetet e dobëta dhe të varfra jo vetëm që paraqesin rrezik për rajonin, por ato paraqesin një rrezik potencial edhe për rendin ndërkombëtar dhe si të tilla, ato kanë nevojë për më shumë infuzione nga ndërkombëtarët. Edhe pse realisht shteti nuk mund të mbahet gjatë me infuzione të tilla, vetë institucionet e atij shteti janë ato që mund të krijojnë një menaxhim adekuatë drejt përmbushjes së detyrave të parapara. Andaj, duke mos dashur të thellohemi më shumë në këtë problematik sfidat e ndërtimit të shtetit kosovar që ne i kemi identifikuar mund të jenë :

Së pari, pasi që ka filluar fushata para-zgjedhore, dhe më vonë kemi zgjedhjet brenda një muaji, padyshim se si sfidë të parë e kemi radhitur ,,pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira’’, sepse vetë zgjedhjet e lira janë një sfidë serioze për shtetin e ri të Kosovës, andaj në këtë drejtim të gjitha partitë politike duhet të zhvillojnë fushatë parazgjedhore me maturi dhe pjekuri politike, në atë mënyrë që së pari atë që e theksojnë në fushatë, edhe të praktikojnë në realitet, por edhe fushata si fushatë të ketë shpirtin e pluralizmit politik, që Kosova të dëshmon se është duke shkuar rrugës së një demokratizimi shtet-ndërtimi.

Së dyti, forcimi i rendit dhe ligjit. Rendi dhe ligji janë pjesë e shtyllave fundamentale të demokracisë, edhe pse realisht gjërat janë përmirësuar dukshëm në këtë drejtim, Kosova si shtet i ri ende është në rrugën fillestare të demokratizimit, andaj ka punë për të bërë së bashku me partnerët ndërkombëtar. Praktikimi i ligjeve në esencë është edhe një hap drejt integrimeve në strukturat Euro-Atlantike, dhe normalisht që kërkon kohë, mund dhe një mobilizim të vetë partive politike drejt kësaj rruge. Ligjet si rregulla të miratuara nga shoqëria, në këtë rast nga legjislativi shërbejnë për qytetarët dhe ato në esencë janë një instrument psikologjik drejt stabilizimit dhe ndërtimit të një shteti, e veçmas një shtet të ri.

Së treti, zhvillimi ekonomik. Shpesh flitet në mediat tona për një zhvillim ekonomik, për një qasje konstruktive drejt këtij elementi, megjithatë në esencë kjo ende mungon. Aktualisht, Kosova ka një varfëria të lartë dhe varësisht nga statistikat që mund të ndryshojnë çdo ditë, Elita pushtetare, së bashku me komunat që do të fitojnë në zgjedhje duhet të krijojnë projekte konkrete dhe mekanizma drejt zbutjes së papunësisë, zhvillimit ekonomik, hapjes së vende të reja të punës, etj. Madje, sociologu Giddens thekson se një shtet i fuqishëm demokratik është atëherë kur ekzistojnë të katër elementet : politika (e mirëfilltë), ushtria (një ushtri moderne me të gjitha mekanizmat), kultura dhe së fundi ekonomia, sepse ekonomia është ajo që pothuajse determinon të gjitha elementet, përkatësisht të tria elementet e më sipërm. Në këtë drejtim mund të na shërbejë edhe thënia e Marksit ”Superstruktura dominon infrastrukturën, pra në atë kuptim që zhvillimi ekonomik, ekonomia domininon në të gjitha poret e jetës, e në këtë rast edhe në vetë zhvillimin i hallkave shtetërore.

Si përfundim mund të aludojmë se këto janë vetëm tri nga elementet që i kemi radhitur në këtë refleksion të shkurtër drejt sfidave dhe ndërtimit të shtetit, sepse në paradigmën e gjerë shkencore por edhe empirike, sfidat dhe ndërtimi i kapaciteteve shtetërore kërkon një gamë të gjerë të cilën padyshim së nuk do të mjaftonte t’i thurim me pak rreshta. Së këndejmi, të gjitha këto elemente janë sfidë serioze për shtetin e Kosovës, e veçmas zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sepse për herë të parë organizohen në vetë institucionet shtetërore, dhe normalisht në këtë drejtim paraqesin një sfidë serioze. Ky, është një hap drejt rrugës së integrimit në strukturat Euro-Atlantike, andaj në këtë drejtim nuk është e rëndësishme se cila parti politike do të fiton, por me rëndësi është që Kosova do të fiton e kjo mund të bëhet vetëm me pluralizmin politik, fushatën parazgjedhore në mënyrë të denjë dhe zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike…