LAJMI I FUNDIT:

Ç’model do të ndjekin SHBA-të në Kosovë?

Vendimi i fundit i KZAP për përsëritjen e zgjedhjeve në tre komuna është dëshmia më kuptimplotë e cilësisë së procesit zgjedhor në mbarë Kosovën. Ajo është dëshmi gjithashtu e krizës së institucioneve të administrimit zgjedhor në Kosovë. Por jo thjesht dëshmi e krizës së tyre, por akoma më shumë. Është dëshmi e krizës politike në mbarë institucionet e Kosovës. Ky vendim tregon ndërkaq edhe sesa në mënyrë banale, përdoret mbështetja e faktorit ndërkombëtar për forcimin e institucioneve të Kosovës në rrugën e saj drejt shtetndërtimit. Po i analizoj me radhë përfundimet e një vendimi kaq të veçantë.

Vendimi tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e procesit zgjedhor në Kosovë. Nëse votat janë vjedhur, apo janë prekur në qytete të mëdha si Prizreni, ne duhet të mendojmë se duhet të jetë manipuluar dhe në zona të tjera, por që s’janë anuluar për shkak të faktit se në to kanë fituar partitë e koalicionit qeveritar. Votimet në Prizren, Lipjan dhe Gjilan, po përsëriten sepse për këto vota ankohen partitë e këtij koalicioni. Pra nëse anulohen si problematike votimet e një pjese kaq të rëndësishme të popullsisë – diku tek 25%, dhe po të futim këtu dhe Gjakovën apo Mitrovicën, atëherë duhet të pranosh se manipulimet kanë përcaktuar rezultatin dhe në shkallë kombëtare.


Ndërkohë nëse ankesat për parregullsitë në zgjedhje, vijnë nga partitë në qeverisje, atëherë nëse dëshiron t’i quash ankesa të drejta, ke më shumë arsye për t’i besuar se ato parregullsi kanë ndodhur vërtet. Këto parti kanë shumë më shumë instrumente se të tjerat për të kontrolluar cilësinë e zgjedhjeve, pasi janë në pushtet. Nëse ato ankohen për zgjedhjet, atëherë ne të tjerët, jashtë pushtetit kemi të drejtë me siguri kur ankohemi kundër tyre.

Ka dhe një argument tjetër pse këto vendime tregojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë njollat mbi procesin zgjedhor të Kosovës për pushtetin lokal. Lloji i parregullsive të identifikuara, ishte i përhapur në të gjithë territorin, dhe nuk shoh arsye se pse një parti ka vjedhur apo ka manipuluar vota në Prizren apo në Lipjan dhe nuk paska manipuluar në Mitrovicë apo në Gjakovë ku rasti është pak më specifik. E pse jo dhe në komuna të tjera më të vogla? E keqja është se partitë e qeverisë apo dhe ndonjë parti tjetër në opozitë po ngulmojnë të forcojnë pozitat e tyre në zona të caktuara, diçka që parathotë konsolidimin e ndarjes së brendshme të Kosovës në feude politike. Institucionet zgjedhore të Kosovës praktikisht po i shërbejnë këtij konsolidimi.

Me përsëritjen e raundit të dytë të votimit jemi duke asistuar në një vendim të paprecedent në zgjedhje të tjera gjetkë në Ballkan apo në ndonjë vend tjetër. Ky vendim të paktën de jure don të thotë se procesi zgjedhor kishte aq shumë parregullsi, sa ato nuk mundën të korrigjoheshin në raundin e dytë, por u desh dhe një raund i tretë për përmirësimin e tyre. Pra këto parregullsi që duhet të kenë qenë që në raundin e parë, nuk u qartësuan ligjërisht dhe as nuk u sanuan në raundin e dytë prej institucioneve zgjedhore, por u deshtë një raund i tretë! Kush na garanton se nuk do të ketë raund të katërt? Që do të mbahet diku nga shkurti?

Vendimi, pra tregon për dobësinë e institucioneve zgjedhore në Kosovë të cilat nuk kanë forcën e duhur të certifikojnë rezultate me diferencë të vogël votash siç ishte rasti i Prizrenit. Kjo ndodhi veçanërisht sepse në sherr ishin dy partitë që në “letër”janë më të mëdhatë e skenës politike të Kosovës. Kjo dobësi u vu re dhe nga selektiviteti i përdorur për ankesat. Ndaj ankesave të një partie si e jona, që nuk ka as ushtri për të grabitur vota, as nuk manipulon të vdekurit për rritur artificialisht votat në favor të saj, nuk u lejua rivotim në një raund të dytë, ndërsa ndaj ankesave të PDK dhe LDK, jemi duke detyruar qytetarët që në mes të të ftohtit të dimrit të shkojnë të votojnë dhe njëherë.

Ky vendim i fundit afërmendsh është marrë në presion politik. Ai është dëshmi e krizës së gjithanshme të institucioneve garante të kushtetutshmërisë dhe ligjit në Kosovë siç u duk edhe me prokurorinë apo me gjykatat tona në raste të mëparshme që s’lidhen me zgjedhjet. Ky presion politik i ardhur nga dy partitë qeverisëse PDK dhe LDK tregon edhe sesa e thellë është kriza politike e qeverisë sonë, të cilës i duhej një raund i tretë për të mbijetuar dhe për të arritur ekuilibra të brishtë. Që s’dihet sa do zgjasin.

Edhe një gjë tjetër. KZAP, KQZ, etj janë duke treguar për fat të keq se nuk mund të veprojnë dot pa të huajt në krah apo mbi ta siç ndodhi në zgjedhjet e 2007 apo dhe më parë.

Po vijoj me miqtë ndërkombëtarë. Me një qasje vërtet konstruktive dhe dashamirëse, ata tentuan të minimizojnë difektet e këtyre zgjedhjeve. Për shkak të zhvillimit të seancës së dëgjimit për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ata shumë më shumë sesa ne ishin të interesuar të garantonin apo të flisnin për proces normal zgjedhor. Por vini re, sa të paturpshëm jemi ne me miqtë: e përdorim këtë mbështetje dashamirëse të tyre për të vjedhur vota, pra si licencë për të vjedhur jo në një raund, por në tre raunde! Do t’i kisha këshilluar miqtë të përdornin gjuhë pak më të ashpër: kështu nesër ata do të merreshin me prioritete të tjera të ndihmës ndaj nesh.

E keqja është se askush nuk na garanton se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kemi probleme të njëjta, apo të reja. Hajdutët asnjëherë nuk heqin dorë nga veset e tyre, nëse nuk ndëshkohen. Të paktën unë nuk di ndonjë rast të ngjashëm pendimi të hajdutëve në historinë botërore. Vjedhja ndërkaq është njëlloj, qoftë ordinere, qoftë vjedhje politike. Fatkeqësisht ata që duhet t’i ndëshkojnë hajdutët e votave, KQZ, apo KZAP, institucione në krizë si shumë institucione kosovare, mjerisht po dalin më të dobët, më pa autoritet nga këto zgjedhje sesa ç’ishin para zgjedhjeve. Atëherë i bie që panorama politike në Kosovë nuk mund të ndryshojë asnjëherë me forma demokratike alternance. Alarm, po humbim zgjedhjet. Po humbim rotacionin politik. Sepse nuk po kemi institucione dhe as nuk duam t’i ngremë ato!