LAJMI I FUNDIT:

Cilën inkurajojmë: kulturën apo antikulturën?

“Një këpucë e grisur, e hedhur pranë një kazani plehrash aty në cepin e lagjes, kutërbon erë. Instiktivisht i largohen të gjithë kalimtarët. Madje, disa prej tyre, teksa kalojnë atje, devijojnë disi nga trotuari, dhe nxitimthi lëvizin matanë rrugës…

Të njëjtën këpucë reckamane, ashtu, pa larë (për të ngjarë sa më origjinale), e vendosim brenda një kutie xhami në një muze, me mbishkrimin: “Këpuca e Van Gogh”. Kur, ç’të shohim?! Radhë të gjata njerëzish, me sytë katër shohin me admirim këtë objekt të çmuar. Të gjithë, pa përjashtim, edhe ata që e “njohin” artin rrinë të përhumbur nga “madhështia”, ose ndoshta nga era e saj origjinale. Mahniten, e nuk u besojnë syve. Snobizmi nuk ka brirë.


Së fundmi, në vendin tonë, sikundër ndodh rëndom edhe jashtë, dëgjojmë shpesh të flitet për libra “bestseller”, telenovela “bestseller”, spektakle e reality-show “bestseller” etj., dhe suksesi i korrur nga shitja e këtyre librave, apo edhe nga shikueshmëria e lartë, trumbetohet me të madhe nga autorët, botuesit e drejtuesit e këtyre emisioneve.

“Është bestseller”, thotë me vetëkënaqësi botuesja që e përdor këtë etiketim si argument për të përshkruar cilësinë e librit. Ajo vazhdon vlerësimin me komplimente e lavde, e bindur verbërisht në reklamimin e saj, më shumë sesa në vlerat e botimit që ajo dhe biznesi promovon dhe tregton.

Në çastin kur bashkëbiseduesi argumenton të kundërtën, në analizën që i bën librit botuesja thotë: “Ky është një ‘bestseller’, dhe lexuesi e di më mirë se çfarë është letërsia e vërtetë”.

Ajo vazhdon më tej kur thotë se ky botim lexohet me një frymë. Madje, i ndan bestsellerët sipas stinës, i kategorizon ata në libra për konsum masiv dhe rekomandon edhe vendin ku ky libër duhet lexuar: në plazh, në stolat e parkut, në krevat, në kuzhinë, në banjë.

Në fakt, a tregon, domosdoshmërish cilësi shitja, domethënë, sasia? A është dhe a duhet të jetë numri i blerësve që përcakton vlerat artistike? Ç’është një libër për konsum masiv? Çfarë po konsumon?

E para që të vjen në mënd është domatja. Po ka edhe sallatë, kastravecë, qepë, bukë, djathë, gjalpë, vaj, gjizë, fasule… Ndoshta mollë, portokall, mandarinë, nganjëherë banane… Mund të konsumojmë edhe mezeri apo “fast food”.

Ju kujtojmë disa nga librat bestsellerë të dekadës së fundit, që janë përkthyer edhe në shqip. Përgjithësisht janë me dashuri, me puthje, me pabesi, tradhti, me intrigë. Tërë kolona e Daniel Steel, ku veçojmë “Kohë për Dashuri”, “Pushime në San-Trope”, “Vitet e Dhimbjes”, “Puthja”, “Lojë dashurie” apo “Sa vështirë të besosh”; botimin e Nora Roberts “Pafajësi vrastare”; librin e autores së njohur të bestsellerëve Eva Hunter, “Bisede intime”; bestsellerin “Burra që urrejnë gratë” të Stieg Larsson apo dhe librin “Sekreti” të Rhonda Byrne, me 19 milionë kopje të shitura në mbarë botën…

Subjektet e këtyre bestsellerëve janë shfrytëzuar nga një tjetër industri edhe më fitimprurëse se e para: kinematografia. Pothuaj, të gjithë këto botime janë shndërruar në filma dhe përfitimet e tyre kanë qenë të jashtëzakonshme. Pra, janë fituar para me thasë.

Megjithatë, botuesit dhe autorët e tyre shumë të njohur, pavarësisht jehonës së këtyre librave dhe fitimeve marramendëse, pothuaj nuk kanë guxuar të artikulojnë asnjëherë publikisht që me bestsellerin e tyre të konkurrojnë për çmimet prestigjioze të letërsisë, ndër to edhe për Nobelin.

Janë të tjerë burra e gra ata të listës së shkrimtarëve që kanë marrë këtë çmim në dekadën e fundit: Tomas Transtromer (2011), Mario Vargas Losa (2010), Herta Myller (2009), Jean-Marie Gustave Le Clézio (2008), Doris Lessing (2007), Orhan Pamuk (2006), Harold Pinter (2005), Elfriede Jelinek (2004), John M. Coetzee (2003), Imre Kertész (2002), Sir Vidiadhar Surajprasad Naipaul (2001) apo dhe nobelisti kinez Gao Xingjian.

Madje, botimet e tyre, ndonëse në majat e letërsisë botërore, janë dhjetëra herë më pak të shitur dhe pothuajse gjithmonë flenë në raftet e librave të bibliotekës.

Le t’i bëjmë pak publicitet edhe autorëve tanë të bestsellerëve: i gjen sidomos te xhamat e kioskave të vogla. Ndodhen vetëm ata të vendosur në radhë pranë njëri-tjetrit. Pranë tyre nuk shihet sa Dostojevski, as Kamy, as Kafka, as Kadare e as Agolli. Vitrina është e tëra për ta. Pse janë me përparësi në reklamë?

“Do troç zotëri? Këta e zgjidhin qesen. Na lënë 40-50 për qind e më shumë. Kurse këta, ajka që thua ti, janë fukarenj të shkretët…”, thotë një prej shitësve. “Dinë të bëjnë edhe reklamë. Pastaj, këta shkruajnë për qejf dhe jo për para”.

Bestsellerët tanë shpërndahen edhe në shkolla e lexohen më shumë se Kadare, Agolli, Marko, Spahiu e Kongoli etj.

Jo për publicitet, por për vërtetësi profesionale po ju japim edhe disa adresa kioskash ku “shiten e blihen” këta autorë: pothuaj ngjitur me hyrjen e Bibliotekës Kombëtare, prapa Bankës, në të majtë të rrugës së Kavajës, kini disa kioska radhë, me autorë “bestsellerë, në…

Sot nuk është në “modë” cilësia e librit, por promovimi. Tek “bosët” venë për promovim dhjetëra e qindra personalitete dhe shtrohen darka e bankete, venë shokë e miq. Kurse tek “fukarenjtë”, sido që emra të mëdhenj e të nderuar, “nuk na vinë as miqtë!”, thotë një nga botuesit tanë seriozë, që i injoron bestsellerët.

Shitjen e orienton publiciteti, media, e, ndoshta, edhe kritika e pavarur, d.m.th, miqësore… Kaq. Lexuesi shkon drejt atij botimi për të cilin bëhet më shumë zhurmë. Dhe, shpeshherë zhurma bëhet për ata libra ku fitohen më shumë para.

Po kështu ndodh edhe me televizionet bestseller, si “BBF”, e “Tirana TV” etj. ku promovohen e marrin “famë” këngë të tilla si “Alo, alo, ambulanca/ Zemra ime është sëmurë/ Po ta dija, po ta dija/ S’do ta dashuroja kurrë…”; programi bestseller “Big Brother” ku këto ditë një prej prindërve deklaronte në shtyp se ishte “tip evropian dhe se nuk e kishte problem që vajza të bënte seks në ekran”. Ai thoshte se mjaftonte që vajza e tij të ishte e lumtur…

Të jetë kjo vallë lumturia e prindërore?!

E njëjta “histori” ndodh me telenovelat bestseller si “Gymysh”, “Menekshe dhe Halili”, “Sulejmani i Madhërishëm”, “Tereza”, apo dhe i famshmi “Ezel”. Tërë graria përpiqet të gjejë ngushëllim për fatin e tyre. Aq të përqendruara janë në ndjekjen e serive, saqë në atë orar nuk dëgjohet asgjë në shtëpi. Porositen të gjithë familjarët të heshtin, dhe shpesh nga përqendrimi i madh i zgjon, përkohësisht, era e djegur e gjellës…

Madje, për tu siguruar, ndonjë TV, gazetë apo revistë bestseller, të nesërmen, vazhdon publicitetin nën okielon “Mania Ezel”.

E kuptojmë merakun e botuesve dhe drejtuesve të televizioneve për para, por a duhet luajtur kaq egër në kurriz të cilësisë dhe edukatës qytetare?

Tifozeria për këto produkte bestseller ulë dhe degradon shijet e lexuesve dhe shikuesve, ose thënë shkoqur: shkatërron atë ndërtesë edukuese që me aq mundim e ndërton shkolla e familja.

Tashmë prindërit, përveç luftës me Facebook-un me të cilën fëmijët e tyre merren me orë të tëra, duhet të shkulin ata edhe nga “Big Brotheri” e “Ezeli” (gjithmonë bëhet fjalë për prindër që nuk janë vetë fansa të tyre).

Sigurisht, tregu është treg dhe shet çdo mall. Siç është vënë në dukje nga studiues e shkrimtarë të njohur, është detyrë e shtetit, e Ministrisë së Kulturës, po edhe e botuesve apo drejtuesve të emisioneve që të ndihen pak më shumë “patriotë”, qytetarë dhe evropianë. Tek e fundit, më shumë prindër…

Në Evropë, nuk hyhet as me Daniel Steele, as me “Ezelin”, as me BBF, as me “Big Brother” e as me të vetëshpallurit shkrimtarë e historianë.

Në trend

Më shumë
Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Bundesliga
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina
FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

Lajme
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Kalo në kategori