LAJMI I FUNDIT:

Çfarë faji ka Jahjaga?!

Sikur të kishim zgjedhje korrekte dhe të ndershme, me siguri se nuk do të ballafaqoheshim me problemin e legjitimitetit të presidentes. Kur them zgjedhje korrekte dhe të ndershme të zgjedhjeve, i kam parasysh edhe vjedhjet (masive) të votave qe u bënë ndërmjet bashkëpartiakëve (“patriotëve”) brenda listave të subjekteve partiake.
Sepse, do të kishim një Kuvend me përfaqësues real të qytetarëve, deputetë dinjitozë, e jo një Kuvend me legjitimitet të dyshuar siç është ky, dhe rrjedhimisht do të kishim edhe institucione tjera shtetërore legjitime.

Siç e dimë, Kosova është republikë kuvendore, ku zgjedhja e të gjitha udhëheqësive të institucioneve më të rëndësishme shtetërore bëhet nëpërmes Kuvendit. Do të thotë, kemi Kuvend me deputetë të dyshuar (për mos të thënë hajna) të cilët i kanë zgjedhur (votuar) udhëheqësit e institucioneve shtetërore, që si përfundim i bie se i tërë pushteti (shteti) në Kosovë është me legjitimitet të dyshuar!


Prandaj, duhet ta kemi parasysh këtë fakt krucial para se ta vëmë në dyshim legjitimitetin e znj. Jahjaga si presidente, siç po bëjnë shumë njerëz, shumica e të cilëve shihet qartë se janë duke e bërë nga perspektiva e tyre partiake. Me fjalë të tjera, para se ta akuzojmë znj. Jahjaga për jolegjitimitet, të pyesim: sa legjitimitet kanë institucionet shtetërore të cilat kanë dalë nga zgjedhjet jolegjitime?

Logjikisht, sikurse të kishim zgjedhje korrekte dhe të ndershme, do të kishim edhe deputetë të ndershëm të cilët, para se të votonin, së pari do ta pyesnin ndërgjegjen e vet se a meriton të votohet çështja në fjalë, pa u frikuar se – nëse nuk i merr votat e duhura çështja e caktuar – çka do të ndodhë me atë personalisht. Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja nuk bëhet kiameti, sepse ata të cilët i kanë marrë votat me meritë do të votohen përsëri!

Patjetër, duhet theksuar se zgjedhjet e reja nuk do t’i dëmtonin as proceset. E them këtë sepse individë të caktuar kanë abuzuar goxha shumë me këtë argument. Absolutisht nuk do të kishin kurrfarë pasojash serioze. Shumë më shumë procesi është dëmtuar duke u qeverisur vendi në mënyrë jolegjitime, sesa që do ta dëmtonin zgjedhjet e reja. Në retrospektivë shumë shteteve (edhe atyre me demokraci të zhvilluar) u ka ndodhur që për arsye të ndryshme të mbajnë zgjedhje të reja në afate të shkurta kohore, derisa e kanë zgjidhur problemin.

E tëra që do të na ndodhte neve mbase, do të shtyheshin negociatat teknike (politike) me Serbinë për nja 4-5 muaj. Edhe në këtë kontekst, shumë më mirë do të ishte të pritej deri sa të zgjidheshin përfaqësuesit realë të qytetarëve, të cilët pastaj do të negocionin me Serbinë, sesa kështu, ku në Kuvend i kemi disa që përfaqësojnë “komisionerët dhe hajnat e votave dhe disa kriminelë tjerë”. Me fjalë të tjera, po të kishim zgjedhje të rregullta, ne të gjithë do të kurseheshim nga kjo aferë.

Gjithashtu, po që se në fillim z. Dell me “trojkën” të gjenin një zgjidhje brenda ligjit të zgjedhjes së presidentit, me një marrëveshje ligjore (d.m.th., shkeljen kushtetuese ta zgjidhnin konform kushtetutës), nuk do të kishte nevojë që të iniciohej rezoluta (antikushtetuese) në Kuvend dhe nuk do të insistohej që ndryshimet kushtetuese të bëhen duke u shkelur normat universale juridike, si: p.sh. “parimi i joretroaktivitetit” dhe logjikisht, nuk do të shkaktohej “problemi i legjitimitetit” të presidentës.

Sigurisht se për këtë situatë aspak nuk mund të fajësohet znj. Jahjaga, e cila është në situatë ku nëse e respekton marrëveshjen antikushtetuese e rrezikon karrierën e saj si juriste – oficere e lartë e policisë. Kurse, nëse e respekton Kushtetutën do të ketë presione nga grupe njerëzish të fuqishëm me ambicie për t’u bërë president.