LAJMI I FUNDIT:

Çeçenia – njollosja e një lufte të harruar në kufirin e Evropës

Krijimi i shteteve të reja që dolën nga gjiri i superfuqisë së dikurshme sovjetike dhe aspiratat që këtë të njëjtën ta arrijnë edhe popuj e grupe etnike tjera, në rastin e Çeçenisë sollën te një tragjedi me përmasa të përgjakshme dhe me mbi 100 mijë të vrarë, shumica civilë.

Lufta çeçene për pavarësi apo siç do të quhej nga shumë kush separatizmi çeçen nuk është motivuar nga Islamizmi siç pretendohet të prezantohet sot nga propaganda ruse. Ajo lindi në baza të pastra kombëtare laike dhe me qëllim të krijimit të shtetit të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht.


Fillimisht kur në fillim të viteve të 90-ta lëvizja çeçene për pavarësi po krijonte themelet e para të një shteti jashtë ndikim rus, qeveria ruse është munduar të paraqes faktin që Presidenti Dudajev dha betimin e tij si president mbi kuran – librin e shenjtë mysliman, si një akt që kinse po tregonte karakterin fundamentalist të lëvizjes çeçene për pavarësi. Në fakt kjo mënyrë e betimit kishte të bënte me karakterin dhe përbërjen demografike të vendit, siç do të betohej një President i SHBA-ve mbi bibël.

Në Kushtetutën e parë të Çeçenisë së pavarur e cila hyri në fuqi me 1992, Islami nuk përmendej, siç nuk përmendej decidivisht cilado fe. Në këtë kushtetutë thuhet: “Liria e besimit është e garantuar. Qytetarët e Republikës Çeçene kanë të drejtën të ushtrojnë apo të mos ushtrojnë cilëndo fe, të ushtrojnë ceremoni fetare dhe të ndërmarrin aktivitete fetare që nuk bien ndesh me ligjin”.

Me Presidentin Dudajev si një nacionalist laik, propaganda ruse deri vonë nuk ka arritur të njollos luftën kombëtare çeçene me ndonjë atribut çfarë i mëveshët sot e posaçërisht pas ngjarjeve të 11 Shtatorit. Ndërsa me eliminim e Presidentit të moderuar Aslan Maskhadov, inkurajuan ndikimin më të fortë të qarqeve ekstremiste, vizioni i të cilëve shkon përtej Çeçenisë së pavarur, me ç’rast kryengritësit mund të paraqiten me një imazh krejt tjetër.

Për fat të keq, jo vetëm nga qeveria ruse por edhe për shumë qeveri tjera demokratike, përmendja e problemit çeçen sot në pikëpamjet e tyre të mjegullta dhe pa ndonjë bazë reale, ndërlidhet me fundamentalizmin islamik. Në këtë aspekt makineria propaganduese e Moskës ka arritur të dezorientoi perëndimin duke e trajtuar konfliktin në Çeçeni si pjesë të luftës globale kundër terrorizmit dhe duke i paraqitur kryengritësit si terroristë.

Ky popull i vogël prej diku rreth më pak se 1.5 milion banorësh sot është krejtësisht i lënë mëshirës së fatit. Në agoninë e vuajtjeve çeçene që nuk u ndalet dot, duket se shpresat për ndihmën e shumë pritur nga perëndimi, sot janë të mbyllura me dyer të çelikta, për shkak se diplomacia e përbashkët evropiane, shpesh si pasojë e mos koordinimit adekuat nuk do të lejonte luksin që të trazonte perandorin modern në Kremlin.

Ndonëse shumë organizata të drejtave të njeriut vazhdojnë të jenë kritike ndaj shtypjes së lirisë në Çeçeni, arrestimeve arbitrare dhe zhdukjes pa gjurmë të qytetarëve, vetë qeveritë e shohin të pamundur të ndërhyjnë në këtë çështje. Kriza e shkaktuar nga mos furnizimi me gaz që muaj më parë u krijua si shkak i mosmarrëveshjeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ndoshta tregon vetvetiu arsyen e vërtetë të kësaj tolerance që qeveritë demokratike në përgjithësi po i bëjnë shkeljes së demokracisë në Rusi.

Në rastin e Çeçenisë dhe në përgjithësi me mënyrën e trajtimit të popullsive jo ruse, duket se ngadalë po veniten iluzionet për një Rusi e cila mund të demokratizohet dhe si e tillë të ndikojë në mënyrë konstruktive në proceset politike. Rusifikimi agresiv aktual i viteve të fundit madje edhe po krijon një ambient shpesh edhe racist që jo rrallë shfaqet në rrugët e qyteteve ruse. Në perspektivë do të jetë i dëmshëm për vetë shoqërinë ruse pavarësisht se ai momentalisht fshehët nën petkun e ngritjes së moralit patriotik lehtë të aplikueshëm në një shoqëri qe nuk përjetoi asnjëherë përfundimin real të monizmit.

Ndërgjegjja e diplomacive perëndimore nën hijen e trajtimit të konfliktit si të islamizuar, e konsideron konfliktin në Çeçeni si një kapitull të mbyllur për të. Ndërkohë rezistenca guerile atje po vazhdon dhe është përhapur edhe në republika të tjera të Kaukazit verior duke kërcënuar seriozisht stabilitetin e pretenduar nga Bashkimi Evropian në politikën e tij të fqinjësisë që mëton të ndikoj në krijimin e paqes në vendet përreth në mënyrë që vet BE të jetë larg zonave të konfliktit.

Në fakt, invadimi rus verën e kaluar në Gjeorgji, dhe pushtimi ushtarak që i bëri pjesëve të këtij shteti tregoi edhe njëherë efektet e mbylljes së syve para krimeve të diktatorit. Ky lloj diktatorësh do të sulmoj kudo në momentin që vlerëson se mund të përfitoj nga të përqendruarit diku tjetër i shteteve që sot bartin vlerat perëndimore. Po të bënim një analogji me kasapin e Ballkanit Millosheviq, do të na rikujtohet hezitimi perëndimor për të ndal luftën në Kroaci, vetëm një vit më vonë do të shkaktohej tragjedia e Bosnjës dhe më pas edhe lufta në Kosovë dhe dëbimi i popullsisë së saj si një eksod i përmasave biblike. Është veti e diktatorëve të mos ndalen derisa të mposhten ushtarakisht apo politikisht.

Post Scriptum:

Me 16 Prill, Qeveria ruse deklaroi zyrtarisht se shfuqizohet vendimi për “shpalljen e territorit të Republikës Çeçene zonë të operacioneve kundër-terroriste” duke aluduar se fushata ushtarake ka përfunduar. Kryengritësit lëshuan mesazhin se rezistenca vazhdon.