LAJMI I FUNDIT:

Bush kërkon miratimin e paketës

Bush kërkon miratimin e paketës

Presidenti amerikan, George Bush ka paralajmëruar se ekonomia amerikane është në rrezik në qoftë se Kongresi nuk e miraton shpejt paketën e tij të emergjencës. Kjo paketë ka një vlerë 700 miliardë dollarë dhe synon të përballojë krizën financiare që po kalon vendi.

Në një fjalim televiziv para kombit, Bush tha se besonte thellësisht në forcat e lira të tregut, por tha se ishte e qartë se këto tregje nuk kishin funksionuar si duhet. Ai tha se ndërhyrja e vendosur e qeverisë ishte thelbësore për riaktivizimin e tregut të kredive dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.

"Asetet financiare që janë të lidhura me kreditë e shtëpive, kanë humbur vlerë si rezultat i rënies së çmimeve të shtëpive, ndërsa bankat që i mbajnë këto asete, kanë kufizuar dhënien e kredive. Si pasojë e kësaj, e gjithë ekonomia jonë rrezikohet. Ky plan shpëtimi nuk synon të ruajë një kompani apo industri të veçantë, por gjithë ekonominë amerikane. Ai do t’iu dërgojë një sinjal tregjeve kudo në botë se sistemi financiar amerikan është sërish në binarë", tha presidenti Bush.

Në një përpjekje për të zgjeruar mbështetjen politike për këtë plan shpëtimi, presidenti Bush tha se të enjten do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me dy kandidatët presidencialë, John McCain dhe Barack Obama si dhe me udhëheqësit e Kongresit. /bbc/