LAJMI I FUNDIT:

Bursat, rënie në katër anët e botës

Bursat, rënie në katër anët e botës

Bursat kryesore të botës në Lindje e në Perëndim, pësuan rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, si pasojë e faktit se investitorët e vlerësuan si të pamjaftueshëm planin e qeverisë amerikane për të shpëtuar dy gjigantët e kreditimit, “Freddie Mac” dhe “Fannie Mae” nga falimentimi. Dollari ra në një nivel të ri të ulët përtej kuotës prej 1.6 dollarë për euro.

Shpresat e investitorëve për të gjetur lëndina të sigurta për paratë e veta, solli rritjen e çmimit të arit. Interesat e bondeve të tregtueshme të korporatave u ulën, ndërsa investitorët kërkuan investime të sigurta në tituj borxhesh të shteteve.

Rezervat Federale në SHBA njoftuan të dielën një plan shpëtimi për dy gjigantët e kreditimit. Fillimisht tregjet reaguan pozitivisht, por shpejt, u pa se vetë deklarata e Rezervës Federale, tregonte për gjendjen e vështirë ekonomike të SHBA-ve. Treguesit e vlerës së aksioneve në Nju Jork, ranë me 1.8 deri në 2%.

Tregjet aziatike u goditën edhe më rëndë. Aksionet në Indi humbën mesatarisht 4 deri në 8.5% Në Hong Kong, aksionet ranë me 3.8%, ku aksionet e Bankës Kineze të Ndërtimit ranë me 4%. Në Europë, FTSE 300, treguesi që shfaq vlerën e aksioneve të 300 kompanive më të rëndësishme të kontinentit, ra në 1.5%.


Ari u rrit deri në 983.5 dollarë për onç. (Onçi është i barabartë me 31.1 gramë).

Lajme të këqija pati edhe nga Gjermania. Treguesi i besimit të investitorëve, një raport që hartohet periodikisht nga Instituti Ekonomik i Gjermanisë, ra në nivelin më të ulët në 17 vjet.

Investitorët druhen se Gjermania do të vuajë një recesion ekonomik me përmasa të konsiderueshme si pasojë e problemeve globale. Megjithatë, disa ekonomistë, mendojnë se Indeksi është disi jo shumë i besueshëm, për shkak se gjatë tre viteve të fundit, investitorët kanë shprehur frikën e recesionit në më shumë se 50% të rasteve, por kanë qenë gjithmonë të gabuar.