LAJMI I FUNDIT:

Bursa e Tiranës: gati, në vitin 2009

Bursa e Tiranës: gati, në vitin 2009

Bursa e Tiranës do të nisë punën vitin e ardhshëm. Lajmin e ka dhënë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat që tregu i kapitaleve të bëhet efektiv, pas më shumë se një dekade përpjekjesh.

Shqipëria është edhe vendi i vetëm në Europë që nuk ka një bursë për listimin e kompanive dhe tregtimin e letrave me vlerë.

“Bursa e Tiranës do të fillojë punë në vitin 2009. Ne presim që si fillim, të listohen pesë kompani që plotësojnë kriteret”, ka bërë të ditur Ruli.

Mësohet, se për bërjen efektive të bursës po punojnë ekspertët e USAID-it. Ata janë duke punuar për hartimin e një projekti të bazuar në eksperiencën polake.


Funksioni i bursës është shumë i rëndësishëm për një ekonomi, pasi iu jep mundësi njerëzve që të investojnë. Ky institucion, është shumë i rëndësishëm edhe për kompanitë, pasi nëpërmjet një tregu efektiv kapitalesh mund të sigurojnë burime të reja financimi.

Por, listimi në bursë i bizneseve kërkon gjithashtu, plotësimin e disa kritereve prej tyre, ku kryesori është të paturit vetëm një bilanc. Aktualisht, në Shqipëri një pjesë e mirë e shoqërive punojnë me më shumë se një bilanc, me qëllim që të fshehin fitimet e tyre dhe të paguajnë më pak taksa e tatime.

Funksionimi i Bursës së Tiranës është edhe një kusht i Bashkimit Europian, pasi kërkohet krijimi i një tregu global kapitalesh. Në këtë mënyrë shtohen mundësitë e investitorëve të huaj për të investuar para në Shqipëri.