LAJMI I FUNDIT:

Burgosja e djalit të Ismail Qemalit dhe denigrimi i trashëgimtarëve të tij nga regjimi komunist në Shqipëri

Burgosja e djalit të Ismail Qemalit dhe denigrimi i trashëgimtarëve të tij nga regjimi komunist në Shqipëri

Nga: Dashnor Kaloçi

Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Qamil Vlora u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje ndërsa, familja e tij, deri në fund të regjimit komunist u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë.

Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.; bashkëshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë) cila tregon historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës – djalit të vogël të Ismail bej Qemalit.


“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist nuk ia arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.

Duke mos pranuar bashkëpunimin me ta, Qamili u arrestua me akuzën “armëmbajtje pa leje” dhe u dënua me dy vjet heqje lirie. Në burg u bë me turbekuloz. Vdiq në Tiranë, më 15 dhjetor 1950. Pas vdekjes, familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.

***

Plaku i Vlorës që ka hyrë në historinë e Shqipërisë, me aktin patriotik të ngritjes së flamurit e shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e 1912-ës, ishte martuar me një vajzë greke të quajtur Kleoniki, me të cilën patën 10 fëmijë – gjashtë djem e katër vajza (një vajzë nuk i jetoi). Tri vajzat ishin në moshë më të madhe se djemtë: Mahmudi, Tahiri, Ibrahimi, Ahmedi, Qazimi dhe Qamili, të cilët kishin lindur të gjithë në Stamboll, kur Ismail Qemali ishte deputet në parlamentin turk.

Djali i madh Mahmudi (lindi në 1871-in), që në moshë të re punoi në Ministrinë e Drejtësisë në Stamboll dhe u dënua nga Sulltani pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Turqia, duke u internuar për shtatë vjet në Bitlis. Pas kësaj, ai u bashkua me familjen në vitin 1908, kur fitoi revolucioni i turqve të rinj. Mahmudi u largua bashkë me gjithë familjen e tij nga Shqipëria, kur Ismail Qemali dha dorëheqjen nga qeveria që kryesonte dhe ai vdiq në Vlorë, në shkurt të vitit 1920 (në moshën 49 vjeçare) dhe la tre fëmijë me gruan e tij franceze.

Tahiri, djali i dytë (lindi në 1875-ën), studioi dhe u diplomua në shkollën e Marinës Luftarake në Turqi, ishte këshilltar i kësaj fushe në Këshillin e Lartë të Shtetit. Edhe ky, si vëllai Mahmudi, u internua në Tripoli, ku vuajti disa vjet dënimin. Pas arratisjes së Ismail Qemalit në Londër, Sulltani dërgoi Tahirin për ta bindur babanë që të kthehej në Stamboll, por Ismali beu nuk pranoi. Atëherë, Tahiri i kërkoi babait tij të rrinte me të, por i ati nuk pranoi dhe e urdhëroi që të kthehej në Stamboll, pasi i kishte dhënë fjalën e nderit Sulltanit, për ta kryer atë mision. Edhe Tahiri u largua së bashku me familjen më 1914 nga Shqipëria dhe u kthye përsëri në atdhe në vitin 1919. Vitet e fundit të jetës i kaloi në varfëri, me një pension të lidhur nga qeveria e Zogut, ndaj të cilit ai ishte një kundërshtar i vendosur. Tahiri nuk ishte i martuar dhe vdiq në Paris, në 10 qershor të vitit 1932 (shtypi shqiptar shkroi asokohe se ai kishte vrarë veten) dhe u varros në varrezat franceze “Thiais”, ku më pas është varrosur dhe Mbreti Zog.

Ibrahimi, djali i tretë (njihet ndryshe si Et’hemi), lindi në vitin 1885 dhe Ismail Qemali e mori me vete, kur u arratis nga Turqia, së bashku me dy djemtë e tjerë, Xhevdetin e Qazimin. Ibrahimi e shoqëroi babanë e tij kudo dhe, në nëntorin e 1912-ës, ai u caktua në krye të një kompanie ushtarësh të priste Ismail beun që po vinte për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Karrierën e tij si oficer e filloi pak kohë, pas nëntorit të 1912-ës dhe ai qëndroi pranë të atit në të gjithë aktivitetin e tij patriotik dhe e shoqëroi atë, së bashku me vëllain tjetër Qazimin, deri në Konferencën e Londrës në 1913-ën. Po kështu, Ibrahimi u zgjodh si përfaqësues i delegacionit të shqiptarëve të Amerikës, ne Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920. Vdiq më 7 maj të vitit 1937, në Tiranë, dhe varrimi i tij u krye me ceremoni të mëdha. Vdekjes së tij asokohe i bënë jehonë të madhe të gjitha gazetat e kohës. Ibrahimi ishte martuar me një vajzë nga familja e njohur tiranase, Toptani, por ata nuk lanë fëmijë.

Ahmeti, djali i katërt lindi në Stamboll në vitin 1910). Për të nuk ka shumë të dhëna pasi ai vdiq shumë i ri, në moshën 20 vjeçare (i pamartuar) nga sëmundja e tuberkulozit, pasi u kurua në një klinikë private në Leysin të Zvicrës.

Qazimi djali i pestë (lindi në vitin 1893), qëndroi gjithmonë pranë të atit dhe ishte shoqërues i tij. Në vitet 1910-1912 është marrë me furnizimin me armë të kryengritësve shqiptarë që luftonin për shpalljen e pavarësisë. Thuhet se Qazimi kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe Ismail Qemali thoshte shpesh se “Qazimi ishte memoria e tij, pasi e pyeste atë për çdo gjë”. Më 1921, ai hodhi kandidaturën për deputet në Vlorë, por nuk fitoi. Në vitet 1940, Qazimi jetoi me një pension të vogël që ia kishte lidhur qeveria shqiptare e Monarkisë së Zogut. Qazimi ishte martuar në Tiranë me Behije Ohrin dhe nuk patën fëmijë. Ishte kundërshtar i rreptë i regjimit komunist dhe për këtë arsye u largua nga Shqipëria e u vendos në Strugë ku vdiq në dhjetor të vitit 1953, në varfëri të plotë. Thuhet se Qazimi pati trashëguar pjesën më të madhe të arkivit dokumentar të babait të tij (midis të tjerash edhe dokumentin origjinal të aktit të shpalljes së pavarësisë) dhe, pas vdekjes së tij, në qytetin e Strugës mbërriti një automjet nga Beograd i cili i sekuestroi të gjitha ato dhe për fatin e tyre nuk ka asnjë të dhënë.

Qamili, i cili ishte i vogli i fëmijëve të Ismail bej Vlorës (lindi në vitin 1895) pati “fatin” të jetonte dhe pas viti 1944 kur në Shqipëri erdhën në pushtet komunistët, me në krye Enver Hoxhën. Gjatë viteve që familja Vlora banonte në Stamboll, u shkollua dhe qëndroi aty, derisa përfundoi studimet në Shkencat Politike. Në vitet 1926-’32, Qamili shërbeu në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ku mbuloi dhe detyrën e zëvendësdrejtorit administrativ e konsullor. Për aktivitetin e tij diplomatik, në vitin 1926 Qamili u dekorua nga Presidenti i Francës, Gaston Doumergue, me dekoratën e lartë “Chevalier de la Legion d` Honneur” dhe në vitin 1928, nga Qeveria shqiptare e kryeministrit Ahmet Zogu, me dekoratën “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”. Ndonëse Qamili ishte i ngarkuar në një detyrë të lartë, ishte kundërshtar i Mbretit Zog dhe i regjimit monarkik. Nisur nga ky fakt, në gushtin e vitit 1932, së bashku me familjen e tij (gruan dhe dy djemtë, Ismailin e Xhevdetin), u larguan për në Beograd. Largimi i Qamilit nga Shqipëria erdhi si pasojë e akuzave që u bënë ndaj tij, si pjesëmarrës në “Lëvizjen e Vlorës”, ku një grup i madh ish-funksionarësh dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, kishin bërë një plan dhe donin të rrëzonin Ahmet Zogun. Nuk dihet me saktësi se deri në çfarë shkalle ishte implikimi i Qamilit në atë ngjarje që asokohe u konsiderua si një tentativë për “grusht shteti”, por akuzat që u bënë ndaj tij nuk ishin pa baza. Nga Jugosllavia, me ndihmën e mikut tij, francezit Justin Gothard, Qamili mundi të largohej për në Francë, ku ai bashku me familjen qëndruan në Paris deri nga viti 1936, kur qeveria franceze largoi një pjesë të mirë të emigrantëve politikë shqiptarë (antizogistë) nga Franca. Nga viti 1936 deri më 1940, Qamili jetoi me familjen e tij në Zemun (në periferi të  Beogradit).

Pasi qëndroi në emigracion për afro tetë vjet, më 1940 Qamili u kthye familjarisht në Shqipëri dhe u vendos në shtëpinë e tij në Tiranë (në një vilë aty ku sot është rruga “Qemal Stafa”), të cilën e kishte lënë qëkur u arratis nga Shqipëria, pasi Zogu nuk ia kishte sekuestruar. Në vitin 1940, nga të gjashtë djemtë e Ismail Qemalit jetonte ende vetëm Qazimi, pasi të tjerët kishin vdekur prej kohësh. Që me ardhjen e tij në Tiranë, Qamili u thirr nga qeveria shqiptare (nën pushtimin fashist) dhe filloi punë si këshilltar në Këshillin e Lartë të Shtetit. Në atë kohë, djali i Qamilit, Ismaili, që kishte marrë emrin e gjyshit të tij, mundi të marrë një bursë shteti nga qeveria shqiptare, të cilën ia akorduan me propozim të parisë së rrethit të Vlorës, si nip i Ismail Qemal Vlorës, për të studiuar në Vjenë. Ismaili i ri shkoi në Vjenë dhe filloi studimet në fakultetin e Mjekësisë, në kryeqytetin austriak. Por, në vitin 1942, pasi në Austri kishte filluar lufta, familja e tij u tremb se mos i ndodhte gjë dhe e ëma, Hylvija, i bëri një telegram që ai të kthehej urgjent në Shqipëri. Ismaili u kthye në Tiranë dhe në mënyrë që ai të mos shkonte më në Vjenë, familja e tij e fejoi me Esma Hurshitin, vajzën e djalit të Javer Bej Hurshitit.

***

Esma Hurshiti Vlora kujtonte: “Në atë kohë ne e kishim shtëpinë aty ku sot është rruga ‘Qemal Stafa’ dhe pak më tej në atë rrugë, banonte dhe familja e Qamil Vlorës, djalit të Ismail Qemalit. Unë, si vajzë e re, i kisha shumë merak lulet dhe dilja çdo mëngjes në oborr për t’i vaditur ato. Kështu më takonte mua t`ia hapja portën Qamilit, që ishte shok i ngushtë i vjehrrit tim, Javerit, të cilin e thërriste për të shkuar në punë në Këshillin e Shtetit. Disa miq të përbashkët të dy familjeve tona, i sugjeruan Qamil Vlorës që unë të fejohesha me djalin e tij, Ismailin. Për të më kërkuar mua, në familjen tonë erdhi vetë Qamili, i cili bisedoi me gjyshin tim, Javer Hurshitin, që ishte dhe miku më i ngushtë i tij.

Kjo gjë ka ndodhur aty nga fundi i tetorit të vitit 1944, pasi familja ime mori dhe pëlqimin tim për fejesën që do të bëhej dhe aty nga fundi i muajit nëntor, unë shkova në burg që të merrja dhe pëlqimin e babait tim Mehmetit, të cilin e arrestuan ato ditë, së bashku me babanë e tij Javer Hurshitin. Më kujtohet si tani ajo ditë e fundit të nëntorit të vitit 1944, kur shtëpinë tonë, atje ku sot është rruga ‘Qemal Stafa’, e rrethuan me policë të shumtë. Ishte mëngjes dhe ne fëmijët u trembëm shumë nga sjelljet e policëve.

Babai ma dha menjëherë pëlqimin, duke thënë se e kishte për nder që ta jepte vajzën në familjen e djalit të Ismail Qemalit, me të cilët ne kishim një miqësi të ngushtë. Ndonëse familja e babait tim kishte qenë një ndër familjet më të pasura të Gjirokastrës, në atë kohë ne nuk bëmë ndonjë ceremoni të madhe për fejesën tone! Kurse, familja Vlora, mundi që ta bënte ceremoninë e fejesës, ndonëse shtëpia e tyre tek ‘Moskatet’ ishte prishur disi, pasi aty kishin luftuar partizanët për çlirimin e Tiranës.

Fejesa ime me Ismail Vlorën nuk u pëlqye nga komunistët në Tiranë, pasi unë isha mbesa e një ish-ministri dhe prefekti që ata e konsideronin si armik të tyre. Lidhur me këtë, në atë kohë, komunistët e thirrën Ismailin dhe i bënë presione të ndryshme që të më linte mua. Kjo gjë u bë sepse komunistët e konsideronin Ismailin si njeriun e tyre, pasi ai vërtet, që nga viti 1942 kur u kthye në Shqipëri, u lidh me Hysni Kapon e Manush Myftiun dhe mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste.

Krerët e lartë komunistë, nuk pranuan që Ismaili të shkonte në Vlorë, duke parë popullaritetin e madh, që kishte familja e tij në atë qytet, gjë e cila do të linte në hije parinë e komunistëve, që vepronin në rrethin e Vlorës. Në atë kohë, përveç miqësisë së ngushtë që Qamili kishte me Manush Myftiun, (Manushi ishte nip i gruas së Javer Hurshitit), ai pati miqësi të ngushtë dhe me disa komunistë të tjerë, si: Muhamet Perja, Refit Bezhani, Mexhit Hanku etj.

Ismaili as nuk donte t`ia dinte për presionet që i bënë komunistët dhe që pas asaj ai filloi ftohjen, për t`u ndarë përgjithmonë prej tyre. Kështu fejesa jonë zgjati rreth një vit e gjysmë dhe ne u martuam aty nga mesi i vitit 1946. Pas martesës, unë së bashku me Ismailin banuam tek shtëpia e tij tek Moskatet, së bashku me dy prindërit dhe vëllain më të vogël Xhevdetin”.

Në takim me Mehmet Shehun, Qamili tregoi se ishte kundër dënimit të Javer Hurshitit dhe grupit të madh të ish-politikanëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të qeverive të mëparshme, që ishin arrestuar e pritej të pushkatoheshin. Por, pasi Mehmet Shehu dhe disa funksionarë të lartë të shtetit komunist të asaj kohe – me të cilët u takuam më pas – nuk arritën ta bënin për vete Qamilin, vendosën arrestimin e tij. Madje, meqë krijuan armiqësi me trashëgimtarin e Ismail Qemalit, ia ndërrojnë mbiemrin në Vlora, për të zhdukur çdo lloj lidhje midis me patriotin e madh.

Arsyet e arrestimit të tij ishin të qarta, kurse preteksti për ta dënuar atë ishte nga më banalët: armëmbajtje pa leje. Asokohe Qamili kishte një revolver me dorezë fildishi dhe të larë të gjithin me ar, të cilin e kishte kujtimin më të shtrenjtë nga babai tij, Ismail Qemali. Ndonëse Qamili e mbante të fshehur, pasi e dinte pozitën dhe raportet e tij me shtetin komunist, ajo gjë u zbulua nga Sigurimi i Shtetit.

Kështu, nga fillimi i vitit 1947, Sigurimi i Shtetit bëri arrestimin e tij, kur Qamili ishte duke punuar si punëtor në një shtypshkronjë shtetërore.

Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora kujtonte: “Për arrestimin e Qamilit, ne si familje nuk u lajmëruam fare; atë gjë e mësuam pasi u interesuan dy djemtë e tij, Ismali me Xhevdetin. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, Qamili u dënua me dy vjet burg, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, për revolverin që e kishte kujtim nga i ati. As kur doli në gjyqi ne nuk morëm pjesë, se nuk na lajmëruan. Mundëm që ta takojmë atë, vetëm kur filloi të vuante dënimin të cilin Qamili e bëri në burgun e Tiranës. Atë e dërgonin për të punuar në Laprakë, ku ishte një stacion për rritjen e krimbit të mëndafshit dhe, gjatë asaj kohe, nga lagështia u sëmur rëndë dhe u bë me tuberkuloz.

Pas dënimit të Qamilit, familja jonë ngeli në një gjendje shumë të keqe ekonomike, pasi nuk ishte asnjë të ardhur. Bashkëshorti im, Ismaili, në atë kohë ishte pa punë, pasi nuk e afronte njeri, ndonëse kishte studiuar dy vjet për Mjekësi në Universitetin e Vjenës. Ismaili mundohej të gjente ndonjë punë krahu, sa për të nxjerrë ndonjë të ardhur, duke shkuar herë pas here fshatrave të Tiranës. Nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën u ndodh familja Vlora, filluan që të shisnin mobiliet e plaçkat e shtëpisë, për të jetuar”.

Regjimi komunist dënoi me dy vjet burg djalin e Ismail Qemalit.

“Në atë kohë që Qamili vuante nga sëmundja e rëndë e turbekulozit në një spital të Tiranës (aneksi i Sanatoriumit), bashkëshorti im, Ismaili, kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Korçës. Duke e ndjerë shëndetin që po i keqësohej dita-ditës, Qamili i bëri disa lutje qeverisë që t`ia sillnin djalin, Ismailin, me shërbim në Tiranë, në mënyrë që ai të kishte mundësi ta takonte ndonjëherë. Por, edhe pas letrave të shumta që ai bëri, jo vetëm që nuk ja plotësuan kërkesën për ta sjellë Ismailin në Tiranë, por nuk i kthyen asnjëherë përgjigje”. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Qamil Vlorës pas sëmundjes së tuberkulozit, filloi të rëndohej akoma më shumë, kur ai shikonte se si trajtohej nga regjimi komunist në fuqi, familja e tij. Ndonëse në këtë gjendje të rëndë, mundohej t`i jepte kurajo familjes. Kështu, në një letër që i dërgonte djalit të madh Ismailit, më 9 shkurt të vitit 1950, në mes të tjerash Qamili i shkruante: ‘Ismaili im i dashur, gjithë jetën time u përpoqa që ju dy djemtë e mi të jeni të kënaqur dhe të lumtur, e të mos kuptoni mizeriet morale dhe materiale të kësaj jete. Besoj se deri-diku dhe megjithëse nuk disponoj pasuri, ju rrita me përkëdhelje dhe në mos më mirë, baras me shokët tuaj, më të favorizuar mbase në të tilla situata. Tashti që u plaka dhe për fat të keq më preku një sëmundje që s`ka mëshirë, nuk jam më në gjendje të përpiqem, por vetëm që të uroj dhe lus që të jeni të lumtur. Por, me anën e kësaj letre, dua të them se je mjaft i pjekur nga mosha, për të kuptuar se bota nuk është fushë lumturie dhe se njerëzit nuk janë si i idealizojmë ne, por janë të shtyrë nga pasionet e tyre. Kështu, duke ditur këtë fakt, duhet të forcohemi për t`i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervoi fati …’, e mbyllte letrën e tij Qamili”.

Qamil Vlora vdiq në mjerim të thellë, më 15 dhjetor të vitit 1950, pas dy vjetësh kurimi në aneksin e Sanatoriumit të Tiranës, i harruar krejtësisht nga shteti komunist i asaj kohe. Lidhur me vdekjen e Qamilit, Esma Vlora, gruaja e djalit të tij, Ismailit, kujtonte: “Në atë kohë që vdiq vjehrri im, Qamili, bashkëshorti im, Ismaili, sapo ishte liruar nga ushtria. Gjendja ekonomike e familjes sonë ishte përkeqësuar mjaft, për shkak se shteti na shihte si kundërshtarë politik të tyre dhe na sulmonte në mënyra të kamufluara, me të butë, pasi në një farë mënyre donte të ruante edhe figurën e Ismail Qemalit.

Por edhe pse mundohej që ta ruante këtë etiketë, qëndrimi i shtetit komunist ndaj familjes sonë dukej hapur. Kështu, në varrimin e Qamilit nuk pati guximin që të vinte asnjëri, por e kemi varrosur ne të familjes, unë, burri im, Ismaili, vëllai i tij Xhevdeti dhe nëna e tyre së bashku me dy komshi që na ndihmuan. Pas vdekjes së Qamilit, familjes sonë ju shtuan edhe më tepër problemet, sepse sa herë që në Tiranë bëheshin shpërngulje dhe internime, ne rrinim gjithë frikë se mos do të na internonin dhe ne, duke na hequr nga Tirana. Por, për fat të mirë kjo gjë nuk ndodhi, jo se na donin ne, por sepse regjimi komunist, siç thashë, mundohej që të ruante disi etiketën ndaj familjes së Ismail Qemalit …

 Në atë kohë, shtëpinë që kishim tek ‘Moskatet’ ia lamë Xhevdetit, vëllait të Ismailit, pasi ai u martua dhe u bë me fëmijë. Ne shkuam dhe u strehuam tek motra ime, në një shtëpi afër Ministrisë së Arsimit (asokohe Ambasada Sovjetike), që ishte shumë ngushtë për vete dhe ne detyroheshim të banonim në një korridor të ngushtë.

Ismaili nuk e duronte dot qëndrimin që mbante shteti komunist ndaj familjes sonë dhe pakënaqësinë e tij e shprehte gjithmonë hapur me ne dhe ndonjëherë edhe me shokët e tij. Duke parë gjendjen e mjerueshme ku jetonim ne, Ismaili, tepër i revoltuar, shkoi në Kuvendin Popullor dhe ju tha atyre që e pritën në takim se, në rast se nuk do t’i jepnin një apartament për të jetuar, ai do të merrte gruan me gjithë fëmijët e vegjël e do ti linte përpara ndërtesës së Kuvendit Popullor, që ta shihte e gjithë Tirana se si trajtohej familja e djalit të Ismail Qemalit, duke u lënë pa shtëpi në mes të katër rrugëve. Pas kësaj, si duket ata u frikësuan dhe duke e njohur mirë temperamentin e Ismailit, na dhanë këtë shtëpi (një apartament afër Sheshit ‘Uillson’)”,

Ndonëse shteti komunist detyrua që t`i jepte një apartament të vogël Ismail Qemalit të ri, ndaj tij nuk u kujdes kurrë që ta ndihmonte për të punuar, të paktën si ndihmës mjek. Ndonëse mundi të rregullonte për disa kohë një punë si llogaritar, e hoqën menjëherë nga ai vend dhe përfundoi si tornitor me tre turne, në uzinën “Enver”. Edhe në atë uzinë u trajtua shumë keq, duke e lënë të punonte gjithmonë në tornot më të vjetra, ku ai nuk mundej ta realizonte asnjëherë normën dhe mezi merrte gjysmën e pagës. Pas shumë vitesh në atë punë, Ismaili u largua që andej dhe mezi e rregulloi të punonte si punëtor në Fabrikën e Bukës, ku doli në pension aty nga viti 1980. Të njëjtin fat, në mos dhe më keq, pati dhe Esmaja, bashkëshortja e Ismailit, të cilën nuk e lanë që të punonte as si pastruese në shkollën “Petro Nini Luarasi”, por e larguan menjëherë që andej, sapo e morën vesh biografinë e saj.

Sipas dëshmive të Esma Hurshiti Vlora, gjëja tjetër që e rëndonte Ismail Qemalin e ri, derisa qe gjallë, ishte mospërfillja që krerët më të lartë të shtetit komunist mbajtën ndaj familjes Vlora, të cilët nuk u thirrën asnjëherë në festat dhe ceremonitë zyrtare që organizoheshin në Vlorë e në Tiranë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Tepër i indinjuar nga kjo gjë, Ismaili mundohej gjithë vitin që të kursente dhe kur vinte fundi i nëntorit, merrte familjen, duke shkuar me tren në Vlorë, për të vendosur një tufë me lule pranë varrit të gjyshit të tij, Ismail bej Qemalit. /memorie.al/