LAJMI I FUNDIT:

Bulizmi, një dëm afatgjatë

Bulizmi, një dëm afatgjatë

Më të shkurtër, më të shëndoshë, më pak të bukur, me syze apo tela në dhëmbë. Fëmijët e turpshëm që nuk u kthejnë përgjigje flakë për flakë “shigjetimeve” të shokëve më “të fortë” janë viktima të fenomenit të njohur kohët e fundit si bulizëm.

Një studim i kryer kohët e fundit nga Duke University në Karolinën e Veriut ka arritur në përfundimin se ata që e përjetojnë këtë lloj traume në fëmijëri janë të prirur ta mbartin atë me vete gjithë jetën. Me kalimin e viteve, ky fenomen shndërrohet në ankth, shqetësime depresive dhe panik, që mund të çojë edhe drejt vetëvrasjes.

Studimi ka mbajtur nën vëzhgim sjelljen e 1420 fëmijëve nga mosha 9 deri në 13 vjeç dhe është publikuar në revistën “JAMA Psychiatry”. Ky mund të jetë studimi më i plotë në këtë fushë, pasi të dhënat janë mbledhur përgjatë 20 viteve, duke sjellë rezultate të plota dhe të sakta mbi pasojat e bulizmit në terma afatgjatë.


“Plagët” e padukshme lënë gjurmë që fëmija i merr me vete përgjatë viteve. Studimi tregon se ata që ishin tallur herë pas here nga shokët në fëmijëri (duke marrë në konsideratë edhe faktorë si problemet familjare, gjendja socio-ekonomike etj) kishin risk më të madh për t’u përballur me shqetësime psikologjike, depresion, panik dhe agorafobi në moshë të rritur. Madje, disa prej tyre kishin edhe mendime vetëvrasëse.

Studiuesit thonë se pavarësisht se në moshë të rritur, këta persona i shpëtojnë bulizmit, eksperiencat e fëmijërisë kanë lënë gjurmë të thella. Në këtë mënyrë, ata theksojnë se duhet parandaluar bulizmi në fëmijëri, si një mënyrë për t’u dalë përpara shumë problemeve individuale dhe sociale në të ardhmen. /Telegrafi/