LAJMI I FUNDIT:

Bujar Kokonozi dekorohet me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Bujar Kokonozi dekorohet me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, artistin e shquar, regjisorin dhe drejtorin e fotografisë, aktualisht drejtor artistik i Televizionit kombëtar “Top Channel”, Bujar Kokonozi, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e medias elektronike shqiptare, për të komunikuar tek publiku emisione me vlera të mëdha artistike, me përmbajtje kombëtare dhe progresive”.

Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Presidencës, ku merrnin pjesë artistë, aktorë, figura dhe personalitete të shquara të skenës, kinematografisë dhe medias shqiptare, Topi ia dorëzoi Kokonozit, Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi.

“Zakonisht nuk është në ritualin e ceremonive të dekorimit për të marrë fjalën, por kam një lloj detyrimi moral, duke e njohur Bujarin prej shumë kohësh, por ky mikrofon nuk është për ta shfrytëzuar për qëllime personale, sepse sot jemi këtu për të nderuar një artist, një mjeshtër të vërtetë. Jo pa qëllim ju e merrni sot titullin ‘Mjeshtër i Madh’. Ju jeni mjeshtër që e keni demonstruar me punë e vepra në vite. Zhvillimi juaj nuk ka qenë revolucionar, por ka ardhur nëpërmjet evolucionit. Fakti që ju shoqëroheni sot me kaq zonja e zotërinj, që janë njerëz të shquar të botës së medias, tregon që gjërat nuk vijnë vetëm, por vijnë së bashku me mjeshtra të tjerë dhe me kolegë. Ju e thatë se keni punuar në shumë vende dhe sot jeni pjesë e një medie, që padyshim, është një nga më të kualifikuarat”, tha presidenti Topi me rastin e dhënies së titullit. /Telegrafi/