LAJMI I FUNDIT:

Bujanoci – qendër rrethi në Serbi

Serbia me Kushtetutë është e ndarë në rrethe (rajone). Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të ndarë në dy rrethe: Rrethi i Pçinjit, me qendër në Vranjë (Presheva dhe Bujanoci), dhe Rrethi i Jablanicës, me qendër në Leskoc (Medvegja).

Këto dy rrethe dikur ishin në një, me qendër në Leskoc, por më vonë për të funksionuar më mirë, këto u ndanë duke e ndarë edhe Medvgjën nga trungu i Luginës.


Për të ndërtuar institucioneve rajonale, këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve komunale, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në vitin 2006, nxorën Platformën të bazuar në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, si dhe në Marrëveshjen e Konçulit.

Beogradi nuk ka vesh për t’i dëgjuar kërkesat e shqiptarëve legjitimë për rajonizimin e Luginës së Preshevës, si një rajon me specifika të veçanta etnike dhe territoriale. Duke mos respektuar kërkesat e shqiptarëve për rajonizim, Serbia shkel Kushtetutën e saj për të shkelur të drejtat kolektive dhe individuale të qytetarëve të saj jo serbë.

Serbia për serbët në Kosovë kërkon gjykata të larta deri në shkallë Apeli, ndërsa shqiptarëve të Luginës u mbyllen gjykatat themelore, ato që kanë ekzistuar prej vitesh.

Këto dy-tri vitet e fundit gjyqësori në Luginë është reduktuar tej mase. Gjykatat Themelore kanë kaluar në Vranjë. Në Preshevë e Bujanoc është vetëm njësia gjyqësore, në të cilën shqyrtohen lëndët civile e jo edhe ato penale.

Me ligjin e ri parashihet që Bujanocit t’i kthehet Gjykata Themelore, por jo edhe Preshevës.

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, këshilltarët shqiptarë kanë kërkuar themelimin e Gjykatës së lartë, prokurorinë themelore dhe gjykatën për kundërvajtje.

Kjo kërkesë ishte në frymën e “harmonizimit të standardeve të brendshme ligjore me standardet e BE-së, si dhe përmbushja e nevojave të qytetarëve të këtyre komunave për qasje më të lehtë në sistemin e drejtësisë, por, edhe krijimi i realiteteve të reja me marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Beogradi, për t’i ikur presioneve nga vendorët dhe ndërkombëtarët, ka vendosur ta favorizojë Bujanocin me rreth 30 për qind serb, duke anashkaluar Preshevën me mbi 95 për qind shqiptarë.

Për ta ruajtur dhe forcuar elementin serbë në Komunën e Bujanocit, Beogradi ka vendosur ta kthejë gjykatën themelore, pa përjashtuar edhe institucionet e tjera në nivel republike, nga regjistrimi i makinave me BU, pastaj hapja e Fakultetit të Novi Sadit etj.

Liderët e Komunës së Preshevës e akuzojnë Beogradin se me këto veprime, komuna e tyre po margjinalizohet skajshmërisht, duke ngelur si një katund me kompetenca të kufizuara.

Që nga zgjedhjet e fundit pushteti lokal në Preshevë, është marrë me iniciativa dhe projekte të mëdha kombëtare, si: themelimi i kuvendit komunal, qind për qind shqiptar, pa asnjë këshilltar serb dhe pa funksioner të qeverisjes lokale, kremtimi i e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, me ngritjen e Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, kërkesa për hapjen e Universitetit të Prishtinës në Preshevë, bojkotimi i vendimeve të Trupit Koordinues, Këshillit Nacional dhe deputetit republikan rreth Abetares së njësuar shqipe, etj.

Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, pushteti në Bujanoc kyçi në qeverisjen lokale të gjithë këshilltarët serbë, duke lënë në opozitë 18 këshilltarë shqiptarë. Funksioni i pushtetit multietnik në Bujanoc, ka krijuar një klimë të lartë besimi te Beogradi dhe ndërkombëtarët, që kjo komunë t’i kthejë gradualisht kompetencat e dikurshme dhe të krijojë një klimë të përshtatshme për investime ndërkombëtare.

Beogradi për ta parandaluar shpërnguljen e serbëve, ka përgatitur plane dhe programe zhvillimi ekonomik në komunën e Bujanocit. Po forcon institucionet komunale, si dhe po krijon turbulence mes dy komunash shqiptare për qëllime politike. Duke prodhuar probleme artificiale dhe favorizime politike mes dy komunave shqiptare, Beogradi po i përçanë shqiptarët për t’i sunduar më lehtë.

Për t’i amortizuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës për më shumë të drejta, Beogradi, është në gjendje të krijoj një rreth të ri rajonal, duke zgjedhur Bujanocin si qendër rrethi në Serbi.

Rrethi i Pçinjit përbëhet prej shtatë komunash me rreth 250 mijë banorë. Në këtë rreth me qendër në Vranjë, janë të përfshira komunat: Vlladiçki Han, Surdulica, Bosiligradi, Tërgovishta, Vranja, Bujanoci dhe Presheva, ndërsa Medvegja bën pjesë në rrethin e Jabllanicës me gjashtë komuna.

Shumicën e këtyre komunave: Presheva, Bujanoci, Tërgovishta, Surdulica dhe Bosiligradi, e përbëjnë qytetarët jo serbë: shqiptarët, bullgarët, romët etj.

Marrëveshja e Brukselit, mund të ndikojë fuqishëm pas implementimit të saj në themelimin e asociacionit të komunave të serbëve në Kosovë, që të njëjtat të drejta t’i gëzojnë shqiptarët në Serbi.

Të gjitha parametrat shkojnë në atë drejtim se shqiptarët e Luginës, i plotësojnë të gjithë kushtet për një avancim të statusit të tyre politik.