LAJMI I FUNDIT:

BSPK, kërkon funksionimin e Bordit të ri të Trustit

BSPK, kërkon funksionimin e Bordit të ri të Trustit

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me anë të një komunikate të lëshuar për shtyp ka shprehur shqetësimin rreth vakumit të organeve të Trustit Pensional të Kosovës. Kjo pasi që, nga 9 shtatori i këtij viti Bordi i Trustit Pensional të Kosovës ende nuk është duke funksionuar dhe si pasojë e mosfunksionimit të tij mjetet e punëtorëve po rrezikohen.

Në njoftimin zyrtar të TKPT-së thuhet, se në mungesë të një organi vendimmarrës, mjetet e Trustit që gjenden në bankat e vendeve perëndimore rrezikohen që të humbin vlerën e tyre si pasojë e krizave financiare.

“BSPK kërkon që sa më shpejt që është e mundur të fillojë së funksionuari Bordi i Ri i Trustit Pensional të Kosovës në mënyrë që të merren vendimet për parandalimin e humbjeve të këtyre mjeteve të cilat janë me interes për punëtorët”.

Në po të njëjtin njoftim thuhet se nëse nuk fillon së shpejti funksionimi i Bordit të Trustit, atëherë ekziston rreziku që mjetet që janë nën menaxhimin e Trustit do të humbin dhe bashkë me to do të humb edhe djersa e punëtorëve të Kosovës. /Telegrafi/