LAJMI I FUNDIT:

Brazil, General Motors shkurton 744 vende pune

Brazil, General Motors shkurton 744 vende pune

Dega braziliane e kompanisë amerikane të prodhimit të automobilave "General Motors" konfirmoi sot pushimin nga puna të 744 punonjësve me kohë të përkohshme të një njësie prodhimi në Sao Paulo dhe sindikatat kanë parashikuar një grevë.

Pushimet nga puna përfshijnë 744 punonjës të përkohshëm të një njësie të General Motors të qytetit Sao Jose dos Campos, në periferinë industriale të Sao Paulos, sipas një komunikate të kompanisë, për shkak të "një konjukture të re" për përshtatjen e "niveleve të prodhimit me kërkesën e parashikuar".

"Parashikimet për shitjen e makinave në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 aktualisht janë rishikuar, për shkak të krizës ndërkombëtare". Për këtë arsye "kemi shkurtuar afatin e fundit të kontratave të punës dhe kemi vendosur të mos i përsërisim më", shtuan të njëjtat burime.

Sipas sindikatës së punonjësve të GM të Sao Paulos, kompania po përgatit shkurtimin e 802 punëmarrësve të përkohshëm, pasi 58 prej tyre u është ndërprerë kontrata që të premten. Përveç këtyre, "General Motors" ka njoftuar për tri javë pushime shtesë për punonjësit e uzinës së saj në Rio Grande do Sul, në jug të vendit.


Sekretari i përgjithshëm i sindikatës së metalurgëve të Sao Jose dos Campos, Luiz Carlos Prates, i deklaroi shtypit se organizata e tij pritej të mblidhej të martën për të diskutuar lidhur me masat që duhet të merren kundër shkurtimeve në GM, duke parashikuar ndalimin e punës dhe grevën.