LAJMI I FUNDIT:

Borxhet e Shqipërisë dyfishohen

Borxhet e Shqipërisë dyfishohen

Sipas Bankës së Shqipërisë, pozicioni i përgjithshëm i jashtëm i Shqipërisë gjatë vitit 2007, është përkeqësuar ndjeshëm. Pozicioni neto debitor i Shqipërisë në fund të vitit 2007 është 2.2 herë më i lartë sesa në fillim të vitit”, njoftoi Banka e Shqipërisë në Buletinin e Bilancit të Pagesave.

Pozicioni i jashtëm merr parasysh të gjitha detyrimet që ekonomia shqiptare ka kundrejt botës, (përfshirë investimet e huaja dhe borxhet), kundrejt investimeve të shqiptarëve jashtë.

Në fund të vitit 2007, detyrimet e ekonomisë Shqiptare qenë 3.56 miliardë euro, (investimet dhe borxhet që kanë hyrë në Shqipëri), ndërsa mjetet e huaja qenë 2.34 miliardë euro (investimet që shqiptarët kanë dërguar jashtë vendit). Totali i deficitit në investime arriti në 1.2 miliardë euro. Në një fazë të dytë, kur këto investime të fillojnë të tërhiqen, vendi mund të humbasë mirëqenien dhe të varfërohet.

Rezerva valutore ndërkombëtare e Shqipërisë ka pësuar një rritje shumë të paktë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa në raport me importet, kanë rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1997, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.


Rezervat valutore të Shqipërisë pritet që të mos e kapërcejnë kufirin e 1.47 miliardë eurove për vitin 2008, me një rritje shumë të lehtë në krahasim me vitin 2007, kur qenë afro 1.467 miliardë euro.

Por për shkak se importet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur shumë gjatë viteve të fundit, rezerva valutore mund të mbulojë sot vetëm 3.6 muaj importe, kuota më e ulët e regjistruar për Shqipërinë që nga viti 1997. Kërkesa e lartë për valutë për të paguar importet duket se është faktori kryesor i mosrritjes së rezervës valutore të Shqipërisë. Në vitin 2005, rezerva valutore ishte e barasvlershme me 4 muaj importe.