LAJMI I FUNDIT:

Bllokohen mbi 100 autobote me derivate të naftës

Bllokohen mbi 100 autobote me derivate të naftës

Shërbimi Doganor i Kosovës, ka ndaluar importin e një numri të madh të autoboteve të ngarkuar me derivate të naftës, pasi që kualiteti nuk ishte brenda parametrave të përcaktuar.

Zyra për media e Shërbimit Doganor të Kosovës, njoftoi të enjten se një ditë më parë në pikën kufitare janë ndaluar afro 100 autobote dhe vagonë të trenit, pasi që të gjitha importet kanë poseduar deklaratën e konformitetit me vlera me të ulëta sa që është paraparë në Udhëzimin Administrativ për cilësinë e naftës në vend.

“Kjo ndalesë është aplikuar pasi që kualiteti i naftës dhe derivateve të saj nuk është brenda parametrave të Udhëzimit Administrativ, të lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nr. 2006/16 për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas ligjit, të gjitha importet e naftës duhet të plotësojnë kriteret e cilësisë së naftës të paraparë me udhëzim.


Shërbimi Doganor ka urdhëruar të gjithë importuesit që konform legjislacionit doganor të bëjnë kthimin e këtyre cisternave mbrapa tek furnitori, përndryshe pas përfundimit të afatit ligjor të gjitha këto autobote do t’i nënshtrohen konfiskimit.