LAJMI I FUNDIT:

Biznesi me telefonat e mençur – 90 për qind e gjermanëve nuk e përfytyrojnë jetën pa të

Biznesi me telefonat e mençur – 90 për qind e gjermanëve nuk e përfytyrojnë jetën pa të

Nëntëdhjetë për qind e atyre që kanë një telefon të mençur në Gjermani nuk e përfytyrojnë do më jetën pa të, kjo e bën optimiste degën e prodhimit të tyre megjithëse shitjet kanë filluar të shënojë rënie.

Gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani përdorin një telefon të mençur, por në të njëjtën kohë, do të shiten gjithnjë e më pak aparate. Ky është rezultati i një hulumtimi të tregut nga Shoqata Digjitale Bitkom.


Rënia e numrit të shitjeve të telefonave të mençur ka dy arsye: e para lidhet me mungesën e ndjeshme të mikroçipave. Jo vetëm prodhuesit e automjeteve e kanë ulur prodhimin edhe ata nuk mund të prodhohen pa këto elementë elektronikë. Arsyeja tjetër lidhet me qëndrimin e ndryshuar të konsumatorëve: shumë konsumatorë nuk duan të pranojnë më përdorimin e kufizuar në kohë të këtyre aparateve shumë të shtrenjtë.

Përdorimi për dy vjet nuk i pëlqen konsumatorëve, ata duan ta përdorin më gjatë telefonin e tyre dhe e shtyjnë blerjen e një të riu.

Sipas Bitkom, numri i përdoruesve të telefonave të mençur do të rritet këtë vit nga 79 për qind duke filluar nga moshë 16-vjeç në 83 për qind, që do të thotë 1.4 milion konsumatorë më shumë. Por xhiroja e shitjes e telefonave të rinj në vitin 2022 do të bjerë nën 20 milionë. Në vitin 2021 u blenë 20.4 milionë telefona të rinj. Humbjet pritet të kompensohen me atë që blerësit tentojnë të blejnë pajisje më të shtrenjta.

Rritet “ekosistemi”

Me gjithë rënien e shitjeve, kjo degë nuk sheh arsye për shqetësim. Biznesi i tyre nuk përbëhet vetëm nga shitja e pajisjeve të gatshme, por duhet llogaritur aty edhe industria e aplikacioneve, infrastruktura e rrjetit dhe shërbimet e veçanta të të dhënave dhe informacionit. Prandaj kjo degë flet për një “ekosistem të telefonave të mençur”.

Vetëm shërbimet e të dhënave dhe informacionit me 20 miliardë euro në vit përbëjnë më shumë se gjysmën e fitimit të këtij ekosistemi. Tregu i aplikacioneve po ashtu shënon rritje, sipas analizës së Bitkomit, deri në 3.3 miliardë euro. Kurse me fitimet në infrastrukturën e rrjetit dhe shitjen e tyre, xhiroja e përgjithshme në vitin 2022 pritet të kapë shifrën e 36.8 miliardë eurove, 600 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Anëtari i Bordit të Bitkomit, Marku Haas thotë se, “adhurimi për telefonat është i lartë i madh si kurrë më parë. Këtë e tregon në mënyrë impresionuese ekosistemi miliardësh i aparateve, aplikacioneve, shërbimeve dhe rrjetit infrastrukturor”.

Çfarë dëshiron klienti?

Vërtet, sipas Haasit “dëshira për telefonat aktual me teknikën më të mirë është e madhe”. Nga ana tjetër duhet shënuar se “konsumatoret dhe konsumatorët janë gati të shpenzojnë më shumë para për një aparat që mund ta përdorin për një kohë më të gjatë”.

Këtu po luan një rol gjithnjë e më të madh mbrojtja e resurseve dhe mënjanimi i mbeturinave elektronike. Qëndrimi ekologjik ka rëndësi për 96 për qind të blerësve. Po ashtu, rëndësi ka edhe një ekran i mirë, një kohëzgjatje e kënaqshme e baterive, cilësia e mirë e përpunimit dhe ofrimi afatgjatë i përditësimeve. Rëndësi të madhe për blerësit e një telefoni të ri ka edhe funksioni i fotografimit dhe videove dhe cilësia e mirë e kamerës me 76 për qind. Tre nga katër konsumatorë thonë se i qëndrojnë besnik markës së tyre.

Rëndësia e rrjeteve

Sipas Bitkom më shumë se gjysma e blerësve thotë se nuk i mjafton vëllimi mujor i të dhënave të ofruara nga kontrata e operatorit telefonik.

“Rrjetet mobile gjermane po bëhen gjithnjë e më të qëndrueshme dhe mundësojnë shpejtësi më të mëdha. Në të njëjtën kohë po rritet oferta e aplikacioneve interesante dhe shërbimeve si për shembull, ajo e videove në transmetim. Sa më shumë të përdoret interneti në telefona, aq më e rëndësishme është nevoja për vëllim të dhënash”, thotë Haas.

Kërkesat e konsumatorëve ndaj operatorëve janë rritur. Edhe tek përzgjedhja e rrjetit mobil ka pretendime: 98 për qind e klientëve dëshirojnë një mbulim shumë të lartë të rrjetit dhe një lidhje të mirë në rrjet. 91 për qind i japin rëndësi të madhe kërkimit të shpejtë në rrjet. Këto pretendime shkojnë paralelisht me një ndjeshmëri të madhe ndaj çmimit. Klientët duan të paguajnë mundësisht sa më pak me gjithë pretendimet e mëdha. Sipas Bitkomit, për klientët luan rol edhe vendndodhja e operatorit. 67 për qind e klientëve preferojnë që operatori ta ketë qendrën në Gjermani. Edhe angazhimi social, shërbimi ndaj klientit, neutraliteti ndaj klimës dhe angazhimi për mjedisin luajnë rol te klientët.

Bitkom është i mendimit, se politika ka detyrimin të krijojë kornizën e duhur për përmirësimin e biznesit të telefonave të mençur.

“Rëndësi të veçantë për ekosistemin e telefonave kanë rrjetet mobile”, thuhet në studim.

Këta po zgjerohen, kjo është e vërtetë, por shumë ngadalë, prandaj Bitkom propozon një “pakt për zhburokratizimin dhe përshpejtimin”. /Deutsche Welle/