LAJMI I FUNDIT:

Bie eksporti, rriten importet

Bie eksporti, rriten importet

Eksportet e mallrave Made in Kosova për në vendet e tjera kanë rënë ndërkohë që importet vetëm vazhdojnë të rriten. Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, tregtia e jashtme për muajin korrik tregon një deficit tregtar prej 155.4 milion euro, krahasuar me deficitin prej 111.2 milion euro në muajin korrik të vitit 2007.

“ Eksporti në muajin korrik 2008 kishte vlerën 18.7 milion euro, ndërsa importi 174.1 milion euro. Është një rënie prej 17,9% për eksport dhe një rritje prej 29,8% për importin krahasuar me korrikun të vitit 2007 ”, thuhet në publikimin e ESK-së.

Sipas të dhënave eksportet kryesore janë, 70,6% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8,5% produktet minerale, 4,8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 3,9% plastika, gomë dhe artikuj prej tyre, ndërsa produktet bimore marrin 2,8% .

Po sipas këtyre të dhënave 18,7% të importeve e përbëjnë
produktet minerale, 13,4% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,7%, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,9%, metale bazë dhe artikuj prej tyre 7,2%, mjetet e transportit etj.


Eksportet më të mëdha të mallrave të Kosovës ishin në drejtim të Maqedonisë 10,3%, Shqipërisë10,1%, Greqisë 8,9%, Italisë 8,8%, Serbisë 6,0%, Suedisë 6,0% etj.

Maqedonia përveç që zë vendin e parë për eksporte, prin edhe si vend nga ku janë importuar mallra më së shumti, rreth 20,7%, nga Gjermania 11,5%, Serbia 11,2%, Kina 7,6%, Turqia 6,8% etj.

Në total shtetet e Bashkimi Evropian përbën 36,4% të importeve të vendim tonë tonë, kurse në këto shtete eksportet përbëjnë 37,1%./Telegrafi/