LAJMI I FUNDIT:

BB: Rritja e çmimeve të ushqimeve nga biokarburantet

BB: Rritja e çmimeve të ushqimeve nga biokarburantet

Biokarburantet kanë shkaktuar rritjen prej 75 për qind të çmimeve të ushqimeve dhe prodhimeve të drithërave në të gjithë tregun botëror.

Ky ka qenë përfundimi ku ka dalë një raport i Bankës Botërore, i cili është publikuar paraprakisht në gazetën prestigjioze britanike, "Gardian".

Kështu Banka Botërore e ka përgënjeshtruar teorinë e Shtëpisë së Bardhë dhe qeverisë amerikane, sipas së cilës prodhimi i biokarburanteve ka ndikuar në rritjen e më pak se 3 për qind të çmimeve të ushqimit, ndërsa pjesa më madhe e ngritjes së çmimeve i dedikohet rritjes së kërkesave nga India dhe Kina.

"Rritja e shpejtë e kërkesave të vendeve në rrugën e zhvillimit nuk ka sjellë një rritje të madhe në konsumin botëror të grurit dhe nuk ka qenë faktor vendimtar për rritjen e çmimeve", shkruhet në raport ku shtohet se shkaqet e kësaj nuk duhet të kërkohen as në fatkeqësitë natyrore që kanë goditur Australinë, por në nxitjen e Shteteve të Bashkuara drejt prodhimit të biokarburanteve.


Raporti është publikuar pak ditë nga takimi i G8 në Hokkaido, Japoni, ku liderët e vendeve më të fuqishme të botës do të përballen mbi këto tema.

Ndryshe liderët e vendeve më të industrialaziuara të botës, do të takohen të hënën në Tokio, ku ne qendër të takimit pritet të jenë çështja e ngrohjes globale dhe rritja e çmimeve të naftës, që po prek edhe ekonomitë e këtyre vendeve. /Panorama – Telegrafi/