LAJMI I FUNDIT:

Bashkësia Islame arsyeton rritjen e çmimit për Haxh, thotë se kjo nuk e ka ulur interesimin për të shkuar në vendin e shenjtë

Bashkësia Islame arsyeton rritjen e çmimit për Haxh, thotë se kjo nuk e ka ulur interesimin për të shkuar në vendin e shenjtë

Trendit të rritjes së çmimeve nuk i ka shpëtuar as kryerja e kushtit të pesë të islamit, Haxhit, që në vendin tonë organizohet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Shkuarja në Haxh (pelegrinazhi vjetor që bëhet nga myslimanët në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite) për vitin 2023 do të kushtojë 6 mijë e 350 euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, çmimi për të kryer pelegrinazhin është rritur për 650 euro.


E BIK-u këtë e arsyeton me rritjen e çmimeve në Arabinë Saudite.

“BIK-u e ka për obligim dhe është përgjegjëse për mbarëvajtjen e të gjitha çështjeve fetare islame në Kosovë. Në kuadër të këtyre ibadeteve dhe çështjeve fetare është edhe organizimi i Haxhit. BIK-u është përgjegjësi i vetëm për organizimin e Haxhit në Kosovë”, tha në një prononcim për Telegrafin, anëtari i Kryesisë së BIK-ut, Ekrem Simnica.

“Sa i përket rritjes së çmimeve, BIK-u është obliguar ta rrisë atë që ta organizojë sa më mirë Haxhin. Rritja e çmimeve varet edhe nga çmimet në Arabinë Saudite edhe rregullat të cilat ata i paraqesin gjatë organizimit për t’i pritur haxhijtë në Mekë dhe Medinë. Kjo na ka obliguar edhe neve që të rrisin çmimet në organizimin e Haxhit”, shtoi ai.

Simnica tutje tha se kjo çështje i ka preokupuar qytetarët, por i siguroi ata se BIK-u synon vetëm të mos humbë nga organizimi i Haxhit e jo të përfitojë.

“Rritja e çmimit e ka preokupuar shumëkënd. Por, nëse lëshohemi në mënyrë të thjeshtë; udhëtimin për haxhinjtë e sigurojmë me Charter, i cili e ka çmimin e vet diku mbi 1 mijë euro, akomodimi edhe në Mekë dhe Medinë, ushqimi, sigurimi shëndetësor dhe organizimi i pagesës për në Arafat dhe në Mena – të gjitha këto kanë çmime të caktuara nga ana e Arabisë Saudite pasi ata i kanë çmimet e veta”.

“BIK-u mendon vetëm të mos humbë në organizimin e Haxhit, por çdo pengesë që mund t’i paraqitet BIK-ut gjatë organizimit mund të ndikojë që të mos e fitojë as mjet financiar”, u shpreh anëtari i Kryesisë së BIK-ut.

BIK: Shkuarja në Haxh për këtë vit do të kushtojë 6,350 euro
Lexo po ashtu BIK: Shkuarja në Haxh për këtë vit do të kushtojë 6,350 euro

Në fund, Simnica theksoi se pavarësisht rritjes së çmimit, interesimi i besimtarëve për të shkuar në Haxh është shumë i lartë. Madje, siç bëri të ditur ai, janë 500 persona mbi numrin e lejuar, që kanë shprehur interesim për të shkuar në Haxh. Për këtë arsye, Simnica tha se BIK-u ka bërë kërkesë në Ministrinë e Haxhit në Arabinë Saudite që numri i kufizuar prej 1 mijë e 500 personave të rritet në 2 mijë.

“Pavarësisht çmimit njerëzit janë shumë të interesuar që të shkojnë në Haxh. Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite na cakton një numër për t’i dërguar në Haxh e ne këtu kemi mbi 500 persona që janë në pritje. Pra, 500 më shumë se sa numri që na lejohet për t’i dërguar në Haxh. Është bërë edhe një kërkesë në ministri që të na lejohen edhe diku 500 persona shtesë që t’i dërgojmë’ por nuk dihet nëse do të në përgjigjen pozitivisht”, përfundoi ai.

Ndryshe, vitin e kaluar Kosova ka qenë në top 15-shën e shteteve më të shtrenjta për të shkuar në Haxh.

Sipas statistikave të mëhershme, shkuarja në Haxh, vitet e kaluara kishte qenë dukshëm më lirë.

Në vitin 2017 – 3,400 euro;

2021 – nuk ka pasur Haxh;

2018 – 3,800 euro;

2019 – 4,150 euro;

2020 – nuk ka pasur Haxh;

2022 – 5,700 euro;

2023 – 6,350 euro. /Telegrafi/