LAJMI I FUNDIT:

Auditorët duhet të jenë profesionalë

Auditorët duhet të jenë profesionalë

Njësia e auditimit të brendshëm, është e rëndësisë së veçantë dhe ashtu duhet të trajtohet. Pavarësia e auditorëve të brendshëm, është çështje e rregulluar edhe me ligjin për auditim të brendshëm dhe se nuk ka pasur ndërhyrje politike në këtë proces, përveç disa rasteve të izoluara. Auditori i brendshëm, duhet të jetë në rend të parë profesional, për të qenë i pavarur, kështu u tha të martën në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me temën “Kontrolli i brendshëm financiar në Kosovë, zbatimi i Ligjit për auditimin e brendshëm”.

Armend Zemaj, deputet dhe anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, tha se në të ardhmen, njësia qendrore e auditimit të brendshëm dhe auditori i përgjithshëm, duhet të kenë bashkëpunim më të veçantë dhe kjo të trajtohet edhe me ligjin e ri për auditorin gjeneral. Një bashkëpunim i tillë sipas tij, do t’i ndihmojë shumë mbikëqyrjes apo trajtimit të shpenzimeve, sidomos të atyre të parasë publike, por dhe të menaxhimit të brendshëm të organizatave buxhetore.

Ai po ashtu tha se njerëzve të cilët janë certifikuar dhe trajnuar me menaxhimin të parasë publike, duhet t’iu jepet prioritet dhe ta kryejnë punën sipas ligjit. Zemaj pohoi se i përket auditimit të brendshëm, është një arritur e theksuar në krahasim me vitet e kaluara, por akoma ka ngecje në trajtimin e auditimit të organizatave, të cilat nuk kanë buxhet të madh, në krahasim me organizatat tjera buxhetore.


Sipas tij, auditimi i brendshëm, po avancon në menaxhimin e parasë publike. Mirëpo siç tha ai institucionet e reja, të cilat krijohen, nuk duhet të lihen pa njësi të auditimit të brendshëm, sepse kjo krijon hapësirë për një keqmenaxhim të institucionit, por dhe të parasë publike në përgjithësi.

Zemaj, ndër të tjera theksoi se duhet ruajtur auditorët profesionist, të kualifikuar, duke eliminuar rekrutimin e auditorëve pa përvojë, për shkak të bindjeve dhe arsyeve politike, pasi që kjo i bën dëm vendit, shpenzimeve të parasë dhe menaxhimit të organizatës buxhetore.

Ndërsa Kosum Aliu, nga njësia qendrore harmonizuese e auditimit të brendshëm në Ministrinë e Financave, foli për të arriturat në ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimeve të mjaftueshme që ata kanë bërë me auditorët e brendshëm, të cilat janë financuar kryesisht nga KE. Brengosëse, sipas tij është, se të gjeturat e auditimit të brendshëm përsëriten. Ai tha se auditori i brendshëm duhet të jetë profesional, për të qenë i pavarur.

Edhe Dervish Bytyçi, nga njësia e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, tha se auditorët e brendshëm, janë të përgatitur mirë profesionalisht dhe se janë plotësisht të pavarur, raporton Kosovapress. /Telegrafi/