LAJMI I FUNDIT:

Atdhesi dhe aftësi

Kosova kaloi trembëdhjetë vjet e lirë dhe katër vjet si shtet. Në gjithë këtë kohë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, u mundua të krijohet aparatura e shtetit, herë me vullnet e herë pa vullnet nga ana e vendasve; herë me dije e herë pa dije – po ashtu nga ana e vendasve. Ndërkombëtarët ishin “monitorues” dhe ashtu do t’i lëmë në këtë artikull.

Gjatë kësaj periudhe, jo të shkurtë, “patëm fatin” që për prijës të kemi njerëz të çdo niveli. Nepotizëm, vullnetarizëm, tekanjoizëm, e gjithçka shijuam. Për ta kuptuar më mirë, do ta materializojmë me disa shembuj.


Kosovën, prej paslufte, si pronë private e udhëhoqën përgjithësisht krahu i Luftës. Nuk e mohoj se nga kjo kategori njerëzish pati të shkëlqyer, atdhetarë që vërtetë edhe patën aftësi e që edhe sot e kësaj dite Kosova përfiton nga ta. Por, fatkeqësia qëndron se shumica tjetër, të paarsyeshëm, gati analfabetë, tekanjozë e karrieristë, prej paslufte zaptuan, edhe duke kërcënuar, poste e privilegje si udhëheqës vendi. Turp u qoftë.

Secili e di këtë dhe secili e thotë. Secili po ashtu e njeh dikë, qoftë të afërm apo tjetër, që si patriot që qe në luftë për mbrojtjen e atdheut, u bë menjëherë, hëpërhë, intelektual, akademik, ministër etj. Si duket këta nuk e kuptuan se atdhesia është diçka tjetër nga aftësia.

Nëse je nacionalist, në plan të parë nuk të jep askush të drejtën të udhëheqësh vendin. Duhet të kesh kualifikimet e duhura, moralin, shkollimin etj.

Është edhe një poshtërsi më e madhe që ka ndodhur në vendin tonë në këtë plan. Disa, duke mos qenë anëtarë të UÇK-së, vetëm pasi mbaroi lufta dolën se paskëshin qenë ushtarë dhe kështu morën vende kyçe nëpër kryesi e kuvende. E kur pyeten nëse kontribuakan ende ne mirëqenien e vendit, të popullit, duke mos pasur kredo të argumentimit me fakte, ata akuzojnë pyetësit. Thuhet: “Kur s’ke argument, fyeji kundërshtarët”. Prandaj, nuk është për t’u çuditur me “përparimin e vendit” tonë.

Ai që shpiku konceptin e shtetit, Platoni, në veprën e tij Republika (Shteti), si prijës të shtetit nuk e vë askënd tjetër pos filozofëve. S’e di si qëndrojmë ne në këtë pikë!?

Të paaftë që qenë, u bënë dhe do të jenë udhëheqës vendi që pati edhe nga ata që nuk qenë, nuk u bënë apo nuk do të jenë nacionalistë. Nga ky grup pati gjithmonë, jo vetëm tek ne. Ky grup gjithmonë është pakicë.

Gjithashtu, të paaftë që qenë, u bënë dhe do të jenë udhëheqës vendi ose pjesë e aparaturës udhëheqëse të vendit që pati edhe nga ata që nuk qenë pjesë e UÇK-së, apo krah i luftës siç edhe jemi mësuar ta dëgjojmë. Por, duke u përvjedhur që herët, prej paraluftës, arritën të mbijetojnë dhe të shtrijnë rrjetën e merimangës për t’u lënë vend sot edhe pasardhësve të tyre. Nga ky grup kemi sa të duash, duke qenë se edhe ashtu nepotizmin e kemi zhvilluar mjaft shumë.

Është shumë e udhës që për udhëheqje të vendit ose pjesë të aparaturës shtetërore të jenë njerëz nacionalistë, atdhetarë, patriotë, por edhe më e arsyeshme është që këta njerëz të jenë intelektualë, që kanë aftësi dhe kredibilitet të ballafaqohen me sfida e problem të ndryshme. Sepse, nëse nxitemi në zhvillimin vetëm të njërës prej këtyre dy cilësive themelore të prijësve – ta zëmë të nacionalizmit – del se për udhëheqës te ne mund të jetë shumëkush, edhe ai që s’diti shkrim lexim.

E vërej se sot nxitet në zhvillimin e kësaj praktike të edukimit se udhëheqës vendi duhet të jetë ai që doemos është atdhetar (edhe nëse nuk është, por që duket se është), që duke shprehur atdhetarizmin e tij i arsyetohet edhe mangësia e punës, lenia e punëve mangët.

Prandaj, është e udhës që të ndërpritet një edukim i tillë, neglizhent, që nxitë drejt zhvillimit të nepotizmit, tekeve dhe përtacisë e mendjemadhësisë. Sepse, aftësia dhe atdhesia janë të ndara, s’kanë të bëjnë njëra me tjetrën, pos nëse aftësinë e shfrytëzon në atdhesi, diturinë ia jep (kontribuon) vendit – popullit.

Ndërsa, atdhesia, dashuria ndaj vendit, atdheut, paksa ndihmon në përfitimin e aftësive për udhëheqjen e tij, por jo mjaftueshëm. Prandaj, Kosovës i duhen udhëheqës të aftë e patriotë, e jo patriotë të paaftë për udhëheqje.