Në të kaluarën, pikturat shfaqnin terror, frikë dhe parashikim. Por, a mundet arti ta tremb mendësinë tonë të re? Pjesë të shkrimit të kritikes së artit Kelly Grovier, Telegrafi sjell më poshtë.

A e ka harruar arti mënyrën se si duhet t’i trembë njerëzit? Në kohët e shkuara, artistët e njihnin frikën dhe e shfrytëzuan si levë emocionale në pikturë ose në skulpturë. Artistët fetarë, të Mesjetës e të Rilindjes, u përshtatën me fuqinë e frikës. Vizionet e tmerrshme se çfarë të këqijash të përhershme janë në jetën e përtejme nëse anëtarët e famullisë nuk ia dalin të jetojnë me devotshmëri në këtë botë (zakonisht të vendosura pranë daljes së kishës, që të lënë përshtypje të pashlyeshme), kishin qëllim të qartë: për ta trembur kongregacionin.


Frika 01 Afresku i Giotto-s në Kapelën Scrovegni që paraqet Ditën e Kiametit (1306)

Për shembull, gjëja e fundit që besimtarët shohin në daljen e Kapelës Scrovegni në Padovë të Italisë, është paraqitja e çuditshme e shpirtrave të mallkuar në një gropë, pasi janë thithur nga gryka e zjarrtë e Ferrit. “Dita e Gjykimit” e mjeshtrit të Firences Giotto di Bondone (që qëndron mbi derën e pasme të kapelës, në një afresk të ndarë që njëkohësisht portretizon kushtet e Parajsës për të drejtët dhe të shpenguarit) mund të mos jetë e zgjuar, por ka efekt. “Të bekuarit organizohen në rreshta të rregullt në të djathtë të Krishtit”, siç e përshkruan një studiues këtë pamje, “ndërsa rrjedha e të mallkuarve ka forma të çrregullta, trupa të zgjatur që bien teposhtë... të sulmuar nga demonët që therin, djegin dhe i tërheqin ata”.

Frika 02 “Kopshti i kënaqësive tokësore” (1503-1515) nga Hieronymus Bosch

Sado e frikshme të jetë imagjinata e Giotto-s, apo të themi e Hieronymus Bosch-it, fytyrat e paraqitura në pikturat e tyre rrallëherë e arsyetojnë bindshëm trazirën e brendshme. Frika në panelin e Ferrit te “Kopshti i kënaqësive tokësore”, shfaqet me ata që janë duke u copëtuar ose djegur. Diçka e tillë nuk ia del të frymëzojë artistët e ardhshëm, nëse duhet të merren me sfidën e parashikimit të dërrmimit të fizionomisë së subjekteve.

Frika 02B “Gjykimi i fundit” (1535-1541) nga Michelangelo

Nga shpirti i mallkuar që ngadalë fundoset i vetëm në torturat e përjetshme (afresku “Gjykimi i fundit” i Michelangelo-s te Kapela Sistine, ku trupi tërhiqet nga një trio e torturuesve djallëzorë) e deri te pamja e tmerrit e Francisco Goya-s tek “Burri i magjepsur”; nga paraqitja e shtangies së “Zonjës Makbeth” nga artisti zviceran Henri Fuseli, e deri te personifikimi ikonik i tmerrit ekzistencial nga piktori Edvard Munch te vepra “Piskama”, historia e artit vazhdimisht ka shfaqur arketipet e një ankthi të përjetshëm.

Frika 03 “Burri i magjepsur” (1798) nga Francisco Goya

Dy vepra më pak të njohura, të krijuara saktësisht një shekull më parë, tregojnë sesi kërkimi për fytyrën e vërtetë të frikës ka vazhduar deri në shekullin XX. Teksa ishte student në Shkollën “Slade” të Arteve të Bukura në Londër (pasi ishte traumatizuar nga pamja e shpërthimit të një fabrike municionesh në Eseks, gjatë Luftës së Parë Botërore), artisti britanik Winifred Knights u shpërblye me një bursë prestigjioze në Romë, për paraqitjen dramatike të një skene të frymëzuar nga përmbytja biblike.

Frika 04 “Zonja Makbeth kap kamat” (1812) nga Henri Fuseli

Turmat e frikësuara që janë të dëshpëruara për të prekur majat më të larta të tokës, pasi Varka e Noës po largohet, është një portretizimin i brendësisë së artistit: frika që shqetëson Evropën që po e merrte veten nga tmerret e luftës.

Frika 06 “Përmbytja” (1920) nga Winifred Knights

Pothuajse të njëjtin kohë, ekspresionisti spanjoll Jose Gutierrez Solana punoi në veprën psikologjike “Klounët”, ku përmes mimikës shprehet frika.

Frika 07 “Klounët” (1920) nga Solana

E çka sot? A ka në artin bashkëkohor nxitjeje për frikën, siç e gjen tek piktorët Giotto ose Bosch, ose nga Michelangelo deri tek Munch? Kafka e famshme e diamantit e artistit Damian Hirst, “Për dashurinë e Zotit”, është rigjenerim modern i traditës së artit që përmban kafka dhe skelete - jo për t’ua bërë me dije njerëzve se do të vdesin aq sa për t’i trembur nga kërcënimi i vdekjes. Por, vepra e Hirstit me 8,600 diamante nuk frikëson shumë. Ajo më shumë ju bezdisë me çmimin e punimit e lëre më me çmimin e blerjes (50 milionë).

Frika 08 “Për dashurinë e Zotit” (2007) në një ekspozitë në Katar

Të shqetësuar me skemat nëse ato që bëjnë janë apo nuk janë art, shumë artistë modernë kanë humbur pigmentet e frikës. Në anën tjetër, vëllezërit britanikë, Jake dhe Dinos Chapman, luajnë me frikën si element estetik, ndonjëherë në formë tallëse e më pak të frikshme. Kjo vërehet te seria “Tmerret e luftës”. P.sh. vepra e tyre “Ferri” nuk flet për Holokaustin, por të kundërtën pasi, sipas tyre, “nazistët janë subjekt i gjenocidit industrial”.

Frika 09 “Ferri” (2010) i vëllezërve Chapman

Atëherë, ku ka mbetur frika në kulturën vizive? Piktorja e famshme portugeze, Paula Rego shpesh citohet në kontekstin e terrorit dhe frikës. Një artikull akademik nga historiani i artit Leonor de Oliveira, me titullin “T’i japim frikës një fytyre: Kujtimi dhe frika në veprën e Paula Rego-s”, thotë se motivet e saj i detyrohen konceptit të kritikut britanik të artit, Herbert Read, për “gjeometrinë e frikës” me të cilën u përshkrua puna e skulptorëve të pasluftës, të cilët falsifikuan “ikonografinë e dëshpërimit”. Por, për mua, figurat e frikshme që hasim në veprën e Rego-s më shumë kundërshtojnë sesa e mishërojnë frikën.

Frika 10 “Vajza e policit” (1987) e piktores Rego

Fjala “frikë” shpesh përdoret për të karakterizuar veprat e fundit të video-artistes dhe skulptores suedeze Nathalie Djurberg, instalimet e karnavaleske të së cilës (shpesh të konceptuara me artistin e tingujve Hans Berg) i çojnë vizitorët në një hapësirën të groteskës. Por, “Udhëtimi i fundit në nëntokë” (2019), i përbërë nga skulptura të errëta komike të florës dhe faunës, më shumë ka të bëjë me habinë sesa me tensionin dhe terrorin.

Ndoshta arti bashkëkohor, si poezia bashkëkohore, po i ndryshon rolet. Ashtu siç çdo herë e më pak shohim poetë që rrëfejnë epikën - rol ky me të cilin merren novelistët dhe kineastët - edhe artistët nuk po e trembin më vetëdijen tonë. Teksa arti bashkëkohor përpiqet të lidhet me një audiencë më të gjerë, ndoshta është koha që artistët të rikrijojnë frikën. /Telegrafi/