LAJMI I FUNDIT:

Arti dhe letërsia si identitet i vetvetshëm

Arti dhe letërsia si identitet i vetvetshëm
Ilustrim

Nga: Josif Papagjoni

Pashë para do kohëve një fytyrë të krekosur në TV që e quante çdo vlerë të krijuar nga arti dhe letërsia e para viteve 1990, si kriminale, të zezë, që s’duhet lejuar t’i shkojë lexuesit dhe spektatorit. Dikush, madje nga zelli për të mohuar gjithçka, e quan atë me një term a metaforë zoologjie si “mishngrënëse”.

Gjithë këta mbi 30 vjet pas pluralizmit vjen e rivjen po ai debat nëse duhen apo jo të shfaqen, për shembull, filmat shqiptarë të prodhuar para vitit 1990. Ose, a ia vlen letërsia, poezia më e bukur e kësaj kohe të ribotohet, të futet në tekste shkollore, të përcillet te gjeneratat e reja?!


Më është dukur përherë një debat shterp, madje i manipuluar njëanësisht.

Ç’janë këta kinse kritikë e kinse estetë, me grada a pa grada, që gjykojnë letërsinë dhe artet kaq vrazhdë. Me një të rënë shpate a lapsi këta kinsa duan të suprimojnë gjithë mundin, talentin, djersën, idetë, emocionet e shkrimtareve dhe artistëve shqiptarë, vlerat estetike e humane të shënuara me aq pasion e fantazi, madje me mençuri dhe jo rrallë me gjuhen ezopike të alegorive etj. Kaq budallenj qenkan njerëzit sot, pas 34 vjetëve, se na u influencuakan nga ideologjia komuniste me një shkelje syri dhe nuk e dalluakan dot atë dinozuar që u rrëzua nga kalbja dhe stërpesha e vet?! Po, pse, artin vetëm me kritere politike hala do ta vlerësojmë, si dikur?

Nuk di njeriu i sotëm, i njëmijë e një dritareve, qasjeve, hapësirave, të bëjë diferencimin e vet dhe të kuptoj ç’është shtinjake, e mbivendosur dhe e imponuar, nga ajo që është thelb i artit të letërsisë dhe kinemasë, nga imazhi, mjedisi, zakonet, doket, historia, etika, gjesti social, humanizmi, marrëdhëniet në familje, dashuria e plot e plot vlera të tjera?

Po cili nga këta liliputë e zëvendëson madhështinë e letërsisë së Kadaresë. E shajnë dhe e stërshajnë Kadarenë, marrin pozat e njohësve të letërsisë, madje bëjnë vetë letërsi, shkruajnë romane paçavure, mediokre, krejt në fasha ideologjike e politike, sa me zor e shtyn leximin e tyre. Letërsia e këtij madhori të letrave shqipe sikur i verbon, i budallalleps dhe xhelozinë e tyre e çon në ligësi. Kush e shkruan aq bukur dhe me aq guxim një Pallat i ëndrrave, një Gjeneral i ushtrisë së vdekur, një Prill i thyer. Kush e arrin gjuhën e Kadaresë, atë koreografi të fjalës, atë sintaksë vallëzuese, atë ligjërim që të rrëmben e s’të lë ta mbyllesh librin, atë sugjestion, magji dhe tërheqje që ti ndjen kur i lexon veprat e tij: Po si t’ia bëjmë hallit të kësaj letërsie që nderon gjeniumin e krejt një kombi?! Si t’ia bëjmë Anagnostit, Gjikës, Priftit, Milkanit, Çashkut etj., që janë të një siperanie dhe formati që vështirë të përsëriten si Përrallë nga e kaluara, Lulëkuqet mbi mure, Udha e shkronjave, Koncert në vitin 36, Mësonjtorja, Në shtëpinë tonë, Duaje emrin tënd, Kur xhirohej një film, Kapedani, Nëntori i dytë, Flutura në kabinën time etj., për të ardhur në dhjetëra të tjerë që fal talentit të kineastëve tanë janë bërë pjesë e kujtesës kulturore dhe shikohen me endje dhe sot.

Spektatori dhe lexuesi i sotëm di të ndaj grurin nga egjra, pa i bërë “leksione” të mërzitshme si nëpër shkolla apo “informacionet politike” të dikurshme, që u bënë aq të neveritshme dhe qesharake atyre kohëve. Nëse ka diçka që ndihet se është një gënjeshtër, mashtrim, iluzion i rremë, propagandë, vetëdija e spektatorit të sotëm është e aftë të bëjë skualifikimin. Por, ai mund të marrë nga ato romane, poezi dhe filma gjësende të tjera që konvergjojnë me përjetimet e tij të sotme, sepse letërsia dhe arti, ndryshe nga konjuktura politike dhe propaganda, ja që kanë edhe atë tharm universal që i bën të riciklohen dhe t’i qasen mendjes dhe shpirtit të publikut të sotëm.

E pse na duhet ta flakim filmin Rrugë të bardha, meqë aty flitet për solidaritet njerëzor që një fillerojtës mbetet i ngrirë në një shtylle kinse për “përgjegjësinë ndaj detyrës”, d.m.th. na qenka një hero i trilluar komunist apo një i ashtuquajtur “njeriu i ri”? Pse vallë, nuk kishte njerëz të tillë atëherë që e shkrinë jetën e tyre nën sakrificë, që ishin punëtorë të mirë, heshtakë, të përkorë, dhe bash aty që pikërisht dhe vlera e tyre morale, etike? Pse duhet ta hedhim poshtë heroin lirik të poezisë së Drirëro Agollit, që do barin, fushën, lopën, bujkun, gruan, njeriun. Po poezia meditative e mbushur me trope letrare e Fatos Arapit. Ku ta çojmë shollohovin shqiptar, Jakov Xoxën?! E pse mos të na pëlqejë, madje, edhe filma si Horizonte të hapura, paçka se ka aty një hero të politizuar si tepër, Uranin, që vdes duke u kujdesur për Bigën Lundruese ku punonte. Vallë, s’di njeriu të kuptojë se ky hero, nëse ia heq ca fraza prej komunisti, është, megjithatë, një njeri i mirë, solidar, i thjeshtë, që sakrifikon. Po të tjerët në këtë Bigë e atë kantier, a nuk e shprehin kohën e tyre bukur mirë? Dhe, kështu do të vijoja me romane, tregime, poezi e filma të tjerë, ku vërtet ka ndotje e një inkontaminim të pashmangshëm nga idetë e kohës, vërtet heroi detyrohet të gëlltit mendësi e slogane në dialogje që vinin nga trysnia e një utopie të shpëlarë, të rrejshme të realizmit socialist, ndonjëherë dhe të ndotura keq nga cipa e jargët e propagandës, por, nga ana tjetër, teksa i shikojmë në qasjet etike, humane e të brengave shpirtërore, nuk kemi pra pse t’i flakim. Mund të përftohen syresh hepimet dhe drithërimat e shpirtit njerëzor për të kërkuar pak klorofil në blerimin e munguar të asaj kohe dhe jete.

Ç’është ky idiotizëm që përsëritet shpesh nga ndoca njerëz që kujtojnë se me një kinse “terapi shok” do shpëtojnë publikun nga kultura e djeshme, duke harruar se kështu e lënë këtë vend “pa kulturë”, pa letërsi dhe art, njësoj siç bënë dje komunistët me Fishtën, Koliqin, Konicën, M. Frashërin, Merxhanin, Malëshovën e plot të tjerë; se gjithçka dje ka qenë veçse një hiç i madh e i rrumbullt, se gjithçka duhet nisur nga fillimi i fillimit, për të mbërritur te “fillimi i ri”, kjo psikozë spekulative që ende s’na lë të kthjellojmë arsyetimin, posaçërisht kur jemi në rrafshin estetik dhe gjuhën e artit. A s’paska kjo gjuhë, pra, një “pavarësi” nga koha kur bëhet dhe se, për fatin e mirë të letërsisë dhe arteve dje, ka fuqinë e universialitetit me pritësin e vet të kohës tjetër, për shkak të bulbeve humane e shpirtërore të personazheve dhe ngjarjeve që paraqiten.

Por, këtu është edhe vlera e tyre njohëse, që s’mund të nënvleftësohet e të tejkalohet. Nuk ka shpjegim që bashkë me ujin të hedhim dhe fëmijën nga govata, pra talentin dhe shpirtin krijues të kineastëve shqiptarë. E si t’ia bëjmë romanit dhe filmit Beni ecën vetë, edhe ai komunist na qenka?! Po Tela për violine? Unë po them edhe tregimin e ngrohtë të Agollit, Njeriu i mirë, i bërë film, ani pse ka diku atë mbishtresimin propagandistik te njeriut që vjen nga “baza” etj., a nuk na flet për ca gjera të vërteta të kohës? Dakord, e ka përsipër një cipëz morali të kohës, po dashuria e tij, karakteri i tij, ngjarja që ndodh, meskiniteti i Kiço Peles?! Këto e dëmtojnë vallë publikun e sotëm? Po vlerat e tjera, po thelbi, po bukuria estetike, duhet t’i flakim nga filma të tjerë sivëllezër? Ta hedhim poshtë romanin dhe filmin Njeriu me top, se ky Mato Gruda u bashkua me komunistët në luftë? Ja, kujtoni pak romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Eja e shkruaje një roman të ngjashëm si ky për nga gjetja, karakteri i zyrtarit të atrofizuar nga sloganet, vetëmburrja, burokracia, mitomania, por dhe nga humori brilant popullor. Ja ashtu, me atë ironinë dhe satirën e tij, ky roman si shumë të tjerë, i hiqte regjimit “gurin e fundit” duke përqeshur gjithë teprimet, shtrembërimet dhe idiotësitë e tij.

Veç me një shikim të shpejtë të letërsisë dhe artit të hershëm, dhe fill zemërimi të pushton për atë mendësi përjashtuese që, bën-ç’bën, nxjerr kokën dhe tund bishtin. Ç’janë këto budallallëqe dhe ky ekstremizëm i ri që po shfaqet, kinse nën sloganin e rrezikut nga ndikimi komunist, dukë e bërë dhe ribërë “gogol”, si dikur Marksi, por në tjetër kontekst.

Komunizmi, or zotërinj, ka vdekur me kohë e me vakt, është thjesht një fantazëm. Kjo është më shume një frikë e një tabu e kalbur brenda trurit të disave, që e shndërrojnë në kalë beteje, në instrument a doktrinë të ashtuquajturin antikomunizmin e tyre, se sa pjesë natyrore të vlerës estetike dhe artit si të tillë, që funksionon dhe mbijeton në marrëdhëniet konkrete me pritësin ë sotëm. U çel edhe një herë ky diskutim kohë më parë dhe u duk i tejkaluar dhe anakronik, ndaj dhe u braktis, e jo më sot. Filmat që publiku i do, i klikon pa urdhrin e askujt. Atë që s’e do, e braktis. Dhe, kjo është zgjidhja. Tutorët dhe tutorizmi s’janë veçse një bezdi më shumë, “kujdestar surrat patate, mirë ia bëmë zotërisë sate”! Nganjëherë këto, edhe pse kane shqetësimin e tyre për të shmangur çdo impakt negativ, janë me shumë keqkuptime a keqinterpretime të vetë artit si të tillë, që të kujtojnë pesë parimet e realizmit socialist e ndër to ndalimin e gjithçkaje që vinte nga jashtë …