LAJMI I FUNDIT:

Angazhimi i Austro-Hungarisë për librin e parë shqip të historisë së shqiptarëve

Angazhimi i Austro-Hungarisë për librin e parë shqip të historisë së shqiptarëve
Ilustrim

Hasan Bello

Në kuadër të aksionit që Vjena planifikoi të ndërmerrte në Shqipëri në fund të shek. XIX, u parashtrua dhe propozimi për të shkruar në gjuhën shqipe një histori kombëtare të shqiptarëve. Konsulli austro-hungarez në Shkodër dhe njëkohësisht një nga albanologët më të njohur të kohës, Teodor Ippen, pasi e vlerësoi këtë nismë, duke i dhënë vëmendjen maksimale, i propozoi Vjenës që kur të niste puna për hartimin e këtij teksti, të merreshin në konsideratë këto pika kulmore të historisë së popullit shqiptar: Epoka e Gjergj Kastriot Skënderbeut, por pa theksuar në mënyrë të tepruar se luftimet që ai bëri ishin drejtuar kundër sulltanëve osmanë; sundimi i Bushatllinjve në Shqipërinë e Veriut; sundimi i Ali Pashë Tepelenës në Shqipërinë e Jugut. Sipas Ippen-it, trajtimi i këtyre çështjeve historike, do ta zgjonte ndërgjegjen kombëtare shqiptarëve. Ai e vinte theksin se një botim i tillë do të shërbente gjithashtu për të paraqitur një ortografi unike të shkrimit të gjuhës shqipe.

Nga ky raport i Ippen-it, mësojmë se me detyrën për të hartuar tekstin “Historia e shqiptarëve” ishte ngarkuar drejtori i arkivit të Ministrisë së Financave dhe njëkohësisht këshilltari i Oborrit Perandorak, Dr. Ludvig von Thailloczy, i cili kishte vite që merrej me historinë e vendeve të Ballkanit. Për ta ndihmuar von Thailloczy-n, Ippen, u sugjeroi autoriteteve austro-hungareze një shkodran katolik, i cili ishte i punësuar në Ministrinë e Financave dhe kishte shërbyer si mësues në një shkollë të Durrësit të subvencionuar nga Vjena. Ky personalitet ishte Stefan Curani dhe sipas Ippen-it, ai i gëzonte të gjitha aftësitë për ta përkthyer në gjuhën shqipe tekstin e Von Thailloxy-it. Më 15 korrik të 1897-ës, ministri i Financave, Kallay, vinte në dijeni ministrin e Jashtëm, kontin Go?uchoëski, se vartësi i tij, Von Thailloczy e kishte përfunduar dorëshkrimin e tekstit “Historia e shqiptarëve”. Ai, pasi bënte një vlerësim lidhur me ndikimin që do të kishte kjo vepër në kuadër të aksionit letrar në Shqipëri, kërkoi nga ministri i Jashtëm, kompetencë e të cilit ishte, përcaktimin e modaliteteve lidhur me shtypjen dhe shpërndarjen e saj në terren.


Më 10 korrik 1897, Von Thailloczy i drejtoi ministrit të Jashtëm një raport-propozim më të detajuar, lidhur me shpenzimet financiare që nevojiteshin për botimin e veprës “Historia e shqiptarëve”. Ndërsa po në të njëjtën datë, ai i paraqiti eprorit të tij, ministrit të Financave, një ekspoze të koncentruar mbi parimet ku ishte mbështetur gjatë punës për të shkruar këtë libër. Sipas Von Thailloczy-it, për hartimin e këtij teksti, ai i ishte përmbajtur idesë themelore se shqiptarët në çdo kohë kishin ruajtur individualitetin e tyre etnik, një ndjenjë të fuqishme për të qenë autonom dhe ndërgjegje të gjallë kombëtare. Ai shkruante se për hartimin e kësaj vepre kishte shfrytëzuar të gjitha burimet ekzistuese. Por, gjithsesi, albanologu austro-hungarez ishte i bindur se meqenëse deri në këtë periudhë nuk kishte asnjë vepër shkencore që e trajtonte historinë e shqiptarëve në formë unike, edhe punimi i tij kishte mangësitë e veta.

Qëllimi i tij ishte riprodhimi i fakteve që njiheshin gjerësisht nga studiuesit dhe publiku europian, me dëshirën për t’ua dorëzuar këtë libër gegëve dhe toskëve shqiptarë, që të ngulisnin në kokat e tyre tri pikëpamje kryesore: se ata formonin një popull më vete; se ata kishin pasur një histori të lavdishme dhe se për këtë arsye, ata mund të shpresonin për një të ardhme politike. Ai arsyetonte se këto tri pikëpamje, do të mbinin në “tokën e papunuar të mendjes” shqiptare dhe, me kalimin e kohës, do të zhvilloheshin nga ndjenja kombëtare që do të vinte duke u zgjuar. Teksti i mësipërm ishte hartuar duke pasur parasysh përbërjen fetare të popullit shqiptar. Në këtë aspekt, autori kishte marrë në konsideratë evitimin e çështjeve që mund të shkaktonin pakënaqësi si te myslimanët ashtu dhe te katolikët e ortodoksët. Madje, ai ishte përpjekur që të gjente pikat e tyre të përbashkëta.

Si përkthyes, Von Thailloczy sugjeroi Stefan Curanin, i cili prej disa vitesh shërbente në arkivin e Ministrisë së Financave, si vartës i tij. Stefan Curani konsiderohej si një shqiptar i zjarrtë, plot zell dhe punëtor i shkathët. Ai bënte pjesë tek ata të rinj shkodranë që dikur kishin qenë nën influencën italiane, por që me vazhdimin e studimeve në Vjenë, kishin ndryshuar “pikëpamje”.

Një problem për botimin e kësaj vepre vazhdoi të mbetej alfabeti me të cilin ajo do të shtypej. Siç dihet, në këtë periudhë, nuk ekzistonte një alfabet i unifikuar i gjuhës shqipe. Prandaj, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e Vjenës ndaj popullsisë katolike u vendos që kjo vepër, me disa ndryshime, të shtypej me alfabetin e veriut.

Për ta bërë librin më tërheqës nga pikëpamja vizuale, Von Thailloczy-i, i propozoi ministrit të Jashtëm vendosjen e disa ilustrimeve. Ato ishin emblema dhe objekte të botës shqiptare, të cilat me kalimin e viteve hynë dhe u ngulitën thellë në memorien kolektive të kombit shqiptar: një gurë i çmuar në të cilin ishte gdhendur portreti i perandorit August, të cilin ilirët e adhuronin; portreti i Skënderbeut sipas Barletit; shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut që ndodheshin në muzeun e Vjenës; Sinan Pasha dhe Ali Pashë Tepelena.

Si kopertinë të librit, Von Thailloczy-i propozoi vendosjen e portretit të Skënderbeut. Madje, në bazë të studimeve dhe kulturës heraldike që zotëronte, kishte ndërtuar edhe një stemë. Për këtë, ai kishte marrë në konsideratë simbolet e familjeve më të njohura të mesjetës shqiptare.

Ky libër mendohej që të shtypej në shtypshkronjën e oborrit perandorak, por, për arsye politike, në kopertinë duhej të vendosej sikur ai ishte shtypur në Bukuresht, Stamboll ose Selanik.

Konsulli austro-hungarez në Shkup, Pisko, të cilit “Historia e shqiptarëve” i ishte dhënë për konsultim nga Vjena, pasi bënte një vlerësim maksimal për impaktin që do të kishte kjo vepër, shprehte mendimin se, duhej të bëhej kujdes lidhur me ndjenjat fetare të shqiptarëve myslimanë dhe se për ta shtuar ndikimin mbi këta të fundit, ajo duhej të përkthehej edhe në gjuhë turke. Sipas tij, përkthimi i saj në gjuhën italiane do të ishte diçka akoma dhe më e mirë për pjesën e shkolluar të popullsisë dhe klerit katolik shqiptar, e cila këtë gjuhë e lexonte më mirë se gjuhën e vet kombëtare.

Për të koordinuar veprimet, me sugjerim të Ministrisë së Jashtme, Von Thailloczy-i hyri në kontakt me konsullin austro-hungarez të Shkodrës, albanologun e njohur Teodor Ippen-in. Në kuadër të këtij aksioni dhe të botimit të veprës “Historia e shqiptarëve”, ata zhvilluan disa udhëtime te kolonia shqiptare e Italisë dhe në Zara. Gjatë sondazheve që realizuan, arritën në përfundimin se:

1) Botimi i veprës “Historia e shqiptarëve” do të kryhej në Vjenë, por pa u përmendur emri i tipografit, ndërsa si vend i botimit do të shënohej Korfuzi.

2) Botimi në gegërisht i kësaj vepre do të realizohej me drejtshkrimin që përdorte shtypshkronja e jezuitëve të Shkodrës. Kjo sepse akoma nuk ishte pranuar një alfabet dhe drejtshkrim unik për të gjithë shqiptarët.

3) Përveç botimit në gegërisht, me qëllim që të kuptohej dhe lexohej nga të gjithë shqiptarët, duhej bërë edhe një botim në toskërisht. Këtë përgjegjësi mund ta merrte përsipër nënkonsullata e Vlorës ose konsullata e përgjithshme e Janinës.

Një alternativë për të realizuar përkthimin dhe botimin e kësaj vepre ishte editori i revistës “Albania”, që dilte në Bruksel, Faik Konica. Për realizimin me sukses të këtij misioni, do të ishte e dobishme që “Historia e shqiptarëve” të përkthehej dhe botohej edhe në gjuhën turke. Nuk rekomandohej që shpërndarja e kësaj vepre t’i lihej në dorë zyrave konsullore në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Janinë, pasi kjo do ta komprementonte direkt Vjenën. Përkundrazi, do të ishte më efektive që këto zyra konsullore të hartonin listat emërore të personave të interesuar, te të cilët kjo vepër mund të bënte dobi. Pas kësaj, konsulli Ippen do të përgatiste disa zarfe të posaçme me anën e të cilëve vepra do t’u shpërndahej këtyre personave, duke përdorur zyrën postare të Korfuzit. Kjo ishte në funksion të alibisë se si vend botimi, do të vendosej ky qytet.

Botimi i kësaj vepre mund të realizohej në muajin dhjetor (të vitit 1897).

Nga konstatimet që Von Thailloczy-i bëri në koloninë shqiptare të Borgo Erizzo-s, afër Zarës, i raportoi ministrit të Jashtëm se ajo përbëhej nga 240 persona. Ata që të gjithë komunikonin shqip me njëri-tjetrin dhe kishin një natyrë shumë të gjallë kombëtare. Që prej shumë kohësh, kjo aspiratë shprehej nga dëshira dhe kërkesa për të pasur një prift e një mësues shkolle shqiptare. Megjithëse në këtë dioqezë gjendeshin shtatë priftërinj shqiptarë dhe 19 mësues, mjerisht, këta, sipas Von Thailloczy-it, ishin të kapur nga e keqja e trashëguar dalmatine: nga grindja e partisë autonome italiane dhe kroate. Me shumë kujdes, shqiptarët e kësaj kolonie mund të ktheheshin në një bazë të fuqishme të aksionit dhe propagandës letrare shqiptare. Prandaj, ai së bashku me Ippen-in i sugjeruan ministrit të Jashtëm që të merreshin këto masa:

1) Në Zarë të botohej një gazetë shqiptare dymujore, e cila të paraqitej si një ndërmarrje e shqiptarëve të Borgo Erizzo-s, të lidhur me kombësinë e tyre të vjetër.

2) Si redaktorë të emëroheshin dy persona të njohur, njëri si pjesëtar i partisë autonome italiane dhe tjetri i asaj kroate.

3) Meqë kjo lëvizje letrare duhej të drejtohej nga Vjena dhe meqë elementët shqiptarë kishin një formim gjysmak dhe me zellin e tyre mund ta tepronin, do të ishte mirë që Stefan Curani nga Shkodra, por me punë në Vjenë, të dërgohej për disa muaj në Zarë, për të përgatitur numrat e parë nën mbikëqyrjen e Vjenës.

4) Botimi të bëhej në bazë të ortografisë së parashikuar në “Propozime lidhur me një ortografi shqiptare unike”, të shtypur si dorëshkrim në Vjenë, në janar të 1895-ës, dhe që kishte gjetur përkrahjen e disa letrarëve shqiptarë.

5) Një pjesë e materialit mund të realizohej me ndërmjetësinë e zyrave konsullore në Shkodër, Durrës dhe Prizren.

6) Mëkëmbësia në Zarë do të ishte mirë që të udhëzohej nga Ministria e Punëve të Brendshme, që të mos i nxirrte vështirësi daljes së gazetës.

7) Do të ishte shumë e dobishme sikur gazeta “Albania” të nxirrej në të dyja dialektet e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim do të ishte mirë që të fillonin bisedimet me Faik Konicën.

Autorët e mësipërm i sugjeruan ministrit të Jashtëm edhe tri propozime lidhur me çështjen e librave shkollorë:

  1. a) Meqë kushtet e jetesës së shqiptarëve dhe boshnjakëve ishin të ngjashme, ishte e përshtatshme që për librat shkollorë në gjuhën shqipe, të merreshin si model ato të shkollave të Bosnje-Hercegovinës.
  2. b) Stefan Curani, gjatë muajve që do të qëndronte në Zarë për të përgatitur numrat e parë të gazetës, të ngarkohej gjithashtu që së bashku me françeskanin Mihaçeviç në Sarajevë dhe me jezuitin Mjeda të përkthenin edhe disa libra shkollorë në gjuhën shqipe.
  3. c) Posa të përktheheshin librat e nevojshëm për shkollën fillore, të kalonin menjëherë për t’u shtypur në Zarë.

Ndërsa, ministri Fuqi Plotë Zwiedinek i parashtroi ministrit të Jashtëm disa vërejtje lidhur me propozimet e Von Thailloczy-it dhe Ippen-it. Kështu, mënyrën e propozuar në pikat 1, 2 dhe 5 të raportit të 23 shtatorit 1897 për shtypjen dhe përhapjen e “Historisë së shqiptarëve”, ai e shikonte të përshtatshme dhe rekomandonte që shpërndarja e veprës nga zyra postare e Korfuzit te konsullatat austro-hungareze në vilajetet shqiptare, të bëhej në atë mënyrë, që autoritetet lokale osmane të mos kishin mundësi që ta pengonin. Këtu duhej marrë parasysh edhe fakti se nuk përjashtohej rreziku që një pjesë e madhe e të adresuarve, nga frika e një komprometimi kundrejt autoriteteve osmane, do ta refuzonin tërheqjen e veprës. Kjo kishte ndodhur edhe në rastin e shpërndarjes së revistës “Nazione Albanese” si dhe i thirrjeve të ndryshme që “Societa nazionale albanese” dërgonte nga Italia.

Ndërsa lidhur me botimin e këtij libri në variantin toskërisht dhe në gjuhën turke, Zwiedinek ishte i mendimit se më parë duhej konstatuar se si do të pritej ai në krahinat që banoheshin nga shqiptarët gegë dhe deri në ç’masë do të ishte e mundur përhapja e tij. Ndërkohë që përshtatja e librit në variantin toskërisht mund të vazhdonte, me qëllim që kur të krijoheshin kushtet e nevojshme, ai të botohej edhe në këtë dialekt. Gjithashtu, ishte e rekomandueshme që, sipas tij, revista “Albania” e Faik Konicës, të publikonte pjesë nga libri, me qëllim që edhe lexuesi tosk të njihej me pikëpamjet thelbësore të veprës “Historia e shqiptarëve”. Në këtë kuadër, ai ishte i mendimit që Faik Konica të ftohej në Vjenë ose me të vendoseshin lidhje me anë të ndonjë ndërmjetësi në Bruksel.

Niveli i ulët kulturor i popullit shqiptar ishte një pengesë e madhe për Vjenën. Prandaj, Zwiedinek shkruante se pavarësisht botimeve letrare dhe publicistike, fillimisht suksesi i Vjenës do të ishte i kufizuar. Megjithëse në disa qytete të Shqipërisë ekzistonte një numër i vogël intelektualësh, plot ambicie për të luajtur një rol politik dhe me dëshirën për t’i vënë në veprim aftësitë e tyre, këta elementë nuk kishin ndonjë influencë të madhe në popull. Ky i fundit, sipas Zwiedinek-ut, nëpërmjet kishës dhe shkollës, duhej ngritur në një nivel më të lartë arsimor dhe të edukohej për të kuptuar më mirë detyrat e veta kombëtare. Për realizimin e këtyre objektivave, Perandoria Austro-Hungareze mund të luante një rol të rëndësishëm. Kjo mund të arrihej: së pari në qoftë se Vjena me anë të institucioneve ku formohej kleri, të vendoste në famullitë katolike priftërinj që kishin shkallë të lartë ndjeshmërie për zhvillimin moral e kulturor të popullit shqiptar dhe që ishin besnikë të mbrojtësit apostolik të kishës në Shqipëri dhe; së dyti, në qoftë se Vjena fitonte simpatinë e rinisë shqiptare, duke shtuar dhe përmirësuar shkollat katolike dhe ato kombëtare në krahinat e Shqipërisë. Kështu do të sigurohej simpatia e popullit shqiptar dhe do t’i ngrihej barrierë orvatjeve të çdo fuqie të huaj, për të fituar influencë në Shqipëri. Ndërsa idenë e Von Thailloczy-t për të përkthyer tekstet shkollore që përdoreshin në BosnjeHercegovinë, ai e konsideronte si diçka të nevojshme për të plotësuar nevojat e shkollave shqipe, me kushtin që paraprakisht të arrihej një marrëveshje me peshkopët katolikë të Shqipërisë, nën autoritetin e të cilëve gjendeshin këto shkolla.

Mendimin e përhapur se shqiptarët e veriut, meqenëse ishin analfabetë, mund t’i afroheshin me vështirësi lëvizjes letrare të nxitur nga Vjena, Von Thailloczy-i e kundërshtonte me faktin se, ndonëse ngadalë, edhe te ata po ndihej një dëshirë instiktive për dije. Ai raportonte se letërsia popullore serbe, edhe pse e varfër, ishte duke përparuar në disa zona me popullsi shqiptare. Kështu, në Shpuzë dhe Podgoricë po shiteshin poema heroike serbe, ku Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, konsiderohej si luftëtar sllav. Duke falsifikuar legjendat popullore, sipas Von Thailloczy-it, synohej krijimi i një bërthame të një besimi të ri popullor shqiptaro-sllav. Prandaj, duke marrë në konsideratë këtë situatë, si dhe përpjekjen e propagandës italo-shqiptare për të shtypur një histori të Shqipërisë, ai i sugjeronte ministrit të Jashtëm: që dorëshkrimi i tij të botohej sa me shpejt; të fillonte financimi për shtypjen e një reviste dymujore për koloninë shqiptare të Zarës me redaktorë Stefan Curanin; librat e shkollave publike përbënin një nevojë të ngutshme në Shqipëri, prandaj, duke marrë si model ato të shkollave të Bosnje-Hercegovinës, të fillonte sa më shpejt përkthimi i tyre në gjuhën shqipe; paralelisht me këtë lëvizje, duke marrë si shembull organizatat propagandistike sllave, duheshin shtypur libra dhe revista me karakter letrar, historik dhe gjeografik. Një aksion i tillë ishte i domosdoshëm për të përballuar presionin e propagandës sllave, që në fakt, sipas Von Thailloczy-it, favorizohej edhe nga dobësia e administratës osmane.

“Historia e shqiptarëve” u shtyp në shtypshkronjën e oborrit perandorak austro-hungarez, “Adolf Holzhausen”, në Vjenë më 1898, por për të humbur gjurmët, u shënua “Skenderye” (“Aleksandri” – Egjipt) me një tirazh prej 600 ekzemplarësh. Në këtë botim, të gjitha pjesët që presupozohej se nuk pëlqeheshin nga administrata osmane u hoqën, ndërsa disa gabime teknike u lanë qëllimisht, për të krijuar bindjen e organeve shtetërore osmane se botimi i librit ishte realizuar nga një shtypshkronjë orientale.

Pjesërisht, disa copëza të këtij libri u botuan edhe në revistën “Albania” të Faik Konicës. Që në hyrje të tij, theksohej hapur autoktonia e popullit shqiptar, me fjalët “Shqyptarë, vllaznit e dashtun! Na jena fisi ma i vjetër i Europës”.