LAJMI I FUNDIT:

Analogjitë historike si politikum

Analogjitë historike si politikum

Këto ditë, kur në Kosovë gjithandej shënohen ditët e krenarisë, përkujtohen të rënët gjatë luftës së fundit (1997/1999), rikthimi tek analogjitë historike, sidomos kur këto analogji bëhen nga politikanë eminentë, fiton peshë e domethënie të veçantë. Ndërkaq, kur këto analogji përvijohen në fjalimet e personaliteteve evropiane në këtë përvjetor të 100-të të Luftës së Parë Botërore, shmangja nga politikumi është i pamundur.

Përkujtimi i historisë, i vendimeve tërësisht të gabuara që ishin tumirë p.sh. si ai për pothuajse gjysmën e Shqipërisë (Kosova ishte vetëm një pjesë nga ajo tërësi), që po i nënshtrohej gjymtimit në Konferencën e Londrës (1913), është obligim politik e moral, por edhe shkencor.


Karl Shvarcenberg, Hillari Klinton, Volfgang Shojble, ish kancelari gjerman Gerhard Shrëder dhe së fundmi edhe ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Leonid Abramov etj., rizunë në gojë, në fjalimet e tyre, rastin e Kosovës duke bërë analogji me raste të ngjashme në histori. Tre të parët, në deklaratat e tyre pas sulmit rus në Krime, jo që tërhoqën paralele mes rastit në fjalë dhe aneksimit të Sudetenlandit nga nazifashizmi gjerman në vitin 1938, por e sollën në vëmendje të opinionit disi në kontest të njëjtë. Ndërkaq, ambasadori rus në Tiranë shkoi më tutje, tek tërhoqi paralele mes ndërhyrjes së ushtrisë së Ukrainës në lindje të vendit, me atë të ushtrisë serbe në Kosovë. “Ushtarët e Kievit në lindje të Ukrainës m’i kujtojnë ushtarët e Milosheviqit në Kosovë, në vitin 1998”, u shpreh ai fare shqeto.

Evidentimi i ngjarjeve të këtilla historike, sidomos në shoqëritë demokratike, shihet edhe si akt i dobishëm për aktualitetin politik, respektivisht si leksion nga e kaluara në shërbim të daljes së mundshme nga krizat aktuale. Mirëpo, tërheqja e paraleleve mes Kosovës dhe Krimesë, por edhe përdorimi në kontest të ngjashëm historik, me Sudetenlandin, apo me Baskinë a Skocinë, e bën cilësimin e Kosovës si rast sui generis, disi jo real.

Në kontestin historik, sidomos tashti kur në Kosovë po themelohet Gjykata speciale për trajtimin e të ashtuquajturave krime që po supozohet se i paskan bërë segmente të veçanta të UÇK-së, pra në këtë kontest krahasimet marrin konotacion të pastër politik. Ndërkaq, këmbëngulja për të imponuar vendime që janë ndesh me interesin dhe perspektivën e Kosovës, delegjitimon demokracinë evropiane si filozofi dhe institucionet e UE-së si produkt i kësaj demokracie për të cilën gjakojmë ta instalojmë në Republikën tonë.

Nuk është krejt e rastit që në këso rrethanash, kufijtë mes të cilësuarve si revolucionarë, çlirimtarë nga njëra palë dhe kriminelë, shtypës e shfrytëzues nga pala tjetër, duke pas objekt vlerësimi dhe cilësimi po të njëjtit njerëz, këta kufij, mbesin fare të ngushtë dhe disi përcaktues real për vlerat mbi të cilat është ngritur civilizimi evropian. Shih për këtë, shfrytëzimi i analogjive në këto raste, po merr konotacion të sforcuar dhe të pastër politik.

Duke iu rikthyer historisë dhe kujtimeve, sidomos në këto ditë krenarie tek po kujtojmë me pietet titanët e UÇK, duke bërë homazhe tek varrezat e atyre që kanë një varrë tashmë në këtë Atdhe për të cilin ranë; duke bërë homazhe tek përmendoret e komandantëve, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci etj. ne nderojmë sakrificën e tyre, por njëkohësisht edhe do të duhej të komunikonim me ta, të rikujtonim betimin e dhënë tok, t’ jua dëshmojmë publikisht Atyre dhe gjithë popullit se do të vazhdojmë sendërtimin e idealeve për të cilat ata ranë… Përballja me historinë rikthen në kujtesën tonë vendime të dhimbshme, tragjike për gjenerata të tëra, por njëkohësisht na rikujton edhe obligimet që kemi ndaj Atdheut, të ardhmes së tij.

Përmendja e Kosovës në kontestin e Krimesë nga personalitete botërore, ashtu si edhe përpjekja për revizionimin e historisë në dëm të interesave shqiptare, duke dëshmuar një lloj pendese për aktin më njerëzor që kishte bërë Perëndimi me ndërhyrjen e vitit 1999 për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, duke lënë në heshtje vendimet e Konferencës së Londrës (1913) dhe arsyet e deklaruara përse po sakrifikoheshin shqiptarët atëbotë, por edhe duke shikuar mundësinë e bashkimit të shqiptarëve si rrezik potencial për rajonin, na bën të ndjehemi disi jo komod në rrugëtimin tonë drejt integrimit në familjen të cilës de fakto i takojmë. Madje, duke pas parasysh se paqja në këtë pjesë të Evropës, me gjithë gjymtimin e Shqipërisë në dobi të satelitëve të Rusisë në rajon atëbotë, u shkërmoq fill pas dy vjetëve, disi e bën krahasimin paksa malicioz. Ndërkaq, ikja si prej temjanit nga çfarëdo krahasimi i mundshëm i Kosovës me Gjermaninë Lindore, apo me vet procesin dekolonizues në vitet e ‘50-ta e ‘60-ta të shekullit të kaluar në Aafrikë, flet më shumë për ikje nga realiteti faktik, historik e shkencor. Përse ndodhë kjo?

Analogjitë historike kur përdoren si duhet dhe me qëllim fisnik, do t’ i shërbenin fare mirë një lloj katarsisi politik, i dobishëm edhe për këtë hapësirë të Evropës Juglindore. Çfarë do t’na shërbenin p.sh. ne analogjitë mbi marshin e ushtrisë ukrainase në territore të banuara me shumicë ruse në lindje të Ukrainës, me marshin e ushtrisë serbe drejt Toplicës në vitet 1877-1878, ose edhe më vonë nga Nishi në drejtim të Prishtinës dhe Kumanovës në verën e vitit 1912-të?

Duke shfletuar shënimet e Dimitrije – Mita Petroviqit, një ushtari të ngritur nga historiografia serbe në mit, me titullin signifikativ “Lufta në Toplicë 1877-1878”, sidomos pjesën e dytë të këtyre shënimeve të përgatitura për botim Dragoje Todoroviq, mësojmë se nga gjithsejt nëntë fëmijët e Petroviqit, pesë do të bien në luftërat pasuese për zgjerim të Serbisë në dëm të hapësirës shqiptare. Shteti serb, duke i botuar me përkushtim e kujdes këto shënime, një shekull më vonë, në vitin 1979, sikur tërheq paralelet mes luftërave pararendëse për pastrim etnik të shqiptarëve nga Toplica, me projektet që do të pasonin në vitet 1997/99. Ndërkaq sjelljet e estabilishmentit politik serb ndaj Kosovës sot, duke e trajtuar tutje atë pjesë integrale të Serbisë, por edhe duke mos hequr nga rendi i ditës rikthimin triumfues të ushtrisë serbe në Kosovë si qëllim historik, janë dëshmi mbi të cilat do të duhej të reflektonte Brukseli, duke bërë krejt të kundërtën çka po bën sot: të heq dorë nga presioni që ushtron ndaj politikanëve të shantazhuar të Kosovës dhe të rishikojë strategjinë në dobi të përshpejtimit të proceseve integruese të rajonit në UE.

Por, nëse sot ministri gjerman i fincave Shojble e ka ndjerë se krahasimet në rrafshin historik, sidomos ato që rikthejnë në kujtesë vendimet si ai i vitit 1938 në Mynhen, apo ngjarje si ato që kanë tronditur Evropën (pushkatimet masive të pjesëtarëve të rezistencës gjithandej në Evropë në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore) ose depërtimi i qindra-mijëra të tjerëve si robër lufte pas vitit 1943 etj., cenon sensibilitetin historik, ish kancelari Gerhard Shrëder në debatin rreth aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë iu kishte kthyer intervenimit ushtarak të Perëndimit në Kosovë (1999), duke tërhequr paralele e arsyetuar veprimin rus. Analogjitë e Shojbles mes sulmit rus në Krime me Sudetenland, jo pa arsye ngjallën reagime të shumta, siç hasi në kundërshtime të rrepta edhe analogjia e Shrëderit.

Si i pari edhe i dyti, sikur nuk kishin parasysh diferencat mes rasteve në fjalë, e aq më pak qëllimin për t’ i kontribuar zgjidhjes së çështjeve të ngritura sot, qofshin ato në Krime e gjetkë në Ukrainë, qofshin në Kosovë. Në këtë kontekst deklarata e përsëritur e ambasadorit rus në Tiranë, Abramov, tek tërheq paralele mes Krimesë me Kosovën, duke u thirrur në të drejtën e popujve për vetëvendosje, sikur hedh dritë tutje në ca skuta të historisë së shekullit XIX , që kanë lënë xhepa të ngjashëm edhe në Evropë, duke ia rikujtuar Brukselit çështjet e pazgjidhura nacionale brenda shtëpisë së vet.

Në këto rrethana, takimi i 17 prillit nё Gjenevё mes përfaqësuesve të SHBA-ve, Rusisё, Ukrainёs dhe BE-sё, që prioritet kishte gjetjen e rrugëve që do të mundësonin realizimin e planit për paqe për Ukrainën, në esencë rihap siparin e strategjisë së re të ribalancimit gjeopolitik. Misioni vёzhguesish i OSBE-sё që mendohet se do të duhej të mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes, ka gjasa të shërbejë për ripozicionime të reja konform fakteve që po krijohen në terren në përputhje madje edhe me këtë marrëveshje të Gjenevës, e që ka të bëjë me rikthimin e administratës legjitime në institucionet tashmë të uzurpuara nga forcat paramilitare proruse.

A do të thotë kjo se Rusia po fillon procesin e rishikimit të strategjisë së saj lidhur me ish shtetet aleate që për një kohë i trajtoj si shtete-satelitë?

Rrjedha e ngjarjeve në këtë plan, mbetet të shihet në të ardhmen e afërt. Shih për këtë, analogjitë historike, jo gjithherë janë instrument adekuat politik për realizimin e objektivave politike bashkëkohore. Se a është fjala për Kosovën, Krimenë, Sudetenlandin, Maqedoninë, Qipron, Baskinë, Skocinë… nuk është krejt e njëjtë. Secili nga këto raste ka kompleksitetin e vet.