LAJMI I FUNDIT:

Analiza e biznesore e Ramiz Kelmendit, pas takimit të dy Qeverive

Analiza e biznesore e Ramiz Kelmendit, pas takimit të dy Qeverive

Dhoma Kombëtare Tregtare (DHKT), para takimit të 23 marsit, të mbajtur në Tiranë, në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kishte dorëzuar një seri kërkesash në adresë të kryeministrave të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, që të ndërmarrin masa për lehtësimin në të bërit biznes, në të dyja anët e kufirit.

Qëllimi i këtyre kërkesave, sipas parashtruesve të saj, në drejtim të dy qeverive, pikë së pari ndihmon në rritjen e zhvillimit të bizneseve ekzistuese, rritjes së produktivitetit të tyre, shtimit të të punësuarve, por njëkohësisht edhe mundësisë së krijimit të bizneseve të reja, nga të rinjtë e të dyja shteteve.

Kërkesat të cilat janë paraqitur për të dy qeveritë shqiptare, janë:


1. Të publikohen në faqe zyrtare, lista e detajuar e sasisë së produkteve të gatshme, repromaterialeve dhe ambalazhimeve që importohen në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës , që këto të dhëna të munde të shërbejnë si ide bazë për t’iu qasur prodhimit të ri, dhe zgjerimit të kapaciteteve të prodhimit ekzistues. Ku vend të veçantë duhet të zënë produktet ushqimore dhe bujqësore, por edhe të tjera.

2. Të trajtohen produktet e prodhuara në Shqipëri dhe Kosovës, si produkte me prejardhje nga këto dy vende; pra çdo prodhim të jetë i pajisur me “EUR 1”. Ky është modeli më i avancuar, në kuadër të marrëveshjes “CEFTA”.

3. Të hiqen taksat doganore në lëndë të parë, repromateriale dhe ambalazhime për te gjitha produktet dhe nga të gjitha shtetet, përveç nëse këto lëndë të para, repromateriale dhe ambalazhime janë në sasi të mjaftueshme në këto dy shtete.

4. Të pranohen dokumentet zyrtare të organeve kompetente të dy shteteve , si të doganave ashtu edhe organeve tjera të kontrollit të kualitetit dhe cilësisë.

5. Të implementohen arkat fiskale në të dyja shtetet, si aktivitet që paraqet një kulturë blerëse dhe garë e barabartë në mes akterëve ekonomik .

6. Të luftohet informaliteti dhe korrupsioni, si dukuri negative të shoqërisë.

7. Të hiqet dorë nga ndikimi, politik dhe individual, në organet e drejtësisë, të prokurimit publik dhe të kontrollit të kompanive publike.

8. Të trajtohen bizneset në mënyrë të barabartë, dhe jo të favorizohen përmes politikave selektive të grupeve të interesit (sepse kjo e dëmton konkurrencën e drejtë).

9. Të krijohet ambienti ligjor dhe pako e re investuese për prodhimtari rentabile dhe mbushje të qëndrueshme të buxhetit shtetëror.

10. Radiotelevizionet publike të jenë në funksion të promovimit të prodhimtarëve të të dyja shteteve, në funksion të ngritjes së informimit për sasinë dhe cilësinë që nxjerrin këto prodhimtari.

11. Planifikimi i (ekskursioneve) vizitave të nxënësve, në të dyja shtetet, ku në planprogramin e tyre të jenë edhe vizitat e ekonomive prodhuese, duke u bërë kështu pionierët e gjenerimit të konsumit të produkteve kombëtare.

12. Të identifikohen, pastaj edhe të mbështeten top kompanitë, në nivel mbarëkombëtar, e më pastaj ato të bëhen marka të njohura, me të vetmin qëllim, që të ndihmohet eksportimi i produkteve(nga të dyja shtetet) nëpër vendet e BE-së dhe më gjerë.

13. Të dizajnohet një program i ri i lidhjeve zinxhirore, prodhues-përpunues – qendrave tregtare. Përshembull, përpunuesi të jetë nga Kosova, prodhimi final të behët në Shqipëri, dhe këto produkte të plasohen nëpër qendrat tregtare të të dyja vendeve. Në këtë rast duhet të njihet certifikata “EUR 1”.

14. Të subvencionohen bizneset e huaja të cilat i tregtojnë produktet kosovare në Shqipëri dhe anasjelltas. Shembull konkret, nëse një biznes në Shqipëri, ka një sasi të produkteve nga Kosova, ai lirohet për dy për qind nga TVSH-ja e totalit të mallit të cilin e ka marrë nga Kosova, në këtë rast. Krejt kjo me qëllim të ngritjes së interesit për të konsumuar dhe tregtuar me këto produkte kombëtare.

15. Të promovohen produktet kombëtare në trevat shqiptare, rajonale, evropiane dhe më gjerë.

16. Të pranohet nga dy Qeveritë nga një përfaqësues i DHKT –së, si vëzhgues në mbledhjet e rregullta qeveritare.

Pikat e parashtruara, nga ana DHKT-së, sipas kësaj dhome, janë mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por kanë mbetur ende pa përgjigje nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
DHKT ka sqaruar se bizneset e Kosovës i mirëpresin takimet në mes përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve shtetërore, për të shpalosur edhe njëherë kërkesat e tyre( bizneset) të domosdoshme.

Sipas tyre, nga ana e Qeverise vazhdimisht kërkohet që bizneset të largohen nga informaliteti, në mënyrë që buxheti i Republikës së Kosovë të jetë i qëndrueshëm. Bizneset ekzistuese duhet të sqarojnë se në cilat fusha (konkretisht) ndikojnë kërkesa e tyre. Sepse, nëse kërkesat të cilat i prezantojnë bizneset merren parasysh, ato do ta shtojnë punësimin, eksportin, dividentën, apo edhe të hyrat tjera.

Ndërsa, Qeveria pas pranimit të këtyre kërkesave, duhet të përllogarit se çka mund të humbë ose të fitojë nga këto kërkesa .

Gjithnjë duhet të kihet parasysh që punësimi dhe krijimi i bizneseve të reja, të cilat do të formohen dhe avancohen, parashihet nga planifikuesit e zhvillimit ekonomik. Bizneset gjithnjë kërkojnë (jo përmes favorizimeve) që përmes elementeve ligjore dhe fiskale, të jenë aktorë të barabartë , në fushëveprim, më bizneset e regjionit.

Afaristi Ramiz Kelmendi, ka ilustruar përmes një kalkulimi në praktikë, dallimin në mes një biznesi në Kosovë dhe një biznesi në vendet e rajonit.

PARAMETRI 1
a) Fuqia punëtore: Kosovë ( 200-300 ) euro / Regjion ( 180-250 ) euro
b) Tatimi në të ardhura të punëtorëve: Kosovë ( 10-20) për qind / Regjion (30-60) për qind
c) Energjia elektrike, në Kosovë dhe vendet e rajonit, është ë përafërt
d) Repromateriali: Kosovë dogana (10) për qind / Regjion (zero) për qind
e) Ambalazhimi: Kosovë dogana (10) për qind / Regjion (zero) për qind
f) Transporti i repromaterialit dhe ambalazhimit: Kosovë (udhëzimi administrativ ka rritur transportin) (+50 ) për qind / Regjion ( zero ) për qind

Nëse i krahasojmë këto parametra për një produkt prodhues, që repromaterialin bazë e kanë nga shtetet e njëjta të importit, prodhimi jonë, në raport me prodhimet e rajonit, është më i shtrenjtë (me repromaterial dhe transport) afër 20 për qind, derisa kosto e energjisë elektrike është e përafërt. Ndërsa çmimi i gazit në Kosovë, është rreth pesë për qind me shtrenjtë se në vendet e rajonit. Sa i përket fuqisë punëtore, kostoja është e përafërt me vendet e rajonit.

PARAMETRI 2
a) Lirim nga pagesa e taksave: Kosovë ( 0 ) vjet / Regjioni ( 3-5 ) vjet
b) Pagesa për një të punësuar: Kosovë ( 0) euro / Regjion (500) euro
c) Leje e ndërtimit: Kosovë (2-10) euro (m2) / Regjion (0) euro (m2)
d) Toka për ndërtim: Kosovë 100 euro (m2) / Regjion (1) euro (m2)
Edhe këto elemente përcjellëse janë të disfavorshme për prodhuesin kosovarë në raport me prodhuesin e regjionit.

PARAMETRI 3
a) Kamatat bankare në vitin 2013: Kosovë ( 10-13) për qind / Regjion ( 5-6 ) për qind
b) Kamatat vjetore 2015: Kosovë (7-10)% / Regjion ( 4-5) për qind

Kelmendi ka thënë se edhe këtu jemi prapa në krahasim me shtetet e regjionit. Në elementet e cekura më lartë, Qeveria mund të ndikoj dukshëm në disa pozicione; dogana në repromateriale; amballazhime dhe pjesë rezervë. Ndërsa, sipas tij, me përmirësimin e efikasitetit të gjygjësorit (duke zgjidhur lëndët ekonomike, në periudha nga tre deri në gjashtë muaj maksimalisht) kamatat për kredi do të zbresin në nivelin e vendeve të regjionit .

Kelmendi ka thënë se kërkesat e parashtruara janë kërkesa të arsyeshme, që ju mundësojnë bizneseve që të jenë të barabartë me prodhuesit e regjionit , si në tregun vendor poashtu edhe atë ndërkombëtar.
“Në të dyja tregjet ne jemi në pozicion të palakmueshëm, dhe mund të themi se të ardhurat e bizneseve janë si rezultat i rritjes së vetëdijes së konsumatorit. Si ka mundësi që afaristët e rinj t’i përballojnë këto ndryshime kaq të mëdha fiskale, përveç nëse synojnë që biznesin ta zhvillojnë në rrugë informarmale, për të cilën dyshoj se të rinjtë e ndërmarrin këtë hap, por ata vendosin që të presin, të bëjnë durim ose edhe më keq atë marrin rrugën e largimit nga vendit, si mjeti i fundit.”, ka thënë Kelmendi./Telegrafi/