LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Plani franko-gjerman pozitiv për Kosovën – nëse e pranojmë, rritet presioni mbi Serbinë

Analistët: Plani franko-gjerman pozitiv për Kosovën – nëse e pranojmë, rritet presioni mbi Serbinë

Propozimi franko-gjerman për një kornizë të re të dialogut me Serbinë po konsiderohet pozitiv për Kosovën nga njohësit e rrethanave politike. Sipas tyre, bazuar në përmbajtjen e publikuar, nuk ka arsye që një propozim i tillë të refuzohet nga ekzekutivi kosovar, megjithatë thonë se si e tillë ajo e paplotë.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin thotë se në rrethanat aktuale gjeopolitike të Evropës, propozimi franko-gjerman është më i miri i mundshëm pasi bën që Kosova të faktorizohet karshi botës perëndimore.

“Plani gjerman pikërisht e potencon respektimin e integritetit territorial që është pozitive për Kosovën, sidomos vendosja e misioneve të përhershme, që në gjuhë diplomatike i bie vendosja e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve”, deklaron ai.


“Plani e faktorizon Kosovën edhe karshi pesë vendeve mosnjohëse sepse kur kemi vendosje të misioneve të përhershme diplomatike i bie që të dyja vendet janë pajtuar për të vazhduar tutje si të pavarura”.

Pra, në këtë mënyrë thotë se mund të sigurohet fuqishëm njohja nga pesë vendet e BE-së.

“Ky do të ishte një plan strategjik pozitiv nëse e shohim në tri aspekte; në aspektin afatshkurtër do të ishte plani për i mirë për anëtarësim në NATO, në planin afatmesëm, do ta na njihnin pesë vendet e BE-së dhe në planin afatgjatë, sigurisht anëtarësimi në OKB”.

Media “Euractiv” të mërkurën ka publikuar në gjuhën angleze përmbajtjen e planit franko-gjerman me nëtë pika. Një përmbajtje e tillë sipas profesorit Arifi mund të mos jetë e plotë “me qëllim që të mos ketë reaksion nga ndonjëra palë”.

“Besoj se plani është shkruar me shumë kujdes dhe gjuhë e botëkuptim diplomatik që palët të mos irritohen nga formulimi i koncepteve vlerave bazë që janë aty dhe është e mundur që të gjitha pikat janë publikuar me qëllim që të mos ketë reaksion nga ndonjëra palë. Mendoj se plani origjinal është në tavolinën e dy shteteve”.

Ai shton se ky plan-propozim duhet të pranohet pasi ka edhe mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vetëm në këtë formë faktorizohet Kosova dhe në njëfarë mënyre fuqizohet subjektiviteti jonë në marrëdhëniet ndërkombëtare e ajo do të ishte njohja nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Kjo mendoj se do të ishte fitorja më e madhe që mund të arrijë Kosovë në një plan afatshkurtër apo afatmesëm”.

Sa i përket deklarimeve nga pala serbe se një propozim i tillë është i papranueshëm për ta, Arifi thotë se kjo nuk duhet ta shqetësojë Kosovën. Sipas tij, e rëndësishme është që kjo e fundit t’i thotë ‘po’ propozimit, ndërsa në këtë mënyrë rritet dukshëm presioni mbi Beogradin.

“Për ne nuk duhet të jetë me rëndësi se a e pranon pala serbe këtë propozim apo jo, pasi duhet parë vetëm se çka përfitojmë ne. Besoj se nëse ne e pranojmë presioni do të jetë i jashtëzakonshëm ndaj palës tjetër”.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi

Njëjtë si Arifi mendon edhe njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi, i cili për Telegrafin deklaron se versioni që ka qarkulluar në medie i planit franko-gjerman, padyshim është i paplotë dhe si i tillë ofron vetëm një vështrim sipërfaqësor të asaj se çka mund të pritet prej një plani të tillë.

“Terminologjia e përdorur në këtë pikat e publikuara, atij i referohet si Traktat, dhe si i tillë, një Traktat nuk mund të jetë i plotë e i përmbledhur në vetëm një faqe e i përbërë nga vetëm nëntë nene”, .

Megjithatë, nga nëntë nenet e publikuara, Abrashi thotë se mund të vërehet se Kosova dhe Serbia trajtohen si plotësisht të barabarta – pra, si dy shtete, të cilat zotohen të mos e pengojnë njëra-tjetrën në perspektivën evropiane, e njohin integritetin territorial të njëra-tjetrës, i njohin kufijtë ekzistues e hapin misione permanente diplomatike ndërmjet vete.

“Edhe nëse në këtë Traktat njohja e ndërsjellë nuk thuhet shprehimisht, ajo që mund të vërehet qartë është në mënyrë de facto Kosova e Serbia e njohin njëra-tjetrën”, shprehet ai.

“Pikat e Traktatit, ashtu si janë propozuar në këtë dokument të publikuar në medie, janë pika të cilave Kosova duhet t’ju gëzohet, pasi që në rast të hyrjes në fuqi të një Traktati të tillë, Kosova përfundimisht realizon atë që ka synuar përgjatë 11 vjetëve të dialogimit në Bruksel – pra, normalizim të marrëdhënieve, garanci për sigurinë dhe njohjen e integritetit territorial të saj, e heqje të bllokadës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike”.

Mes tjerash, Abrashi thotë se është e nevojshme që para se të arrihet në konkluza, të analizohet Traktati i plotë, i cili “padyshim është shumë më i gjatë e më i thellë”.

“Ai definon edhe një mori çështjesh tjera të lëna pezull. Pra, një konflikt mbi njëshekullor, është thjeshtë e pamundur të zgjidhet me një Traktat një-faqësh”.

Duke u bazuar mbi premisën e nëntë neneve të publikuara ne media, Abrashi thotë se nuk sheh asnjë arsye se pse Kosova nuk duhet ta pranojë këtë propozim.

Mirëpo, duke qenë i bindur se këto nëntë nene të publikuar janë vetëm fillimi, konsideron se është akoma herët për të dhënë një mendim të prerë se a duhet apo jo që Kosova ta pranojë këtë propozim.

“Ato nëntë nene të publikuara, padyshim që Kosovën e Serbinë i nxjerrin si de facto dy shtete të barabarta, pavarësisht se shprehimisht njohja e ndërsjellë nuk përmendet në tekst. Prandaj, edhe qëndrimi i Beogradit në raport me këtë propozim nuk përbën ndonjë surprizë për mua”.

“Megjithatë, ajo që është e rëndësishme, është që Kosova të jetë konstruktive në këtë fazë, të punojë ngushtë me partnerët e saj në të dyja anët e Atlantikut dhe të mos krijojë probleme të cilat shtyjnë drejt bllokimit të dialogut. Nëse ky version pranohet nga Kosova, ka mbështetje nga BE-ja dhe ShBA-ja, atëherë padyshim se presioni do të rritet mbi Serbinë për ta pranuar këtë Traktat, sidomos tash kur Serbia është në presion gjithnjë e më të madh për të dalë nga kthetrat e Moskës e për t’u rreshtuar me botën perëndimore karshi Rusisë”.

Njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi

Për planin franko-gjerman këtë të premte kryeministri Albin Kurti ka folur në takim me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që u mbajt në Paris, para nisjes së Forumit për Paqe. Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se propozimi i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori