LAJMI I FUNDIT:

Alitalia, thirrje investitorëve për të shpëtuar nga falimentimi

Alitalia, thirrje investitorëve për të shpëtuar nga falimentimi

Linja ajrore italiane, Alitalia, ka publikuar një thirrje të fundit drejtuar investitorëve për blerjen e kompanisë me probleme financiare.

Në një njoftim të publikuar në 4 gazeta italiane, paraqiten oferta për blerjen e pasurive të kompanisë, me qëllim që të garantohet vazhdimësia e saj.

Ky vendim u mor pasi një grup investitorësh italianë hoqën dorë nga blerja e kompanisë.

Kjo ishte përpjekja e tretë e dështuar për shitjen e linjës ajrore, e cila po humbet rreth 3 milionë dollarë në ditë dhe ka tashmë një borxh prej rreth 2 miliardë dollarësh.


Oferta e re për shitjen e Alitalias u kërkon investitorëve t’i paraqesin kërkesat e tyre për blerjen e pasurive të kompanisë deri më 30 shtator.

Administratorët e caktuar nga qeveria për mbikqyrjen e Alitalias thonë se ajo mundet të mbyllet plotësisht më 1 tetor, në se nuk merret një masë.