LAJMI I FUNDIT:

Albanofonia ndërmjet inferioritetit shqiptar dhe debatit mbi bashkimin kombëtar

Në kohën kur për shumë rrethana, ideja e bashkimit kombëtar së paku për disa vite mund të mos duket një ide lehtë e realizueshme, kombi shqiptar dhe ata që sot përpiqen ta përfaqësojnë, duhet krijuar premisat që do të mundësojnë një zhvillim të përbashkët të gjuhës dhe kulturës tonë. Një aspekt tjetër duhet të jenë edhe angazhimet në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët ekonomik. Në këtë kuptim, pa cenuar kufijtë shtetërorë, është e mundur të gjenden një varg modalitetesh të ndërmjetme.

Një faktorë që nuk duhet nënçmuar sot si “kontribuues” në shkaktimin e stagnimit të shumë proceseve të kombit shqiptar jo vetëm politike, është inferioriteti dhe të konsideruarit i të tjerëve superior. Ky inferioritet dhe kompleks se si do të reagojnë të tjerët karshi një vendimi apo iniciative tonë, tani sikur po na lë mbrapa në maratonën e gjatë historike të zgjidhjes së çështjes shqiptare.


Kur në një shkrim të mëparshëm shkrova për idenë mbi krijimin e Albanofonisë si një mekanizëm të llojit të Frankofonisë e që sa për fillim do të kishte rol primar mbrojtjen dhe përkujdesjen institucionale mbi gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare, ndër të tjera u quajt edhe idealizëm nostalgjik. Nostalgjia në fakt sikur të ekzistonte këtu, do të bënte me diçka që do të duhej ta kishim më parë, kurse ne Albanofoninë jo që nuk e kemi pasur ndonjë herë, por edhe si institucione tradicionalisht jemi tmerruar nga frika se çfarë do të thonë të huajt për iniciativa të tilla qysh në momentin kur ato janë veçse një propozim.

Në fakt, Albanofonia është një propozim ndaj të cilit faktori ndërkombëtar nuk do të kishte asgjë kundër. Nuk bie ndesh as me obligimet që Republika e Kosovës i ka marr me planin Ahtisaari ngase këtu nuk flitet për ndryshim kufijsh apo fuzionim politik të shteteve. Kurse sa i përket Republikës së Maqedonisë, shumica etnike nuk ka si te rezistojë këtë mekanizëm, për vetë faktin se ky shtet është anëtar i organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë dhe do të barte një sërë skandalesh po ti kundërshtonte popullatës shqiptare këtë mekanizëm plotësisht legjitim kur një mekanizëm të tillë i ka mundësuar disa qindra qytetarëve të saj që frëngjishten e kanë gjuhë të dytë apo të tretë.

Pra, ky mekanizëm institucional ndërshtetëror mbetet peng i inferioritetit shqiptar. Duke qenë se kjo ide mbi të gjitha mëton njësimin kulturor, ajo do të përkrahej dhe do të dallohej si një mekanizëm i forcimit të bashkëpunimit të së paku tri shteteve në Ballkan ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare apo së paku ka disa atribute të tilla në nivel qendror dhe ku rrjedhimisht me këtë përtej kufijve shtetërorë, e pandërprerë shtrihet një kulturë unike e një kombi. Gjithashtu është plotësisht legjitime që në këtë mekanizëm të përfshihen të gjitha shtetet ku jeton numër i konsiderueshëm shqiptarësh në hapësirën tonë etnike dhe diasporë apo përfaqësues të tyre.

Debati mbi bashkimin kombëtar padyshim që do të zgjatë për aq vite derisa bashkimi kombëtar njëmend të realizohet në një të ardhme që nuk i ikën kohës pafund. Deri atëherë ai do të trazojë opinionin shqiptar dhe do të ndikojë shumë vendime të natyrës politike, ekonomike e deri te sportive. Nëse kufijtë mes nesh janë krijuar artificialisht, ne si komb nuk mund të pretendojmë identitete artificiale dhe ti ngatërrojmë ato me të qenit qytetar i njërit apo shtetit tjetër të kësaj hapësire.

Pyetja më e saktë që duhet bërë në debatin e pandalshëm mbi bashkimin kombëtar nuk duhet të ketë qëllimin e të zbuluarit të përgjigjes nëse shqiptarët duhet të bashkohen. Shqiptarët duan të bashkohen por janë të vetëdijshëm për raportet aktuale politike ku ne nuk jemi në pozitë ideale. Tani duhet koncentruar në gjetjen e modaliteteve që ne si komb të integrohemi në mënyrë të tillë që ti bëjmë kufijtë të pakuptimtë, çfarë edhe janë.

Deri në një kohë kur bashkimi kombëtar të realizohet, qeveritë apo ministri të resorëve përkatëse duhet të krijojnë mundësitë praktike që ne si shqiptarë të udhëtojmë brenda atdheut tonë pa pasaportë dhe pa pasur nevojë të deklarojmë mallrat në doganë. Në këtë mënyrë ti jepet atdheut shqiptar një kuptim funksional në praktikë.

Në përgjithësi gjuha është mjeti më vendimtar në krijimin e një kombi apo rruajtjen e tij si të tillë, veçanërisht gjuha shqipe ka rolin e saj pozitiv në proceset e rënda që ka kaluar kombi shqiptar në të kaluarën kur për shumë përpjekje hegjemoniste ne ishim vetëm një objekt i asimilimit apo zhdukjes. Le të kujdesemi që ajo të ketë mekanizmin e saj institucional ndërshtetëror.

Kombi shqiptar, nën hijen e debatit mbi bashkimin kombëtar është e nevojshme të hap shtigjet e të ardhmes së përbashkët që të mbijetojë trendët e shkombëtarizimit të cilat kanosen. Të mbijetojmë si një komb i vetëm, komb shqiptar, ose të përjetojmë fatin e jo pak popujve në botë të cilët në udhëkryqe të caktuara historike nën ndikimin e rrethanave ditore politike, rifilluan historinë nga fillimi dhe copëtuan identitetin e tyre të përbashkët.

(Autori mund të kontaktohet në: mentor_tahiri@hotmail.com)