LAJMI I FUNDIT:

Alarmi për migrimin

Askush nuk ka besuar që pas përfundimit të luftës në Kosovë, qytetarët tanë do t’ua mësyjnë shteteve perëndimore, sidomos për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Shqiptarët nuk e kanë dashur shumë jetën në vende të huaja, të vetëdijshëm se do të humbasin shumë në pikëpamje kombëtare, duke u asimiluar. Kjo mund të ilustrohet me shembuj të shumtë të punëtorëve tanë që shkuan në Perëndim vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Përkundër jetës së vështirë që bënë për të fituar për familjet e tyre, ata nuk pranuan që më vete t’i marrin familjet. Hoqën të zitë e ullirit dhe një gjë të tillë nuk e pranuan, vetëm e vetëm që fëmijët e tyre të shkollohen në gjuhën amtare në vendlindje.


Shumë herë nga lodhja, ata i ka zënë gjumi duke pritur një “darkë” të cilën nuk e kanë shijuar. Skuqja e tepruar e qepëve dhe era që e kanë liruar, i ka penguar komshinjtë vendas. Të njëjtit kanë qenë të detyruar t’i zgjojnë nga gjumi për mos u djegur ata – bashkë më gjellën.

Këto rrëfime i kanë treguar në ndeja shumë herë punëtorët tanë, të cilët thoshin: “Kemi pranuar që të bëhemi ‘kurban’ të familjeve tona, për t’ju krijuar atyre kushte më të mira për jetë, me dëshirën që të mbesin Kosovë”.

Korën e bukës së hidhur e kanë provuar edhe disa nga liderët tanë të cilët një pjesë bukur të mirë të jetës e kanë kaluar në Perëndim. Por, shpejtë disa prej tyre e harruan këtë jetë, ndaj nuk qajnë kokën për ata që nuk kanë asnjë burim mbijetese, përderisa vet kanë krijuar bazë të mirë për familjet dhe farefisin tyre.

Nga lufta kemi dalë të gjithë me humbje, jo vetëm në njerëz, por edhe në ekonomi familjare. Paslufta nuk na doli e barabartë për një pjesë të madhe të qytetarëve. Në sipërfaqe dolën luftëtarët që meritojnë çdo respekt, dhe bashkëpunëtorët e tyre të cilët arritën çdo gjë duke keqpërdorur emrat e atyre që sakrifikuan për liri dhe demokraci.

Të parët dhe të dytët u bënë lakmi e të rinjve, por edhe të moshuarve të cilët nuk kanë kurrfarë burimi të të ardhurave, as për vete e as për familjet e tyre. Ngelën të papunë, pa kushte për jetë dhe shkollim. Kjo ua fundosi shpresat dhe ia mësyn Perëndimit për “një jetë më të mirë”, duke harxhuar shuma marramendëse të mjeteve financiare, pa ditur se kah dhe ku do të shkojnë, e as se a do të mbesin gjallë (kujtojeni tragjedinë në lumin Tisa). Por, gjithnjë me shpresën e besimin se do të sigurojnë jetë më të rehatshme dhe komode, sikur që e kanë disa nga ata që përvetësuan të mirat e vendit pas lufte.

Pa dashur të lëshohem në pasojat e këtij migrimi, vetëdijesimi për këtë dukuri është i vonuar. Por, siç thotë populli, më mirë vonë se kurrë! Shteti mund ta ndalojë këtë dukuri, por ai duhet të krijojë kushte për jetë më të mirë të qytetarëve të saj, të cilët përfaqësuesve të institucioneve ua dhanë votën për një jetë më të mirë, e jo që ta shfrytëzojnë për përvetësime personale dhe farefisnore.

Të shpresojmë se nisma për t’i thënë stop migrimit do të jep rezultate, e në të njëjtën kohë të ngre nivelin e vetëdijesimit të atyre që kanë pushtet.