LAJMI I FUNDIT:

Al Gor: Energjia në SHBA të prodhohet nga era dhe dielli

Al Gor: Energjia në SHBA të prodhohet nga era dhe dielli

Ish zëvendës presidenti Al Gor bëri thirrje që SHBA ta prodhojë energjinë elektrike përmes erës, diellit dhe burimeve tjera jo të dëmshme për mjedisin brenda 10 vjetësh.

Gor tha se kalimi në këtë lloj energjie jo vetëm që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të tanishme energjetike dhe ekonomike të Amerikës, por edhe do të përmirësonte sigurinë kombëtare të vendit, duke ulur varësinë nga nafta e huaj.

Al Gor mori pjesë në një konferencë për energjinë në Uashington, ku këmbënguli në prodhimin e energjisë elektrike përmes energjisë së ripërtërishme, të pastër dhe pa burime gazi.

Megjithëse disa kritikë e kanë quajtur njeri alarmant, Gor e ka bërë ndryshimin e klimës globale çështjen e tij kryesore, dhe për këto përpjekje ai fitoi çmimin Nobel.


Gor ka thënë se çmimet e larta të naftës dhe kriza e tanishme ekonomike kanë krijuar një mjedis të ri politik ku amerikanët duan ndryshim.

"Nuk mbaj mend ndonjë periudhë tjetër kur në vendin tonë kaq shumë gjëra nuk po shkojnë si duhet në të njëjtën kohë. Ekonomia jonë është në gjendje shumë të keqe dhe po bie edhe më tej, dhe njerëzit po e ndjejnë. Çmimet e naftës po rriten shumë dhe po ashtu edhe ato të energjisë elektrike. Vendet e punës po transferohen jashtë vendit, dhe kreditë e shtëpive janë bërë problematike. Bankat dhe kompanitë automobilistike, si dhe institucionet e tjera tek të cilat varemi janë nën presion të madh".

Ai tha se të dy kandidatët presidencialë, si demokrati Barak Obama ashtu edhe republikani Xhon Mekejn janë shumë përpara shumicës së politikanëve në luftën e tyre kundër ndryshimit të klimës globale, ndërsa kritikoi propozimin e presidentit Bush për shpimet pranë bregdetit për naftë si mënyrë për të zgjidhur krizën e tanishme energjetike.

"Vetëm një sistem që nuk funksionon si duhet do ta pranonte logjikën perverse se përgjigja afatshkurtër e çmimeve të larta të naftës është të shposh për naftë pas 10 vjetësh në zona që duhen ruajtur”. /VOA/