LAJMI I FUNDIT:

Akumulimi i problemeve në tri kohë

“Për të qenë i njëjtë duhet të ndryshosh çdo ditë” – thënie filozofike

1.
Në planetin tokë, si gjithkund nëpër botë, në një pikë të globit, ku nuk mund të fiksohet mirë emri i një vendi-shteti të ri, shtrihet Republika e Kosovës. E mbërthyer në mes shumë problemeve të natyrave të ndryshme politike, ekonomike, të sigurisë, këtij vendi që po goditet rëndë nga akumulimi i problemeve nga tri kohë të ndryshe, të ndërlidhura njëra me tjetrën edhe pse të ndryshme, secila nga këto periudha do të ndikojnë që të ndihet sot, barra mbi supet e vogla të drejtuesve të çdo pushteti.


2.
Periudha gjysmë shekullore e ish-sistemit komunist, në Kosovë, e stërzgjati realizimin e kërkesë historike për çlirim dhe barazi me përbërësit e ish-Jugosllavisë së Titos. Çdo periudhë ishte pothuajse një vazhdimësi e rezistencës shqiptare, nën moton se asgjë nuk mund të fitohet pa sakrifica të mëdha, zaten kjo ka qenë logjika e imponuar për disa popuj të Ballkanit, si pasojë e mungesës së komunikimit të ndërsjellë, e cila ka funksionuar nga një refuzim për t’u tjetërsuar brenda projekteve politike artificiale, dhe insistimit të kreatorëve që të ndikohet sa më shumë në drejtim të shpërlarjes së substancës kombëtare shqiptare, sidomos për ta zhveshur nga elementët e bazë që ia përcaktojnë identitetin, të dallueshëm me popujt e tjerë.

3.
Pas përfundimit të divorcit politik-juridik, nga “thesari” i ndarë i trashëgimisë, që dikujt i solli të mira, ndërsa Kosova mbeti në anën e dobët, duke e mohuar bashkëjetesën e dhunshme me Serbinë, në kontekstin historik, do të shkruhet se fitoi lirinë, krijoi shtetin me një sovranitet të lënduar, ndërsa në aspektin ekonomik do të mund të mbahet në mend se në fillimin e shekullit të ri, doli si vend i rrënuar ekonomikisht, me qytetarë të shumtë pa kulm mbi kokë, me formacione të reja politike që i nxori lufta mbi sipërfaqe, me disa figura politike, që e nisen karrierën e tyre duke “mbledhur” përvojë si drejtues partish, me programe pak të dallueshme politike, ku ende deri më sot nuk janë rajvizuar sa duhet vijat konceptuale, se kush është i majtë apo i djathtë, bile nganjëherë janë ngatërruar këto rreshtime, kryesisht brenda skenës politike shqiptare.

4.
Periudha për të cilën u shtruan problemet si më lartë i takojnë përpjekjeve për çlirim dhe formim të shtetit, një shtet, i cili doli si nga “Kutia e Pandores” e z. Ahtisarit, “preu” si` me thikë vullnetin e qytetarëve shumicë, për ta krijuar një model shteti sui generis, i cili do të jetë objekt trajtimi për studiuesit e historisë së themelimit të shteteve, diplomatët dhe ekspertët e së drejtës ndërkombëtare.
Mbyllja e një kapitulli të një vendi me pavarësi të mbikëqyrur, nuk do të lidhet shumë me afatet e limituara kohore, por sa vetë drejtuesit e institucioneve të këtij vendi do të dëshmojnë se mund të kenë më pak nevojë për “kujdestari” duke tejkaluar sfidën më të madhe në planin e pasigurisë, të cilën vazhdon ta prodhoj veriu i vendit, duke e shprishur imazhin për stabilitetit politik.

5.
Prej tri problemeve të mëdha që janë bartur nga një periudhë tek tjetra, pas 17 shkurtit, 2008, Kosova tani, po ballafaqohet me periudhën më të rëndë, shtetndërtimin e saj, të cilën e përcaktojnë disa faktorë:

a). Formulimi i një koncepti mbi bazën e një vizioni të kapshëm e të qëndrueshëm politik, ku për drejtuesit e institucioneve, nxirren prioritete në përputhje me kapacitetet ekzistuese për t’u realizuar.

b). Krijimi i strukturave të afta menaxhuese në nivel të të gjitha institucioneve, sidomos aty ku mungojnë rezultatet konkrete dhe gjendja mbetet në kornizat e përkeqësimit permanent.

c). Afirmim i atyre ideve që jep shoqëria civile, ekspertët, që do të mund të ishin pjesë e disa segmenteve të programit të një qeverie lidhur me problemet fundamentale që përmirësojnë komunikimin e brendshëm, korrektojnë disa nga sfidat dhe lëshimet e piketuara dhe të ndikohet esencialisht në rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës.

d). Bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës duke ndryshuar diskursin politik në drejtim të përafrimit të disa qëndrimeve politike për ta përballuar ngulfatjen e vendit nga problemet e akumuluara ndër periudha, sepse pesha e “trashjes” së tyre nuk do të mund të ngrihet vet, pa pasur nevojë këtu të banalizohet shembulli i kryeplakut të urtë dhe shtatë thuprat.

e). Theksi i goditjes së problemeve përbrenda strategjisë do të duhej të ishte përkufizimi i pozicionit aktual ekonomik, ndikimet e krizave globale në rritje e sipër në ekonomitë e vendeve në rajon dhe Kosova, shmangia nga rruga e cila një shtet e shpien drejt procesit të “falimentimit”.

Procesi i shtetndërtimit është permanent, ndërsa rezultatet e tij do të duhej të ishin të prekshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës, njësia matëse është dhe mbetet ndryshimi dhe avancimi i kualitetit të jetës, ku mbijetesa ende mbetet një mënyrë e jona e vazhdueshme e të jetuarit.